1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kaos pas largimit të pushtetmbajtësit në Tunizi, Ben Ali

Pas protestave masive të popullsisë, pushtetmbajtësi tunizian Ben Ali dha dorëheqjen dhe u largua në mërgim. Këshilli Kushtetues emëroi presidentin e ri të përkohshëm dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Pas largimit të presidentit Ben Ali kryeqyteti i vendit Tuniz u përfshi nga kaosi.

Pas largimit të presidentit Ben Ali kryeqyteti i vendit Tuniz u përfshi nga kaosi.

Pas dorëheqjes së presidentit Zine el Abidine Ben Ali, trazirat në Tunizi vazhduan edhe gjatë natës së të premtes. Nga kryeqyteti Tuniz njoftohet për skena kaosi, ndërtesa në flakë dhe plaçkitje. Banda plaçkitësish qarkullonin në rrugët e kryeqytetit.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje gjatë natës ka pasur zjarr në stacionin qendror të Tunizit. Në shumë supermarkete dhe ndërtesa banimi është vënë gjithashtu zjarr dhe është sulmuar një spital, u njoftua. Trazira njoftohen edhe nga pjesë të tjera të vendit. Autoritetet vendosën gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndalim qarkullimin gjatë orëve të natës.

Presidenti i larguar i Tunizisë, Zine El-Abidine Ben Ali.

Presidenti i larguar i Tunizisë, Zine El-Abidine Ben Ali.

Kthimi i Ben Alisë "i pamundur"

Për 23 vjet rresht ai e ka drejtuar në mënyrë autoritare vendin e tij. Tani Zine el Abidine Ben Ali nuk është më president i Tunizisë. Fillimish dukej se pushteti kaloi në duart e kryeministrit të vendit Mohammed Ghannouchi. Por një ditë pas largimit të Ben Alisë, Këshilli Kushtetues i vendit afrikan emëroi presidentin e parlamentit Foued Mebazaa kryetar shteti të përkohshëm Brenda 60 ditësh duhet të mbahen zgjedhje presidenciale, deklaroi Këshilli Kushtetues.

Largimi i Ben Alisë në Arabinë Saudite nuk e ka qetësuar gjendjen. Kryeministri Ghannouchi foli në televizionin shtetëror për kaos të plotë në vend. Ai u bëri thirrje banorëve të Tunizit të mblidhen në grupe për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Në një intervistë Ghannouchi njoftoi se do të angazhojë më shumë ushtrinë për mbrojtjen e lagjeve të banuara. Të shtunën do të takohet me përfaqësues të partive politike, për t'u këshilluar mbi hapat e mëtejshëm, njoftoi ai.

Ben Ali u largua nga Tunizia me avion së bashku me familjen e tij. Sipas të dhënave zyrtare të pallatit mbretëror saudit, avioni i tij zbriti të shtunën në mëngjes (15.01.'11) në Arabinë Saudite.

Kryeministri Ghannouchi tha se kthimi i Ben Alisë në Tunizi është "i pamundur".

Kryeministri i Tunizisë Mohamed Ghannouchi, kryen tani edhe funksionin e presidentit.

Kryeministri i Tunizisë Mohamed Ghannouchi, kryen tani edhe funksionin e presidentit.

Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Përballë protestave në rritje, Ben Ali fillimisht njoftoi se do të shpërbënte qeverinë dhe brenda gjashtë muajsh do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme. Ai tha se kishte ngarkuar kryeministrin Ghannouchi, me krijimin e një qeverie tranzicioni. Në të njëjtën kohë autoritetet vendosën të premten gjendjen e jashtëzakonshme. Ajo vlen në të gjithë vendin njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve në Tuniz. Më pas u bllokuan hapësira ajrore, ushtria rrethoi aeroportin e vendit. Gjendja e jashtëzakonshme është pa afat, deklaruan autoritetet. Mbledhjet e më shumë se tre personave në publik janë të ndaluara, dhe mes orës 18 dhe 6 është në fuqi ndalim qarkullimi, në rast kundërshtimi forcat e sigurisë kanë leje të përdorin armët e zjarrit.

Kancelarja Merkel shpreh shqetësim

Në një deklaratë të parë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi "respekt për lirinë e mendimit dhe të bashkimit" në Tunizi. Të gjitha partitë duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje paqësore përmes bisedimeve. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) të premten në mbrëmje (14.1.) e cilësoi situatën në Tunizi "tejet serioze". Ndryshimet në Tunizi duhet të bëhen në mënyrë "sa më paqësore", kërkoi ajo.

Komisioni i BE-së gjithashtu kërkoi me forcë një ndryshim paqësor në vendin në Mesdhe. "Ne i tërheqim vëmendjen të gjitha partive, të tregohen të përmbajtura, të ruajnë qetësinë për të shmangur shkaktimin e viktimave të tjera të dhunës", deklaroi e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, Catherine Ashton të premten në mbrëmje në Bruksel. Çelësi për zhvillimet e mëtejshme është dialogu, tha Ashton.

Ministria e Jashtme në Berlin ashpërsoi këshillat e sigurisë për udhëtime në Tunizi. Megjithatë nuk është dhënë ende paralajmërim për udhëtimet në këtë vend.

Largimit të presidentit Ben Ali i paraprinë protesta masive.

Largimit të presidentit Ben Ali i paraprinë protesta masive.

Anulohen fluturimet

Shoqëritë turistike gjermane kanë anuluar deri të hënën (17.1.) të gjitha fluturimet për në Tunizi, për shkak të situatës së paqartë në vend. Pushuesit e parë gjermanë të kthyer nga Tunizia, udhëtuan të premten në mbrëmje nga ishujt Xherba dhe Monastir për në Berlin dhe Dyseldorf.

Trazirat në Tunizi zgjasin tashmë prej katër javësh. Sipas të dhënave të grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 79 vetë kanë humbur jetën si pasojë e tyre. Pakënaqësia ka të bëjë në radhë të parë me papunësinë e madhe, çmimet e larta dhe mungesën e lirive.

Autor: Dirk Eckert / Eliana Xhani (afp, dapd, dpa, rtr)

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

  • Data 15.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxwO
  • Data 15.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxwO