1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelarja Angela Merkel në kërkim të partnerit të ri të koalicionit

Partitë e unionit konservator CDU/CSU dhe SPD zhvilluan bisedimet e sondazhit për mundësinë e një koalicioni të gjerë. Eshtë rënë dakord për bisedime të mëtejshme. Këtë javë zhvillohen bisedime sondazhi me ekologjistët.

Unioni konservator CDU dhe CSU (kristiandemokratë / kristianësocial) dolën fitues të qartë të zgjedhjeve më 22 shtator – por atyre u mungojnë vetëm pesë mandate për një shumicë absolute. Meqënëse një qeveri minorance konsiderohet e pamundur dhe liberal-demokratët (FDP) kanë dalë tashmë nga Bundestagu (parlamenti) kancelarja Angela Merkel ka nevojë për një partner të ri për të krijuar një koalicion qeverisës. Për krijimin e mazhorancës së nevojshme unioni CDU/CSU ka dy mundësi ose të krijojë një koalicion me bazë të gjerë me socialdemokratët, ose me partinë ekologjiste „Të Gjelbërit“.

Të enjten (10.10.2013) do të zhvillohen bisedimet e sondazhit me partinë “Të Gjelbërit”. Ndërkohë që partitë e unionit konservator gjatë fushatës elektorale i sulmuan ashpër ekologjistët, tani kanë nisur të dëgjohen tone pajtimi: "Me disa prej ekologjistëve mund të bisedohet mirë“, tha kryetari i CSU-së Horst Seehofer duke përmendur me emër vetëm kryeministrin e landit të Baden-Vurtembergut Winfried Kretschmann. Kretschmann do të marrë pjesë në bisedimet e sondazhit. Ekologjistët e kanë bërë të qartë, se ndonëse do të bisedojnë seriozisht me CDU/CSU, nuk do të pranojnë asnjë manovër taktike, që mund të nxiste konfliktin mes tyre dhe socialdemokratëve. Para bisedimeve të sondazhit politikanët drejtues të unionit CDU/CSU i venë kushte ekologjistëve për një koalicion të mundshëm qeveritar. "Shanset për aleancë me ekologjistët gjatë ditëve të fundit‚ teorikisht‘ janë shtuar‘, i tha revistës „Spiegel“ ministri i Mjedisit Peter Altmeier, duke shtuar „por tek e fundit këto kushte duhet të kenë kuptim“. Tema e taksave do të luajë një rol qendror. Kandidatja e ekologjistëve për postin e kryetares së grupit parlamentar, Kerstin Andreae, theksoi, se në bisedimet e sondazhit me CDU/CSU për partinë e saj në plan të parë do të jenë çështjet ekologjike.

Bisedimet e sondazhit mes CDU/CSU dhe SPD konstruktive

Në një mjedis neutral në amjbentet e shoqatës parlamentare në Berlin 21 të deleguarit e partive të unionit konservator CDU /CSU(kristiandemokrat/kristiansocial) dhe SPD (partia socialdemokrate) për herë të parë biseduan, nëse duan të nisin bisedime për koalicionin qeveritar. Tri orë biseduan të deleguarit, përkatësisht shtatë përfaqësues për secilën parti. Delegacionet drejtoheshin nga kryetarët e partive Angela Merkel (CDU), kryeministri i Bavarisë Horst Seehofer (CSU) dhe kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel.

21 të deleguarit e CDU / CSU dhe SPD në bisedimet e sondazhit në Berlin më 04.10.2013

21 të deleguarit e CDU / CSU dhe SPD në bisedimet e sondazhit në Berlin më 04.10.2013

Bisedimet u zhvilluan në një „atmosferë të çlirët“ dhe do të vazhdojnë më 14 tetor, tha sekretarja e përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles, e cila u prononcua e para për median. Kemi pasur pika të përbashkëta me CDU dhe CSU, por edhe çështje për të cilat kemi pikëpamje të ndryshme. „Ne kemi përcaktuar temat në bllok, por nuk jemi ndalur në detaje“, tha Nahles. Janë të nevojshme biseidme të mëtejshme.“ Pika të diskutueshme janë ndër të tjera kërkesa e SPD-së për vendosjen e një page minimale si dhe rritja e taksave.

Edhe partitë e unionit CDU dhe CSU i vlerësuan bisedimet si serioze dhe konstruktive. "Eshtë e arsyeshme të vazhdojmë sondazhin“, tha sekretari i përgjithshëm i CDU-së Hermann Gröhe. Qëllimi i raundit të dytë të bisedimeve të sondazhit do të jetë vendimi për fillimin e bisedimeve të koalicionit.

Rezervat ndaj një koalicioni me bazë të gjerë

SPD është zgjedhja e parë për CDU/CSU, por socialdemokratët në prag të bisedimeve kanë shfaqur rezerva. Ndonëse bashkëpunimi në koalicionin e fundit me bazë të gjerë në vitet 2005 – 2009 funksionoi, prej tij doli e fituar në perceptimin publik partia kristiandemokrate, e cila më pas i fitoi zgjedhjet në 2009, ndërkohë që SPD-ja pësoi një humbje të thellë historike. Shumë socialdemokratë tani kanë frikë, se nën një kancelare të fortë si Angela Merkel një situatë e tillë mund të përsëritet. Në bazën e partisë ka rezerva të forta kundër një koalicioni të ri me bazë të gjerë dhe anëtarët janë ata, që do të duhet të vendosin në fund për një marrëveshje koalicioni.