1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kakofoni në Pragë - Drita jeshile për Marrëveshjen e Lisbonës mund të kthehet në dritë të kuqe

Pakti i Lisbonës mund të ratifikohet nga parlamenti çek. Këtë e vendosi të mërkurën Gjykata Kushtetuese e vendit. Megjithatë presidenti Vaclav Klaus vazhdon të flasë kundër paktit dhe do të refuzojë nënshkrimin e tij.

default

Pamje nga Praga

Fjalët që përdori pasi mësoi për vendimin Presidenti i kishte zgjedhur me kujdes. Ato tregojnë se muajt e ardhshëm nuk pritet ndonjë gjë e mirë. Gjykata Kushtetuese çeke sapo pati argumentuar në një vendim të saj se nuk ekziston asnjë kontradiktë midis Paktit të Lisbonës dhe kushtetutës çeke, kur Vaclav Klaus doli para mikrofonëve dhe deklaroi se vendimi i gjykatës ka natyrë politike dhe jo juridike. Gjykatësit janë dominuar nga një ose dy kolegë, dhe nuk kanë patur guximin të japin mendimin e tyre kundër.


Këtë e thotë një kryetar shteti për Gjykatën Kushtetuese të vendit të vet. Vetë çekët duhet të shqetësohen për këto thënie të tij, sepse ato nuk kanë të bëjnë vetëm me të ardhmen e Evropës dhe funksionimin e Bashkimit Evropian. Në fund të fundit edhe Pakti i Lisbonës nuk ka të bëjë vetëm me këto çështje. Përveç kësaj Çekia merr pas 1 janarit presidencën e rradhës së BE-së. Për Çekinë është e vështirë që të fillojë këtë detyrë me ngarkesa të tilla: Pakti i Lisbonës nuk është ratifikuar ende dhe presidenti i vendit i jep verbalisht një goditje të tillë.


Nuk është se prej Çekisë pritet të japë kontribut të njëjtë me atë të një shteti të madh. Por ajo që mund të pritet është sidoqoftë që qeveria dhe presidenti i vendit të flasin me të njëjtin zë. Por kjo nuk po ndodh në Pragë. Qeveria konservatore ka rënë dakord me socialdemokratët, që gjatë presidencës së rradhës së BE-së të qëndrojnë në paqe. Së bashku ata duan të kalojnë Paktin e Lisbonës në parlament, sa më shpejt të jetë e mundur. Por kjo nuk mund të ndodhë, sepse Vaclav Klaus është kundër. Profesori neoliberal i ekonomisë e ka halë në sy BE-në, pikërisht kur bëhet fjalë për integrimin e mëtejshëm. Ajo që kërkon ai është komuniteti evropian i viteve gjashtëdhjetë. Ai thekson herë pas here se gjërat e tjera janë të tepërta. Për një kohë të gjatë ai ka pasur edhe mbështetjen e pjesës më të madhe të popullsisë. Por tani ata nuk janë më dakord me të. Në sondazhe është treguar, se shumica e çekëve janë të mendimit se Vaclav Klaus dëmton vendin kur del kundër mendimit të qeverisë dhe popullit.


A mund të bëhet diçka kundër? Qeveria çeke nuk mund t`i mbyllë gojën Presidentit, edhe nëse do të donte ta bënte këtë. Sipas kushtetutës ai ka kompetenca të caktuara në politikën e jashtme, dhe mandati i tij zgjat deri më 2013. Tjetra që ai do të bëjë është ratifikimi i Paktit të Lisbonës në një mënyrë tjetër. Klaus është instanca e fundit në Çeki, ai duhet të nënshkruajë Dokumentin e ratifikimit. Ai ka lënë të nënkuptohet se do ta nënshkruajë atë vetëm kur irlandezët të kenë thënë po në një referendum të dytë.


Përmbledhje: Ne na duhet të mësohemi me prezencën në media të skeptikut ndaj BE-së Klaus, të paktën për periudhën kur Çekia të mbajë presidencën e rradhës së BE-së. Por ne duhet edhe të dimë, se ky njeri nuk flet as për vendin e tij, as për qeverinë e tij por vetëm për veten e tij.


  • Data 27.11.2008
  • Autor Peter Hornung
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G3Mz
  • Data 27.11.2008
  • Autor Peter Hornung
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G3Mz