1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelarja e vetmuar - Çfarë pasojash ka largimi i politikanëve kryesorë për Angela Merkelin?

Kryetari i bashkisë së Hamburgut Ole von Beust është kryeministri i gjashtë prej 10 kryeministrave të Partisë Kristiandemokrate (CDU) të kancelares Angela Merkel, që largohet nga posti.

default

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel duket gjithnjë e më e vetmuar në mesin e kristiandemokratëve. Gati të gjithë ata, të cilët e ndiqnin politikën e saj, së shpejti do të largohen nga postet e tyre. Gjashtë prej dhjetë kryeministrave të landeve nga Partia Kristiandemokrate (CDU) janë larguar brenda disa muajve. Për shkak të një strukture federale të CDU-së krerët e landeve kanë tradicionalisht një rol të fuqishëm brenda partisë. Për shkak të zgjedhjes së tyre prej parlamenteve të landeve ata, pa problem dhe frikë nga sanksionet, mund të kritikojnë edhe vetë kancelaren dhe kryetaren, apo kryetarin e partisë. Me përvoja të tilla janë përballur edhe ish-kancelari Helmut Kohl dhe paraardhësit e tij.

Shkaqet për largime janë të ndryshme.

Dy prej tyre kanë humbur në zgjedhje: së pari Dieter Althaus në Tyringen e më pas Jürgen Rüttgers në Renaninë Veriore-Vestfali. Dy kanë marrë poste të tjera: Günther Oettinger nga Baden-Vyrtembergu ka marrë një post komisioneri në Bashkimin Evropian, ndërsa Christian Wulff nga Saksonia e Poshtme është zgjedhur president i Gjermanisë. Për Oettingerin kalimi në Bruksel erdhi në kohën e duhur, sepse shansat e tij për të fituar zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm ishin të këqija. Christian Wulff në anën tjetër kishte bërë të gjitha përgatitjet për t'ia dorëzuar pushtetin një kandidati tjetër. Sikur të mos zgjidhej në postin e presidentit të Gjermanisë, ai me siguri që tani apo më vonë, do të përjetonte fatin e kolegëve të tij nga Hamburgu dhe Heseni Ole von Beust dhe Roland Koch dhe do të jepte dorëheqje gjatë mandatit në postin e kryeministrit.

Së shpejti mund të pritet edhe largimi i kryeministrit të Saksen Anhaltit, 74-vjeçarit Wolfgang Bëhmer, i cili nuk do të rikandidojë në zgjedhjet, që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Bëhmer është një prej rasteve të rralla të politikanëve kristiandemorkatë, të cilët do të mbeten në postin e tyre deri në fund të mandatit. Në përgjithësi të gjitha partitë më shumë parapëlqejnë që politikanët e tyre t'i ndërrojnë postet ende pa përfunduar mandati i fituar në zgjedhje. Kjo i mundëson pasardhësve të tyre që të kenë kohë të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme dhe të fitojnë simpatinë e votuesve. Ndryshimet e këtilla më parë janë shpjeguar me shkaqe shëndetësore, apo për shkak të moshës. Por Roland Koch dhe Ole von Beust janë diku nga mesi i 50-tave dhe në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Duket se anjëri prej tyre nuk ka parë ndonjë shans për përparim në karrierën politike, prandaj kanë vendosur të merren me diçka krejt tjetër.

Kancelarja Angela Merkel në të ardhmen do të ketë një numër të madh politikanësh të rinj.

Kjo nuk do të thotë patjetër se do ta ketë më lehtë, sepse politikanët e rinj kanë nevojë të profilohen, në qoftë se është e domosdoshme edhe në dëm të kancelares. Njëkohësisht do t'i mungojnë këshilldhënës të rëndësishëm brenda partisë. E gjitha kjo ndodh në kohëra të vështira, kur CDU-ja po përjeton rënie të mëdha në sondazhe. Pas kongresit të ardhshëm të partisë në vjeshtë, kancelarja Angela Merkel do të jetë në një pozitë në të cilën Helmut Kohli ka qenë për një kohë të gjatë: politikanja me përvojën më të gjatë në mesin e udhëheqësve të rinj. Për kancelaren do të jetë kjo një sprovë e re.

Autor: Peter Stützle

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 20.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OPqr
  • Data 20.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OPqr