1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kandidati i AfD për zgjedhjet parlamentare kërkon mbylljen e kufijve të Gjermanisë

Në intervistë me Deutsche Wellen, kandidati kryesor për zgjedhjet parlamentare i Aleancës për Gjermaninë, AfD kërkon një kthim konsekuent të migrantëve. Pranimi i refugjatëve nuk është në interes të Gjermanisë, thotë ai.

Alexander Gauland për refugjatët

Kandidati kryesor i AfD pë zgjedhjet parlamentare në Gjermani, Alexander Gauland kërkoi në intervistën me kryeredaktoren e DW, Ines Pohl dhe me moderatorin Jaafar Abdul-Karim një mbyllje konsekuente të kufijve të jashtëm të Gjermanisë dhe të Evropës. Është e gabuar, tha publicisti dhe politikani 76 vjeçar, që njerëz pa dokumenta lejohen të kalojnë kufirin e Gjermanisë. "Këta njerëz nuk duhet të lejohet të vijnë më në vend."

Për më tepër, ata duhet të paraqesin një kërkesë për azil jashtë Gjermanisë ose jashtë Evropës, kërkoi ai. Ai që merr arratinë nga një zonë lufte - si për shembull nga Siria - vërtet që ka një të drejtë të kufizuar qendrimi sipas Konventës së Gjenevës, theksoi Gauland, i cili është së bashkë me Alice Weidel kandidat kryesor i AFD për zgjedhjet në Bundestag.

"Gjermania nuk është kruesja e baltës së këpucëve te pragu"

Shumica e njerëzve, sipas Gauland, vijnë ndërkohë në Gjermani për arsye ekonomike. Vërtet që është legjitime që njerëzit të kërkojnë një jetë më të mirë, por është edhe legjitime për një shtet që të thotë, "këtu nuk ka vend për ju", tha Gauland. "Interesat tona ne duhet t'i mbrojmë dhe pranimi masiv i refugjatëve nuk është në interesin gjerman". Gjermania nuk është "për botën kruesja e baltës së këpucëve te pragu i derës", u shpreh Gauland.

Deutschland wählt DW Interview mit Alexander Gauland AfD (DW/R. Oberhammer)

Alexander Gauland i AfD-së në intervistë me kryeredaktoren e DW, Ines Pohl dhe gazetarin Jafaar Abdul Karim

Gauland për interesat gjermane

Një migrant, që vjen nga Libia përmes Mesdheut në Evropë, duhet të kthehet me anije po atje. "Ai vjen vullnetarisht, atë nuk e detyron njeri që prej Afrikës jugore të shkojë në Libi ose që të kalojë përmes Libisë", tha Gauland në intervistën me Deutsche Welle-n për zgjedhjet parlamentare. Dhe kur dikush kalon vullnetarisht përmes Libisë, atë edhe mund ta kthejnë atje.

Refugjatët si temë qendrore në fushatën elektorale

Kritika për politikën e refugjatëve të qeverisë gjermane është një temë qendrore e fushatës elektorale të "Alternativës për Gjermaninë", e cila ka fituar shumë mbështetje që prej krizë së refugjatëve në vitin 2015. Ndërkohë, AfD përfaqësohet në 13 nga 16 parlamente të landeve dhe ndodhet para hyrjes për herë të parë në Bundestag në zgjedhjet e 24 shtatorit. Demoskopët parashikojnë aktualisht për këtë parti se do të marrë tetë përqind të votave në zgjedhjet parlamentare.

Gauland, i cili deri në momentin e daljes në vitin 2013 ishte për 40 vjet anëtar i CDU-së, e quan "politikën e gabuar të Kancelares një dhuratë për AfD".

"Feja islame nuk i përket Gjermanisë"

Jo vetëm në politikën ndaj refugjatëve, edhe në trajtimin e fesë islame, AfD dallohet nga partitë e tjera. "Feja islame si njësi kulturore fetare nuk i përket Gjermanisë", tha Gauland në intervistë me DW. Këtë mendim AfD e mbron edhe në programin e saj elektoral - në një vend, në të cilin vlerësohet se jetojnë pesë milionë myslimanë. "Mua më shqetëson, që feja islame përmes Sharisë dhe rregullave të caktuara është një fe, për të cilën ne themi qartazi se këto rregulla nuk pajtohen me Ligjin Themelor gjerman".

Deutschland wählt DW Interview mit Alexander Gauland AfD (DW/R. Oberhammer)

Alexander Gauland, AfD

Ai që e jeton në privatësi besimin islam është i mbrojtur nga kushtetuta gjermane, theksoi kandidati kryesor i AfD. "Ajo që nuk shkon është që ne të fusim si të thuash përmes derës së pasme, rregulla islamike gradualisht tek ne." I pyetur se pse nuk takohet vetë me myslimanët, Gauland tha: "Unë nuk ndiej nevojë, të shkëmbehem zyrtarisht me myslimanët. Po të kem pranë dikë, natyrisht që jam i hapur dhe i gatshëm të flas me të. Kjo nuk është fare problem."

"Rusia nuk do ta kthejë kurrë Krimenë"

Në intervistë me DW, Gauland u pozicionua edhe për politikën e jashtme të AfD. Kështu, partia e tij është kundër sanksioneve, që u vendosën kundër Rusisë pas aneksimit prej saj të Krimesë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. "Rusia nuk do ta dorëzojë kurrë më Krimenë. Nuk besoj, se sanksionet do të sjellin gjë", tha Gauland, i cili u shpreh edhe kundër një anëtarësie të mundshme të Turqisë në BE. "Të gjitha pagesat në këtë fushë duhet të ndalen".

Por sipas mendimit të AfD, Turqia duhet të mbetet anëtare e NATO-s, për aq kohë sa Presidenti Erdogan nuk "ndjek një politikë neoosmane". "Sepse Turqia ka qenë në kohën e Luftës së Ftohtë gjithmonë një roje, dhe unë nuk shoh ndonjë shkak që ta përjashtoj atë tani nga NATO-ja".

Sipas fjalëve të tij, Gauland është kompetent "deri në njëfarë shkalle" për politikën e jashtme në partinë e tij. "Po një shef të vërtetë nuk ka në një parti anarkike. Dhe ja që ne jemi të tillë," tha kandidati kryesor i AfD, partia e të cilit tërheq herë pas here vëmendjen me grindjet e brendshme të saj.

E papritur qe përgjigja e Gaulandit për pyetjen, se cilin përfaqësues të konkurencës politike do të preferonte të merrte ai me vete në një ishull të vetmuar: Gaulandi vendosi për Sahra Wagenknecht-in, kandidaten kryesore të partisë E Majta në zgjedhjet në Bundestag.

 

 

Intervista u zhvillua nga Ines Pohl dhe Jafaar Abdul-Karim