1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelarja me çizme gome-Përmbytjet dhe fushata zgjedhore

Kancelarja Angela Merkel viziton zonat e përmbytura dhe premton ndihmë të mënjehershme. Këto situata ekstreme u kanë shërbyer shumë disa politikanëve në të kaluarën, duke u siguruar rizgjedhjen.

Sa fushatë elektorale mund të durojë një zonë e përmbytur? Kjo pyetje u shtrua nga shumë vëzhgues, kur kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) të martën (4 qershor) vizitoi zonat e prekura nga përmbytjet në Saksoni, Thuringi, dhe Bavari.

Angela Merkel ndihmon në mbajtjen e thasëve të rërës në zonat e përmbytura

Kancelarja përvesh mëngët

Ekipe të tëra kameramanësh përcollën pamjet e një kancelareje, që kujdeset, pa u bërë imponuese. Merkel, duke hequr me lopatë baltën së bashku me ushtarët në rrugët e qendrës historike të qytetit të Passaut. Merkel, duke u dhënë dorën viktimave të përmbytjeve. Merkel në avion, me vështrimin mbërthyer mbi zonën e përmbytur. Dhe Merkel duke mbushur thasët me rërë, e shoqëruar nga stuhia e shkrepjes së kamerave. Për studjuesin marrëdhënieve me publikun, Klaus Kocks, kjo nuk është ndihmë, por tre muaj e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për parlamentin e landit të Bavarisë është natyrisht fushatë zgjedhore. Shfytëzohen hallet e njerëzve, sepse përmbytjet që nga koha e përmbytjeve të Noas, janë simbol i rrezikut të drejtpërdrejtë dhe mënyrë për t'u inskenuar si shpëtimtar."

Ushtarët në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura

Ushtarët në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura

"Për fat të keq zgjedhësit janë të tillë"

Kështu ka bërë edhe ish-kancelari Gerhard Schrëder, PSD. Në kohën, që ai duhej të rizgjidhej në vitin 2002, nisi përmbytja e madhe përgjatë lumit Elba. Shrëder, i cili në atë kohë me koalicionin e tij qeveritar të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve sipas sondazheve ishte në disavantazh, erdhi me çizme të zeza gome dhe me mushama të gjelbër në zonën e përmbytur.

Me çizme gome drejt rizgjedhjes: kancelari Schröder gjatë përmbytjeve 2002

Me çizme gome drejt rizgjedhjes: kancelari Schröder gjatë përmbytjeve 2002

Sipas mendimit të Klaus Kocks këto ishin pamje, që i dhuruan atij rizgjedhjen. Për të gjithë është e qartë se këtu shfrytëzohet miti kulturor i shën Kristoforit, i cili sipas rrëfimit kalon ujërat e përmbytjeve me foshnjën Jezus në duar. "Kjo tregon, se kjo politikë inskenuese intuitive, që është nisur nga Schrëderi, është shumë e suksesshme." Për fat të keq votuesit janë të tillë, thotë eksperti i marrëdhënieve me publikun.

Se sa ndryshe veprojnë politikanët në rastet e fatkeqësive natyrore mund të shihet në shembullin e SHBA. Kështu uragani Katrina në gusht të vitit 2005, ka qenë moment jo i lavdërueshëm i qeverisjes së presidentit të SHBA, Xhorxh W. Bush. Ai i ndërpreu pushimet pas tri ditësh, pasi kishte filluar stuhia shkatërrimtare, gjë që i solli atij reputacionin e një menaxheri të keq të krizave. Ndryshe veproi pasardhësi i tij, Barack Obama, i cili vetëm pak para rizgjedhjes së tij vitin e kaluar luftoi kundër stuhisë tropikale Sandy. Që nga fillimi i uraganit Obama ishte në zonat e prekura bregdetare të vendit, bashkëshortja e tij organizonte aktivitete bamirësie për fëmijët e familjeve të prekura, që u ndoqën me vëmendje në media. Në këtë kontekst ish rivali republikan Mitt Romney disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, u kthye në statist. Për këshilltarin politik Klaus Kocks një fat ky, që mund ta pësonte edhe kandidati aktual për kancelar i socialdemokratëve gjermanë, Peer Steinbrück. Sepse: "Ne presim mbështetje nga ata, të cilëve ne u kemi besuar pushtetin."

Kandidati socialdemokrat në pozitë të vështirë

Kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück në takim me studentë në Berlin

Larg përmbytjeve: kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück në takim me studentë në Berlin

Kandidati i PSD për kancelar momentalisht ka pak pushtet politik dhe ia lëshon fushën e veprimit "shpëtimtares", domosdoshmërisht sepse është kancelarja. Ndërsa Angela Merkel bën turne nëpër zonën e krizës, Steinbrück kryen punën e tij normale të përditshme. Në vend të viktimave të përmbytjeve, ai flet me studentët e Berlinit mbi parimet e politikës së jashtme të Gjermanisë. Sigurisht jo pa shprehur fillimisht disa fjalë simpatie për viktimat e përmbytjeve. "Si dikush, që ka jetuar gjatë në një shtëpi në lumin Rin, unë kam përvojë shumë konkrete, se çfarë do të thotë, që të të hyjë uji në shtëpi dhe të luftosh me të." Steinbrück dëshiron që të prekurit të kenë shumë forca për të përballuar fatkeqësinë natyrore, ai bën thirrje për ndihmë të shpejtë dhe efikase, të cilën ai nuk mund ta japë. Edhe strategu i marrëdhënieve me publikun, Klaus Kocks, e di se fatkeqësitë natyrore janë "momenti i atyre, që kanë pushtetin" dhe jo i opozitës. Por simpatia e rezervuar, që tregon kandidati për kancelar Peer Steinbrück, thotë Kocks, nuk i kontribuon një partie të madhe me ambicie për të qeverisur, si PSD. "Kjo është e mjerueshme, këto janë sllogane të ftohta, boshe", thotë Kock. "Fushata zgjedhore e Steinbrückut ka filluar keq dhe për habinë e të gjithëve, ai ka arritur, që ta bëjë edhe më keq." Duke mos shkuar në zonën e krizës, me këtë kandidati i PSD për kancelar ka humbur shansin e tij të fundit, thotë Kocks. "Unë mendoj se kush do t'i fitojë zgjedhjet, është vendosur sot."

E gjitha vetëm shou thotë publicisti Klaus Kocks

E gjitha vetëm shou thotë publicisti Klaus Kocks

Edhe parti të tjera politike kërkojnë të reagojnë ndaj katastrofës së përmbytjeve, duan që t'u dëgjohet zëri në rrëmujën e mediave. Partia e Majta duke patur parasysh dëmin e madh të përmbytjeve, kërkon që të çlirohet kufiri për shpenzimet publike. Të Gjelbrit kërkojnë që krahas ndihmës së mënjehershme të bëhen investime afatgjata për mbrojtjen nga përmbytjet, gjë që nuk do të thotë vetëm ndërtim digash, por edhe rinatyrim i fushave të përmbytura. Dhe liberalët, partneri i vogël në koalicion me kristiandemokratët, kërkojnë që viktimave të përmbytjeve t'u jepen para shtesë përmes bankës për zhvillimin KfW. Tri kërkesa, që formulohen nga lagjia qeveritare në Berlinin e largët, dhe që prandaj humbasin në vorbullën e pamjeve të kancelares nga Saksonia, Turingia dhe Bavaria. Dhe pse kryetari i grupit parlamentar të liberalëve, Rainer Brüderle, paralajmëron në Berlin që të kihet kujdes nga turizmi "politik" në zonat e përmbytura: Eksperti i marrëdhënieve me publikun, Klaus Kocks, e konsideron të pashmangshme këtë "formë të inskenuar nga realiteti". "Ai që ndjen me viktimat e përmbytjeve, shpërblehet pastaj me sukses të madh politik."