1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kapitali bazë i bankave në shënjestër të evropianëve

Në prag të takimit të ministrave të financave të G20-s, Gjermania dhe Franca kanë njoftuar një linjë të përbashkët për luftimin e krizës së borxheve në Eurozonë.

Schäuble para gazetarëve në prag të takimit të ministrave të Financave të G20

Ministri gjerman i Financave premton "masa të qarta" në takimin e G20

Ftesa për drekë e presidentit francez Nicolas Sarkozy për ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble dhe homologun e tij francez François Baroin, kishte të bënte para së gjithash me shkallëzimin e krizës financiare. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble u shpreh:

„Presidenti na nderoi me ftesën për drekë të përbashkët. Aty patëm mundësinë të flasim shumë hapur."

Linjë e përbashkët gjermano - franceze

Kjo do të thotë që ka një linjë të përbashkët gjermano-franceze, për forcimin e tregut financiar evropian, në gjendje të vështirë. Në Eurozonë është shtuar javët e fundit shqetësimi, se banka të veçanta nuk do të jenë në gjendje të përballojnë tronditje të reja në krizën e borxheve, dhe kjo mund të shkaktojë një reaksion zinxhir. Këto probleme tani duhen adresuar e zgjidhur nga vendet e Eurozonës, tha ministri gjerman i Financave:

„Këtu bën një garantim më i mirë që bankat relevante për sistemin të jenë të pajisura me sasi të mjaftueshme kapitali.“

Baroin: bankat nuk mund të paguajnë dividentë e bonuse pa forcuar kapitalin bazë

Diçka të ngjashme kërkon edhe ministri francez i Financave, dhe ai shprehet me shembuj konkretë: bankat duhet ta rrisin sa më shpejt në 9% kuotën e kapitalit bazë, për të qenë të pregatitura në rast mosshlyerje të obligacioneve shtetërore. Përsa kohë nuk do ta kenë bërë këtë, nuk lehojet të paguajnë dividentë apo shpërblime sipas dëshirës për aksionerët apo punonjësit, tha François Baroin.

Në prag të takimit të ministrave të Financave të G20 - Shefja e FMN-së Christine Lagarde, ministri francez i Financave Francois Baroin dhe guvernatorit të Bankës Qendrore franceze Christian Noyer

Në prag të takimit të ministrave të Financave të G20 - Shefja e FMN-së Christine Lagarde, ministri francez i Financave Francois Baroin dhe guvernatorit të Bankës Qendrore franceze Christian Noyer

„Bankat duhet të paraqesin rezultate në bilancet e tyre pa reduktuar kreditë për personat privatë apo sipërmarrjet. Por mund të reduktojnë dividentët dhe shpërblimet.“

Presidenti i Bankës Federale gjermane, Jens Weidmann, është më skeptik. Nga pikëpamja ligjore nuk duket aq e thjeshtë t'u ndalohet bankave të paguajnë shpërblime. „Fillimisht duhet pritur derisa të kemi një propozim konkret në tryezë dhe jo të reagojmë ndaj propozimeve të vagullta.“

Cili do të jetë roli i fondit të shpëtimit (EFSF) në mbështetjen e bankave?

Ende e pasqaruar është edhe se çfarë roli do të luajë ombrella evropiane e shpëtimit në rikapitalizimin e bankave. Plani i përgjithshëm parashikon që institutet e kredisë të përpiqen fillimisht vetë të sigurojnë kapital të freskët në tregjet e kapitalit. Nëse kjo nuk mjafton duhet të vijnë në ndihmë shtetet përkatëse dhe në fund mund të kërkohet ndihma e EFSF. Por duket se francezët e shohin më të lehtë se gjermanët marrjen e ndihmës nga fondi i shpëtimit.

Tema qendrore e takimit të G20 do të jetë kriza e borxheve në Eurozonë. Kina, India apo Brazili - të gjithë joevropianët në takim kërkojnë udhëheqje më të fortë në krizë.

Por zgjidhjet konkrete priten në samitin e BE-së pas një jave (23.10.). Atëherë do të merren vendimet e nevojshme. 

Autor: Wolfgang Landmesser / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi

DW.COM