1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelarja Merkel: "Okej, këtë do ta mbaj mend"

Një premierë e pazakontë për Angela Merkelin dhe demokracinë në Gjermani. Në një takim me qytetarët u mblodhën proppozime për një bashkëjetesë më të mirë. Forma funksionoi, përmbajtja jo dhe aq.

Angela Merkel: Dialog në Erfurt për të ardhmen

Angela Merkel: Dialog në Erfurt për të ardhmen

Për një ditë (të mërkurën më 29 shkurt) kryeqyteti i landit të Tyringenit u bë pjesë e Republikës së Berlinit. Kancelarja dhe ekipi i saj shkoi me helikopter. Shumë korrespondentë të kryeqytetit i ndoqën me tren, në një udhëtim një orë e gjysëm. Edhe një pjesë e pajisjeve të Reichstag-ut kishte gjetur rrugën drejt kryeqytetit të Tyringenit.   

Forma e takimit funksionoi

Forma e takimit funksionoi

Në sallën mbretërore të stilit barok, të veshur me flori të bardhë, në lagjen e vjetër të qytetit ishte ndërtuar një podium në ngjyrën tipike gri të parlamentit gjerman, i shoqëruar me ndenjëset tipike ngjyrë blu. Në këtë objektivitet të betonuar, kancelarja mund të ndihej si në shtëpi. Megjithatë, tha Angela Merkel që në fillim, sot rolet janë të ndryshme: Nuk është ajo që thotë si duhet të zgjidhen çështjet, por qytetarët, ajo do të dëgjojë. 

Si duhet të bashkëjetojmë?

Rreth 100 qytetarë respektuan ftesën e kancelares në kuadër të dialogut të saj për të ardhmen. Gjysma e tyre i pati bërë propozimet në internet ose në shtyp, ose pati marrë pjesë në lotarinë për t`i thënë një herë para syve Angela Merkelit çfarë e shqetëson dhe si e mendon bashkëjetesën në Gjermani në dhjetë vjetët e ardhshme. Pjesa tjetër e tyre u deleguan nga organizatat vullnetare, shoqatat profesioniste, shkollat ose grupime të tjera.

Angela Merkel pranë të moshuarve

Angela Merkel pranë të moshuarve

Dialogu qytetar i Erfurtit, fillimi i tre aktiviteteve të kësaj natyre, duhet të ishte një mbledhje e çlirshme qytetarësh. Por aktiviteti 90 minutësh ishte vetëm pjesërisht i tillë. Sepse pjesëmarrësit ishin përzgjedhur si përfaqësues të diçkaje, dhe ishin shumë pak nga i ashtuquajturi popull i thjeshtë. Fjalën e morën gjimnaziste të reja, pensionistë, migrante të reja me ferexhe, një invalid me karrocë dhe një qytetar me ngjyrë nga Angola. Fjalën e morën edhe një drejtor arke kursimesh, një mësues, një sipërmarrës dhe një kryetar shoqate. Ata të gjithë ishin përgatitur shumë mirë për të folur, kishin sjellë me vete propozime të menduara mirë dhe u ankuan pak për problemet e jetës së përditshme - edhe nëse bënin ndonjë sharje me zë të përmbajtur duke thënë më parë: ("Unë do të doja të thoja diçka provokative...").

Mbledhje propozimesh

Për Angela Merkelin ky ishte takimi i parë me qytetarët, ajo ka eksperimentuar që në fushatën e 2009-ës, por atëherë në kushte të tjera. Në këtë mënyrë ajo mund të krijojë profilin e një "kancelareje që jep shpjegime", siç thotë studiuesi i shkencave politike, Gerd Langguth. Kësaj here ajo luan një rol tjetër.

Synimi i saj është që të mbledhë propozime për punën e qeverisë, tha Merkel në kuadër të këtij takimi dhe pret që të ketë surpriza të vogla. Surpriza lejohet të ketë në një dialog të tillë, por shumë nuk duhet tepruar. Prandaj, qytetarët u sqaruan më parë në grupe dhe u lutën të bëjnë përmbledhje të pyetjeve. Përveç kësaj një moderator profesionist ndodhej në krah të kancelares, i cili përgatiste atmosferën dhe kujdesej që njerëzit të flisnin me radhë. Tilmann Schöberl-it iu desh që të hiqte dore nga roli i moderatorit, sepse Merkeli mori vetë regjinë duke i vënë gishtin secilit: "Një herë ju, pastaj ju në radhën e tretë, pastaj ai burri që buzëqesh gjithë kohën, dhe pastaj ajo gruaja që mbase ka diçka për të thënë."

Kancelare që bën shaka

Merkeli dhe të rinjtë

Merkeli dhe të rinjtë

Fjala e përdorur më shumë nga kancelarja ishte "okay", e ndjekur nga fjalia: "Këtë do ta mbaj mend". Në këtë mënyrë Merkel reagoi ndaj shumë propozimeve ose përshkrimi problemesh nga publiku. Nëse propozimi zgjaste shumë, Merkel mërmëriste pak, po duke dhënë aprovimin. Kur shumë propozime nuk ishin shumë konkrete, atëherë ajo përgjigjej me fjali të papërfunduara duke vazhduar me fjalinë tjetër. Kështu pjesa tjetër e mbrëmjes u bë dinamike.

Kancelarja u kujdes që atmosfera të mbetej e çliruar. Ajo bëri shaka që në fillim, u ul pa u sikletosur në ndenjëset  blu, gju më gju me qytetarët, qeshte dhe të jepte përshtypjen se ndihej mirë. Këtë mbrëmje kancelarja ishte më shumë nga landi Mecklenburg-Vorpommern se sa kryetare e qeverisë në Berlin, larg nga hallet e Erfurtit, një qytet mesatar gjerman, si ata të shumtit në Gjermani. Merkel kishte marrë vendim që të mos shkonte në qytete të mëdha, sepse atje problemet janë të ndryshme nga ato të provincës.

Qytetarë të shqetësuar

Shumë nga ata që e morën fjalën, folën si duhet të jenë shkollat që të bëhen më të mira, çfarë roli luan angazhimi vullnetar, si mund të ketë më shumë fëmijë në Gjermaninë e varfër me lindje, çfarë mund të bëhet kundër ekstremizmit të djathtë, si mund të integrohen më mirë emigrantët ose si mund të rritet siguria e jetës në fshat. Kritikat më të mëdha kishin të bënin me mungesën e ngrohtësisë sociale, me konsumin e madh dhe pabarazitë në punë. Si dëshirë u përmend një rrogë minimale pa kushte si dhe një ditë pa televizion dhe pa internet, në mënyrë që familjet të merren me veten e tyre.

Kur mbaroi koha e bërjes së pyetjeve, Merkeli i përmblodhi pikat më të rëndësishme dhe njoftoi se propozimet e bëra, por edhe ato të pabëra, por të shkruara në listën e propozimeve do t`i marrë me vete për t`i përfshirë në punën e qeverisë. Propozimet do të diskutohen me 120 specialistë nga disiplina të ndryshme. 

Autor: Kay-Alexander Scholz/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi