1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kadri Veseli: Nuk ka ftohje në raportet me Gjermaninë

Intervistë ekskluzive me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në bisedë me Deutsche Wellen,Veseli flet për vizitën në Berlin, punën e Parlamentit, gazin lotsjellës...

Kadri Veseli

Kadri Veseli

Deutsche Welle: Zoti kryetar i Parlamentit të Kosovës, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Berlin?

Kadri Veseli: Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte pjesëmarrja në Konferencën e koalicionit për luftimin e antisemitizmit. Në këtë konferencë morën pjesë 150 personalitete të njohura nga më shumë se 30 vende të ndryshme të botës. Shumica prej tyre ishin përfaqësues të parlamenteve dhe parlamentarë. Në këtë konferencë u theksua domosdoshmëria e luftimit të dukurisë së antisemitizmit dhe urrejtjes, dhe u nënvizua rëndësia e ndërtimit të raporteve të mira ndërnjerëzore dhe e bashkëpunimit në luftën globale kundër fenomeve të tilla negative.

DW: Z. Veseli, në Berlin ju patët takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme. Por keni pasur shtrëngime duarsh dhe bisedime të shkurtëa edhe me kancelaren Merkel dhe disa politikanë të nivelit të lartë gjermanë. A keni vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, në veçanti në perpsektivën e zhvillimeve të fundit dhe dhunës në Parlament?

Kadri Veseli: Gjermania është një nga shtetet më mike të Republikës së Kosovës në fushën e promovimit dhe konsolidimit të shtetit sovran, në fushën e njohjeve të Kosovës dhë në përkrahjen e shtetit ligjor dhe forcimin institucional të Kosovës. Por njëkohësisht nga miqtë tanë ndërkombëtarë ka dhe kërkesa për forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e gjendjes ekonomike, vazhdimin e procesit të komunikimit dhe dialogut në Bruksel si dhe vazhdimin e proceseve integruese evropiane - që janë sfida të mëdha për shtetin tonë. Askush nuk i mirëpret ngjarjet e fundit në Kosovë, mosmarrëveshjet mes nesh, dhunën në rrugë dhe institucione. Por më e rëndësishmja për ne është që nuk ka ndonjë ftohje në raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës. Përkundrazi, ka përkrahje shumë të fuqishme por edhe kritika plotësisht të arsyeshme.

DW: Gjermania shumë shpesh ka kërkuar qartë që në Kosovë të vendoset sundimi i ligjit, të krijohet baza ligjore për funksionimin e shtetit juridik dhe që problemet të zgjidhen me marrëveshje. Jeni ju në gjendje t'i realizoni këto kërkesa?

Kadri Veseli: Ato nuk janë vetëm kërkesa të miqve tanë, në krye me SHBA dhe Gjermaninë. Por janë standarde që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve tanë. Forcimi i shtetit ligjor e përmirëson kualitetin e jetës së qytetarëve tanë. Forcimi i ligjit në Republikën e Kosovës krijon një standard, pas të cilit mund t'i ftojmë investorët e huaj që të investojnë në Kosovë. Investimet e huaja kanë si rrjedhojë përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe standardit të jetës së familjeve tona dhe qytetarëve tanë. Ne kemi nevojë shumë të madhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe për përmirësimin e gjendjes së rinisë, e cila në Kosovë përbën 70% të popullatës. Këto nuk janë pra vetëm kërkesa të miqve por nevoja të Kosovës, për të cilat në mënyrë imediate duhet të punojnë të gjithë, sepse kjo është rruga e vetme e perspektivës sonë të sigurt.

DW: Parlamenti është institucioni ku krijohet baza ligjore për një shtet juridik dhe për realizimin e këtyre nevojave. Ndërkohë që Parlamenti i Kosovës është pak a shumë i bllokuar më shumë se gjashtë muaj. Asnjë seancë në këtë periudhë nuk është mbajtur në kushte normale. Çfarë do të ndërmerrni Ju për normalizimin e punës së Parlamentit?

Kadri Veseli: Në radhë të parë, duhet të intensifikojmë përpjekjet për komunikimin mes nesh, pra mes pozitës dhe opozitës. Nuk ka demokraci të fuqishme pa pjesëmarrjen dhe rolin e opozitës. Por edhe opozita duhet ta kuptojë rolin e saj institucional për zhvillimin e shtetit. Ne të gjithë - pozita dhe opozita - duhet të orientohemi veçanërisht në projektet e zhvillimit ekonomik. Prioritetet e Kosovës duhet të jenë forcimi i shtetit ligjor, rritja e transparencës, rritja e investimeve të huaja dhe vendore dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike. Kjo është rruga jonë dhe ne jemi të vendosur që Repuiblika e Kosovës të jetë pjesë e proceseve evropiane. Në një të ardhme të afërt, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza në BE dhe ata duhet të jenë krenarë me shtetin e tyre demokratik dhe të zhvilluar ekonomikisht.

DW: Zoti kryetar, këto janë prioritete, të cilat nuk do të arrihen shpejt. Por edhe njëherë: si e ndjeni veten, Ju personalisht, kur në çdo seancë të Kuvendit duhet të përballeni me gaz lotsjellës dhe me përjashtime të deputetëve të opozitës?

Kadri Veseli: Nuk është me rëndësi si ndjehem unë personalisht apo si ndjehet ndonjë deputet. Me rëndësi është mesazhi që e dërgojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanarisht tek ata të cilët na kanë ndihmuar në të gjitha proceset. Ne të gjithë duhet bashkarisht shumë shpejt ta ndryshojmë kursin tonë - si pozita ashtu edhe opozita. Duhet të zhvendosemi nga politika e thatë, e cila ka të bëjë vetëm me stereotipet patriotike, të cilat janë tejkaluar në botën moderne. Duhet të heqim dorë nga meritokracia dhe duhet të kalojmë në një patriotizëm dhe fanatizëm, i cili lidhet drejtpërdrejt me dashurinë ndaj vendit tonë dhe me angazhimin për zhvillimin dhe forcimin e shtetit tonë. Një shtet ligjor i zhvilluar ekonomikisht na bën të gjithë neve të ndjehemi krenarë me Kosovën dhe na bën më të respektuar në bashkësinë ndërkombëtare.

DW: Si është e mundur që në Parlament të futet kaq shumë gaz lotsjellës?

Kadri Veseli: Kjo është një çështje, të cilën e kemi biseduar bukur shumë. Unë nuk dua të futem në debatet e një dështimi institucional nga forcat, të cilat e kanë pasur atë përgjegjësi. Ta lëmë gazin lotsjellës, si pjesë e së kaluarës. Le të jetë mësim nga pësimi. Më i rëndësishëm se gazi lotësjellës është ajo çfarë duam ne: opozita duhet të orientohet në projektet e mirëfillta që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve tanë dhe jo tek projektet e së kaluarës, sepse me fjalë të thata dhe me akuza nuk i bëjnë nder as vetes dhe as neve.

DW: Zoti Veseli, megjithatë Ju jeni kryetar i Parlamentit dhe mbani përgjegjësi për funksionimin e mirë të tij. Kush e ka përgjegjësinë për futjen e gazit lotësjellës, sepse njerëzit në Kosovë duan që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi dhe që ata që kanë bërë lëshime të përgjigjen para drejtësisë - pavarësisht se a janë policë apo deputetë?

Kadri Veseli: Unë si kryetar i Kuvendit mund të them se i kam kryer të gjitha përgjegjësitë e mia në mënyrë ligjore, me qëllim që të krijohen kushte që pozita dhe opozita të kenë mundësi që në dhomën e Kuvendit të mbajnë debate dhe të nxirren ligje. Sa i përket përgjegjësisë: Ju keni të drejtë, sepse qytetarët kanë të drejtë që të kërkojnë zgjidhjen e këtyre problemeve dhe që ato të mos përsëriten më. Nuk kam dëshiruar në asnjë moment të ngre akuza dhe nuk kam dashur të kërkoj përgjegjësi. Por secili duhet të mbajë përgjegjëinë për veprat e tij, sepse gjërat e tilla nuk mund të tolerohen pafund në organin më të lartë të Kosovës.

DW: Jam shumë dakord me Ju, sepse ju në Kuvend nuk jeni duke i dhënë popullit një shembull fare të mirë. Të kalojmë tani tek një çështje tjetër: pse nuk jeni të gatshëm të shkoni në zgjedhje të parakohsme dhe të rikonfirmoni legjitimitetin tuaj në pushtet?

Kadri Veseli: Ne jemi të gatshëm të komunikojmë me opozitën, jemi të gatshëm për çdo lloj marrëveshjeje, e cila e repsekton verdiktin e popullit, vullnetin dhe interesat e qytetarëve. Por nuk jemi të gatshëm të futemi në një aventurë, e cila ka për qëlim delegjitimimin e një procesi demokratik, siç ishin zgjedhjet e vitit 2014. Këto zgjedhje janë vlerësuar ndërkombëtarisht si zgjedhje të cilat i kanë plotësuar standardet më të larta demokratike. Ne nuk mund të futemi në një proces, të cilit nuk i dihet fundi. Më vjen keq që duhet ta them, por opozita me sjelljet e saj lë të kuptohet se, jo vetëm që nuk do të njoh verdiktin e popullit, por ajo ka shkuar edhe një hap më tej, duke e marrë primatin e çdo qëndrimi institucional dhe nacional për çdo çështje. Kjo është e papranueshme për ne dhe kjo është e dëmshme për demokracinë e vendit. Por po e përsëris edhe njëherë: ne duhet të komunikojmë mes vete, të ulemi bashkarisht dhe të merremi vesh për të gjitha gjërat dhe më pas mund të marrin edhe hapa të tjerë. Por me marrëveshje dhe kurrësesi jo me dhunë dhe veprime të cilat nuk janë të lejueshme në një vend demokratik.

DW: Do të thotë zgjedhje nuk do të ketë si pasojë e dhunës në Parlament apo në rrugë?

Kadri Veseli: Zgjedhjet e reja nuk mund të provokohen përmes precedenit të dhunës, sepse kjo do të krijohej si model. Gjithmonë do të kishim të njëjtën situatë: kur opozita mund të përdorë dhunë dhe duhet të shkojmë në zgjedhje. Kjo është e papranueshme.