1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kakofoni evropiane!"

Baha Güngör17 Tetor 2013

BE lëvdon paketën e demokratizimit në Turqi dhe kritikon polarizimin e shoqërisë. Por megjithë kritikat negociatat e anëtarësimit duhet të vazhdojnë, mendon redaktori i DW, Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/1A1Rg

Kur është fjala për Turqinë, në kraharorët e njohësve dhe miqve evropianë të këtij vendi aspak të lehtë për t'u trajtuar, rrahin gjithnjë dy zemra: njëra gëzohet për vlerësimin e qartë për "hapa pozitivë" në raportin e fundit të progresit të BE-së. Paketa e demokratizimit e kryeministrit Rexhep Taip Erdoan vlerësohet e lëvdueshme. Por zemra e dytë qan për shkak të kritikave në raport: BE kritikon një polarizim të rrezikshëm të shoqërisë turke dhe kufizimet antidemokratike të lirisë së shtypit dhe mendimit. Veçanërisht qëkurse demonstrimet kundër Erdoganit në metropolet turke u shoqëruan nga dhuna e tepruar policore, janë shtuar dyshimet për seriozitetin e Ankarasë në aspiratën për t'u bërë pjesë e BE-së.

Baha Güngör, Leiter der Türkischen Redaktion der DW
Baha Güngör

Por megjithë kritikat ndaj deficiteve demokratike në Turqi, vazhdimi i negociatave për anëtarësim nuk duhet të vihet në pyetje. Pa negociata anëtarësimi BE nuk gëzon të drejtën të informohet vazhdimisht për pretendimet dhe realitetin në Turqi. Në fund të fundit BE nuk mund të heqë dorë lehtë nga Turqia. Vendi që shtrihet në një rajon të ndjeshëm politikisht ka rëndësi thelbësore për Evropën.

Të martën e ardhshme (22.10.2013) në Bruksel do të takohen ministrat e Jashtëm të BE-së. Do të ishte e rëndësishme që ata të vendosnin përfundimisht hapjen e Kapitullit 22 (politika rajonale), ashtu si ishte planifikuar që përpara protestave në Turqi. Edhe pse deri tani nga gjithsej 35 kapitujt e negociimit janë hapur vetëm një duzinë dhe është mundur të mbyllet vetëm një (shkenca dhe puna kërkimore), dy të tjerë duhet të vihen së shpejti në fokus: kapitujt që lidhen të drejta themelore dhe politikën juridike. Ata do të mundësonin sqarime për kushtet reale në Turqi dhe projektet për përmirësimin e planeve të tjera për demokratizim.

Asnjë alternativë tjetër

Në politikën e BE-së për Turqinë dallohet nganjëherë një kakofoni, që të vret veshët. Kërkesa për një ndërprerje të negociatave do të godiste megjithatë pikërisht ato forca demokratike, që demonstrojnë për një opozitë të fortë kundër ashpërsisë së Erdoganit ndaj atyre, që mendojnë ndryshe dhe për më shumë të drejtë fjale në formësimin e së ardhmes së vendit dhe që nuk zmbrapsen as nga dhuna më e ashpër policore. Një alternativë ndaj politikës së sjelljes së arsyeshme me Turqinë, BE nuk ka. Thirrjet për masa drakonike për dënimin e vendit nuk ndihmojnë.

Në Turqi askush nuk dyshon më që vendi nuk do mund të anëtarësohet së shpejti në BE. Raporti i fundit i progresit ka eliminuar megjithatë dyshimet rreth vullnetit të Brukselit për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit. BE dhe Turqia duhet të vazhdojnë të punojnë për të reduktuar qëndresat kundër një afrimi të mëtejshshëm të vendit me vlerat dhe normat evropiane. Parë nga ky këndvështrim Turqia duhet t'i analizojë me të njëjtin seriozitet, që ka BE në hartimin e tyre, raportet e progresit dhe të nxjerrë prej tyre motivacionin për reforma të mëtejshme. Ndryshe vlerësimet e ardhshme të Brukselit do të kthehen në një rutinë pa vlerë.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17163383,00.html