1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kancelarja Merkel viziton Letoninë

Pak para samitit të NATO-s kancelarja Merkel vizitoi Letoninë. Vendet baltike i ndjekin me shqetësim të veçantë tensionet mes BE-së dhe Rusisë.

Kur kancelarja Angela Merkel shkon në vendet baltike, tema e bisedimeve lidhet disi gjithmonë edhe me Rusinë. Në samitin e BE-së në kryeqytetin e Lituanisë Vilna, në fund të nëntorit 2013 ishte fjala për Marrëveshjen e planifikuar të Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës, e cila plasi nën presionin e Moskës. Pas kësaj nisi konfrontimi i mprehtë me Rusinë. Në vizitën e tanishme të kancelares Merkel në Letoni (18.08) ishte në qendër të vëmendjes frika e vendeve baltike prej Rusisë dhe sinjalizimi i solidaritetit të NATO-s me anëtarët e saj në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kacelarja Merkel tha se është ora të theksojmë se detyrimi i NATO-s për të ndihmuar nuk gjendet vetëm në letër. Ajo tha se NATO duhet të marrë të gjitha masat që në rast rreziku të veprojë me shpejtësi. "Ky është detyrimi ynë dhe ne do ta mbajmë atë" - siguroi Merkel.

Jo çdo dëshirë mund të plotësohet

Kryeministrja Laimdota Straujuma i shprehu kancelares Merkel sërish dëshirën për një "prani ushtarake afatgjatë" të NATO-s në rajon. Por Merkeli bëri të qartë se për shkak të premtimeve të NATO-s ndaj Rusisë "për momentin", në vendet baltike nuk mund të ketë prani të përhershme bazash ushtarake.

Por NATO nuk do të jetë vetëm më tepër e pranishme në manovrat ushtarake në vendet baltike. Gjermania u ka premtuar vendeve baltike dërgimin e gjashtë avionëve luftarakë për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore të tyre.

Frika e vendeve baltike

Në tre ish-republikat sovjetike konflikti i Ukrainës ka zgjuar frikërat e vjetra prej kërcënimit rus. Ashtu si fqinjët e tyre edhe shumë letonezë i ndjekin zhvillimet në Ukrainë me nervozizëm. Nisur nga acarimi i krizës në Ukrainë lindore edhe Riga ka frikë se Kremlini mund ta aplikojë përsëri modelin e sprovuar të destabilizimit të fshehtë.

Kjo frikë lidhet edhe me faktin se një e katërta e popullsisë në Letoni janë me origjinë ruse dhe se Rusia ka krituar në mënyrë të përsëritur gjoja diskriminimin e minoritetit rus në Letoni.

Por megjithë provokimet e aktivistëve prorusë, vetëm pak letonezë besojnë se popullsia me origjinë ruse e letonisë do ta kthejë orën prapa dhe të orientohet nga Rusia. Pra vështirë se dikush do të dojë të heqë dorë prej standardit më të lartë të jetesës dhe përfitimeve të tjera që ofron Letonia pas dhjetë vjetësh si anëtare e BE-së.

Varësia nga Rusia

Gjermania synon që vendet baltike të mos ndahen prej qëndrimit të përbashkët të BE-së ndaj Rusisë. Kancelarja Merkel synon që Evropa të jetë një "nga Lisbona deri në Rigë" edhe në rastin e sanksioneve edhe pse Rusia është për Letoninë një treg i rëndësishëm eksporti. Po ashtu Letonia është e varur shumë edhe prej gazit rus si dhe lidhjeve me sektorin rus të financave.

Pavarësisht këtyre kushteve të pafavorshme kryeministrja letoneze Laimdota Straujuma theksoi krahas kancelares Merkel se sanksionet e BE-së janë të pashmangëshme dhe se Evropa duhet të dërgojë një sinjal të qartë drejt Rusisë."