1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel viziton Kosovën

19 Dhjetor 2011

Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton sot Kosovën ku takohet me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe vendorë. Ajo kërkon zgjidhjen e problemeve me mjete politike dhe heqjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

https://p.dw.com/p/13VOC
Angela Merkel
Angela Merkel në PrizrenFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd dhe në paraqitjet e saj para samitit të Bashkimit Evropian që Serbia të normalizojë raportet me Kosovën dhe të heqë strukturat paralele. Gjermania është e mendimit se Serbia ende nuk i ka plotësuar kushtet për lidhje më të fuqishme me BE-në, pikërisht për shkak të Kosovës.

Analistët në Prishtinë janë të mendimit se kancelarja Merkel duhet të kërkojë nga institucionet e Kosovës edhe një plan konkret për integrimin më të fuqishëm të serbëve në institucione dhe luftimin më të denjë të korrupsionit.

Angela Merkel dhe Boris Tadiq
Merkel dhe TadiqFotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja do të takohet edhe me kryeministrin Hashim Thaçi në aeroportin e Prishtinës, ku do të pritet me ceremonitë më të larta të shtetit. Pritet që pas takimit të shkurtër ata t'u drejtohen edhe mediave. Ndërsa më pas ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Erhard Drews si dhe krerët të tjerë ndërkombëtarë. Kancalarja do të vizitojë edhe ushtarët gjermanë në Kosovë, të cilët kohët e fundit janë sulmuar disa herë prej grupeve të armatosura serbe në veri të Kosovës.

Pritja e një mike

Kosovarët kanë planifikuar për sot një pritje miqësore të kancelares, me të gjitha ceremonitë e shtetit. Gjermania ka qenë vendi që ka mbështetur çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e saj të pasluftës. Por ajo që ka kontibuar në veçanti në rritjen e autoritetit të kancelares në Kosovës janë qëndrimet e saj shumë të prera që Serbia të heqë strukturat paralele serbe, të normalizojë raportet me Kosovën dhe të zbatohen marrëveshjet nga dialogu teknik. Kancelarja Merkel i ka bërë të ditur Serbisë se hyrja e saj në BE do të ndodhë vetëm pas normalizimit të raporteve me Kosovën.

Të integrohen serbët dhe të luftohet korrupsioni

Analisti Behlul Beqaj mendon se Angela Merkel edhe kësaj radhe do t'i dërgojë Beogradit mesazhe të qarta: për rishikimin e gabimeve nga e kaluara, për reflektim dhe përmirësimin e raporteve me Kosovën. "Kancelarja është një personalitet i jashtëzakonshëm i cili mbështet përpjekjet e institucioneve të Kosovës për konsolidim. Shpresoj se ajo edhe kësaj radhe do të ketë qëndrime shumë të qarta ndaj Beogradit, por edhe ndaj institucioneve të Kosvoës për të përmirësuar punën e tyre", thotë Beqaj.

Angela Merkel me ushtarë
Angela Merkel me ushtarëFotografi: AP

Sipas tij, pritet që kancelarja të kërkojë nga institucionet kosovare që të hartojnë plane konkrete për integrimin e serbëve në Kosovë, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe për luftimin e denjë të korrupsionit dhe dukurive tjera negative.

Ajo që kancelarja me siguri do të theksojë edhe kësaj here është që sulmet ndaj ushtarëve gjermanë dhe ndërkombëtarë nuk do të tolerohen. Në prag të samitit të 9 Dhjetorit kancelarja ka deklaruar se Beogradi me mosangazhimet e tij të duhura ka kontribuar që në Kosovë të krijohet një atmosferë ku serbët me armë zjarri kanë sulmuar ushtarët ndërkombëtarë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Amarildo Topi