1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270110 Kabul London

28 Janar 2010

Tetë vjet pas rrëzimit të talibanëve pala afgane dëshiron të negociojë në të njëjtin nivel me vendet donatore. Presidenti Karsai akuzon shumë donatorë dhe vende donatore për një politikë të dështuar në Afganistan.

https://p.dw.com/p/LigM
Presidenti afgan Hamid Karzai
Presidenti afgan Hamid KarzaiFotografi: AP

Konferenca e Londrës për Afganistanin (28.01.2010) cilësohet nga qeveria afgane si orientuese për vendin dhe të gjithë rajonin. Kabuli dëshiron që të ketë ndikimin e vet në ndërtimin e së ardhmes. Afganët duan të trajtohen më në fund si partner i barabartë. Presidenti Hamid Karsai do ta theksojë këtë pretendim, duke paraqitur në Londër një plan të vetin për paqen.

Vahid Omar, zëdhënës i Presidentit, shpjegon kërkesat më të rëndësishme të Kabulit: "Qeveria afgane dëshiron nga njëra anë të këtë më shumë fushë manovrimi, që të mund të veprojë si aktori më i rëndësishëm politik i vendit. Nga ana tjetër ne kemi synim, që të riintegrojmë përsëri talibanët në strukturat e shoqërisë afgane. Përveç kësaj jemi për bashkëpunimin e ngushtë rajonal."

Bisedime në vend të luftimeve

Prej disa muajsh parrulla e qeverisë afgane është bisedime në vend të luftimeve. Pjesë të tëra të talibanëve janë të gatshëm të negociojnë me Kabulin për një marrëveshje paqeje. Qeveria afgane kërkon përveç kësaj, që emrat e shumë udhëheqësve talibanë të hiqen nga listat e zeza të terroristëve të kërkuar nga SHBA. Më tej presidenti afgan do të hapë në Londër një diskutim, siç thotë ai, të ndershëm për problemin e korrupsionit.

Një nga konferencat për ndihma për Afganistanin, Hagë, 31 mars 2009
Një nga konferencat për ndihma për Afganistanin, Hagë, 31 mars 2009Fotografi: AP

Kritika e Karsait është se vendet donatore e kanë dobësuar qeverinë afgane me veprimin e tyre shpesh arbitrar dhe i kanë hapur dyert korrupsionit. "Në çdo vend, ku organizatat e huaja kanë pushtet më të madh se qeveria, do të ketë kaos dhe korrupsion. Prandaj ka rëndësi të madhe, që pushteti i vertetë të jetë te qeveria.“ Karsai i shumëkritikuar hidhet pra para konferencës për Afganistanin në Londër në ofensivë. Ai akuzon vendet donatore se nuk kanë bërë sa duhet për ngritjen e forcave afgane të sigurisë.

Ide për ushtrinë dhe policinë afgane

Ekspertët ushtarakë të Kabulit bëjnë këtë llogari. Me shumën, me të cilën NATO-ja financon një ushtar në vit në Afganistan, qeveria afgane mund të përgatisë dhe të armatosë 60 ushtarë vendas. Ky qëndrim i Kabulit deri tani nuk është marrë shumë parasysh. Kjo tani do të ndryshojë. Gjenerali Zaher Azimi, zëdhënës i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, flet për një orientim të ri në shumë shtete të NATO-s dhe i saktëson kërkesat e qeverisë: "Ne na duhet momentalisht një ushtri me 240 mijë ushtarë dhe 160 mijë forca policore. Përveç kësaj na duhet një garanci financimi për 20 vjetët e ardhshëm."

Në rast se këto kërkesa plotësohen, shton Azimi, trupat ndërkombëtare do të tërhiqen gradualisht nga Afganistani. Si ekspert ushtarak ai vë theksin edhe në një pikë tjetër, të cilën e konsideron vendimtare për suksesin e misionit në Afganistan: "Ne duhet të shfarosim vatrat e terrorit jashtë Afganistanit. Pa këtë hap paqja në Afganistan nuk do të ketë të ardhme.“

Luftë vatrave të terrorit jashtë Afganistanit

Me vatrat e terrorit jashtë Afganistanit qeveria afgane ka parasysh rajonet kufitare pakistaneze, të cilat konsiderohen si zona, ku tërhiqen talibanët dhe luftëtarët e Al-Kaidës. Nëse Kabuli do të këtë sukses me kërkesat e tij në Londër, kjo mbetet të shihet. Drejtuesi i delegacionit afgan dhe ish-ministri i Jashtëm, Rangin Dadfar Spanta, shprehet më shumë optimizëm: "Në prag të konferencës ne kemi pasur konsultime me aleatët tanë, unë mund t'ju them se në shumë drejtime ka të përbashkëta ndërmjet nesh dhe aleatëve."

Autor: Ratbil Shamel/Ina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani