1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kamionët-smart: kursimtarë e të digjitalizuar

Henrik Böhme/ Lindita Arapi25 Shtator 2014

Biznesi me automjetet e transportit varet shumë nga koniunkturat. Krizat botërore i japin menjëherë efektet e tyre tek porositë e këtyre firmave. Panairi i kamionëve IAA në Hanover megjithatë ka si kryefjalë optimizmin.

https://p.dw.com/p/1DKoO
Fotografi: Daimler AG

Në pamje të parë çdo gjë duket në rregull: Më shumë ekspozues nga shumë vende, më shumë premiera botërore se në panairet e tjera. Shumë risi teknologjike të lenë përshtypje, si për shembull kur një kamion gjigand i telekomanduar nga një kompjuter-tablet futet në vendparkim. Por problemet fillojnë menjëherë pas stendave të panairit: Jo vetëm detyrimet e vëna nga politika për të respektuar normat e emetimit të gazrave i sjellin shqetësime kësaj dege, por edhe lajmet nga rajonet në krizë të botës. Sidomos konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës e rëndon këtë sektor për shkak të sanksioneve.

"Pasojat i ndjejmë"

Matthias Wissman, drejtues i shoqatës së industrisë automobile (VDA) kujton zhvillimin e dobët ekonomik të Rusisë që para krizës, ndërkohë që tani vijnë edhe pasojat e krizës. "Po këto i ndjejmë. Mirë që nuk jemi vetëm të varur nga ai treg. Po qe se shfaqen kriza në rajone të tjera, atëherë nuk i kemi punët mirë. Megjithatë jemi të shqetësuar." Krizat politike gjithmonë kanë efekt në tregje. "Dhe në rastin e Rusisë kjo nuk ka dyshim sigurisht", thotë eksperti i degës së automobilëve.

Studie Volkswagen T6 Tristar
Kamioni i Volkswagen - T6 TristarFotografi: Volkswagen

Problemet e këtij sektori nuk lidhen vetëm me krizën lindore. Përgjithësisht biznezi i kamionëve të mëdhenj dhe automjeteve të transportit nuk po përjeton ditët më të mira,. Firma MAN ka filluar të aplikojë punën e shkurtuar. Daimler nuk ka arritur në këtë fazë, por megjithatë Wolfgang Bernhard, drejtues i sektorit të automjeteve të transportit thekson se në shumë vende shfaqen probleme: Biznesi me Brazilin nuk po zhvillohet ashtu si pritej, ndërkohë që ai me Argjentinën ka pësuar kolaps, madje edhe brenda Gjermanisë blerësit e kanë shtrënguar dorën.

Masa për ditë të vështira

Në bisedë më Deutsche Welle, Bernhard thotë se nuk janë të qarta ende arsyet e kësaj krize, por e rëndësishme është të "mos shkojmë drejt e me marshin e fundit e të përplasemi me krizën, po qe se do të përballemi me të." Në prodhim po shikohet që tani të hiqet këmba nga pedali i gazit, të mos prodhohet më shumë, me qëllim që të mos krijohen rezerva të panevojshme. Sipas Bernard "shpresohet që deri në fund të vitit të kemi një rigjallërim të biznesit, por edhe panairi i IAA-s pritet të sjellë disa impulse. Shpresa kryesore është në vitin 2015 të dalim nga kjo gjendje."

Më optimist shprehet Eckhard Schulz, drejtori i degës së automjeteve të transportit tek Volkswagen. "Këtë vit nuk kemi pasur probleme. Dhe po punojmë që kjo valë të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm." Schulz thotë se ata po i vëzhgojnë tregjet në mënyrë intensive në mënyrë që të reagohet në kohën e duhur, si për shembull në Brazil, ku po paraqiten probleme.

Goma makine ekologjike
Goma makine ekologjikeFotografi: Continental

Kamioni i së ardhmes

Vokswagen ka në sirtar gati edhe autoveturën elektrike: Një alternativë e mirë për shërbimet e postës dhe paketave apo të picerisë. Në Hanover megjithë këto probleme, mund të shohësh risi teknologjike mjaft interesante në fushën e automjeteve të transportit. "Future truck" i Daimlerit - kamioni i së ardhmes, i cili drejton makinën, pa pasur nevojë për shoferin, tani ende një vizion i së ardhmes. Apo një kamion gjigand që parkon vetë, ndërkohë që shoferi qëndron jashtë dhe vetëm e komandon.

Këto risi janë zhvilluar nga inxhinerët e firmës "ZF Friedrichshafen", vetë një firmë furnizuese e njohur në treg, dhe e debatuar për shkak të një blerjeje miliardëshe të një firme amerikane. Drejtori i firmës, Stefan Sommer thotë se duhet të qëndrojmë në krye të renditjes, prandaj e zgjodhëm këtë rrugë." ZF me këti hap kërkon të mbetet e rëndësishme në tregjet botërore në fushën e teknologjive të së ardhmes. Edhe tek automjetet kryefjala e së ardhmes është: Të drejtosh kamionin me sa më pak benzinë dhe me më shumë siguri përmes autopilotit, me më shumë digjitalizim dhe më shumë efiçiencë.