1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kairo: Demonstrata pas vendimit të gjykatësit për Mubarakun

Pas ndërprerjes së procesit gjyqësor kundër ish-presidentit Hosni Mubarak, forcat egjiptiane të sigurisë kanë vepruar me dhunë kundër kundërshtarëve të Mubarakut. Dy vetë u vranë, nëntë demonstrues u plagosën.

Në afërsi të Sheshit Tahrir, në qendër të Kairos, e shtunë në mbrëmje: skena si në pranverë 2011, në protestat kundër pushtetmbajtësit Hosni Mubarak: demonstrues të zemëruar, gaz lotsjellës, ujëhedhës, arrestime...

Dhe me të vërtetë sërish fjala qe për Hosni Mubarakun. Një gjykatë në Kairo rrëzoi të shtunën në mëngjes një padije kundër 86 vjeçarit në një rast të rëndësishëm. Në procesin e apelimit do të diskutohej për vrasjen e qindra vetëve, të cilët protestuan në fillim të vitit 2011 kundër sundimit 30 vjeçar të Mubarakut. Për këtë shkak, ish-presidenti u dënua njëherë në vitin 2012 me burgim të përjetshëm, por një gjykatë kasacioni e pati anuluar sërish vendimin. Kryegjykatësi deklaroi tani se ai është i detyruar ta refuzojë aktpadijen për shkaqe formale: mungon baza ligjore për ta nxjerrë para gjyqit Mubarakun për vrasjen e qindra vetëve. Dhe kryegjykatësi theksoi se refuzimi i aktpadijes nuk do të thotë se Mubaraku është i pastër nga çdo lloj faji. E njëjta gjë vlen edhe për shtatë të akuzuarit e tjerë bashkë me të, midis tyre edhe ministri i Brendshëm. Nga ana tjetër, i pafajshëm u shpall Mubaraku dhe djemtë e tij nga akuza se kanë shpërdoruar para të shtetit.

Mungojnë ligjet

Në të dyja rastet, gabimi është tek sistemi, thonë edhe politikanë e ekspertë që nuk mund t'i quash mbështetës të Mubarakut. Në të drejtën penale egjiptiane thjesht mungojnë ligjet, të cilat do t'u mundësonin gjykatave të ndëshkonin vrasje masive dhe shpërdorim të parave shtetërore. Ligjet duhet të reformohen urgjentisht ose të hartohen, kërkojnë ata.

Nga njëra anë, mbështetësit e Mubarakut u gëzuan për vendimin e gjykatës, pavarësisht se idhulli i tyre hë për hë nuk pritet të lirohet nga burgu; në një proces tjetër gjyqësor Mubarakun e kanë dënuar për korrupsion me tri vjet heqje lirie. Në anën tjetër pati protesta të forta kundër vendimeve të gjykatësve. Një qytetar u shpreh "jam tepër i zemëruar. Vërtet që nuk mora pjesë në protestat në janar/shkurt 2011. Por miq dhe vëllezër të mi u vranë në ato protesta. Kur dëgjova sot në mëngjes vendimet e gjykatësve, u shokova."

Sido që të jetë, vendimet e gjykatësve pritet të çojnë ujë në mullirin e atyre që thonë se në Egjipt po riforcohen strukturat e vjetra. Me ardhjen në pushtet të Feldmarshall Abdelfatah al-Sisit, sipas kritikëve gjithnjë e më shumë anëtarë të kastës së vjetër po vijnë në pozicione drejtuese. Kështu që vendimet e fundit për Mubarakun mund të shkaktojnë trazira të reja.