1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kabul: Nuk ka garanci për siguri

Sulmi ndaj organizatës humanitare "Operation Mercy" në Kabul i ka gjetur reporteret tona Sandra Petersmann dhe Birgitta Schülke-Gill në zonën e krizave. Ja çfarë raportojnë nga vendi i ngjarjes.

Të thelluara në punën tonë. Dëgjojmë me vëmendje. Lexojmë vendimet për dëbim. Amiri, Nuri, Mujtaba dhe Isa flasin për frikën nga ajo që i pret në Kabul. Në kryeqytetin e Afganistanit jemi së bashku me të dëbuarit nga Gjermania, kur vjen lajmi i tmerrshëm për sulmin ndaj organizatës suedeze humanitare "Operation Mercy". Tmerrohemi sepse të tmerrshme janë të gjitha sulmet - në Kabul, Paris, Bruksel, Berlin...

Detajet janë ende të paqarta. Por telefonojmë në Kabul, ndërsa nga rrjetet sociale marrim vesh për ato që raportojnë kolegët afganë. Njoftojmë familjet tona se ne jemi mirë. Miq dhe kolegë na dërgojnë SMS, shkruajnë në Whatsapp. Të dëbuarit e kuptojnë mirë gjermanishten dhe ndjekin bisedat tona me familjet në Gjermani. Mujtaba dhe Isa na shprehin keqardhje. Flasim me kreyeredaktoren e Deutsche Welles dhe të ngarkuarin për siguri dhe veprojmë sipas sugjerimeve.

Sulmi kishte pikësynim të huajt

Sulmi kishte për synim të huajt kësaj radhe. Objektiv ishte një kompleks banimi dhe organizatat e ndihmave. Një roje afgane dhe një ndihmëse gjermane janë vrarë. Një ndihmëse nga Finlanda është rrëmbyer. Ky është sulmi i parë i drejtuar vetëm kundër të huajve në Kabul. Por shumica e sulmeve kanë për synim civilët. Prej fillimit të vitit në Kabul ka pasur të paktën shtatë sulme të rënda, me disa qindra viktima. Sulmet i kanë kryer talibanët apo "Shteti Islamik".

Ditët e kaluara kemi përjetuar një Kabul të qetë. Dielli ndiçonte tërë kohën në qiellin e pastër. Njerëzit, me të cilët bisedonim ishin shumë të dashur dhe të hapur. Sa mashtruese është kjo qetësi, tregon edhe sulmi i fundit.

Në Kabul nuk ka kurfarë garance për siguri. Një vend që sot duket i sigurt, nesër mund të jetë objektiv sulmi. Punëdhënësi na jep këshilla të sakta për sigurinë, të cilave u përmbahemi. Sillemi ashtu siç na thotë zemra dhe mendja. Dhe kaq.

Terrori dhe dhuna e përditshme

Të gjithë bashkëbiseduesit tanë i pyesim se çfarë mendojnë për SHBA, NATO-n dhe trupat e dërguara në Afganistan. "Çfarë mund të sjellin ato, kur asgjë nuk ndryshon?" "Më e rëndësishmja është që ne afganët të fillojmë më në fund të qeverisim vendin tonë." "Ne duhet të çarmatosim grupet e armatosura dhe të ndërtojmë forcat tona." "Ushtarët e huaj nuk na duhen, nëse nuk futen në luftime." "Neve na duhet siguria dhe shkollimi."

Përgjigjet dallojnë shumë, por një gjë është e qartë: askush në Kabul nuk ndjehet tërësisht i sigurt. Të gjithë jetojnë me rrezikun dhe panjohuritë - si do të vazhdojë jeta. Dëgjojmë edhe këtë fjali: "Kur largohemi në mëngjes nga shtëpia, nuk e dimë nëse në mbrëmje do të kthehemi. Por nuk mund të rrimë vetëm në shtëpi."

Terrori dhe rreziqet janë pjesë e jetës së përditshme në Kabul. Ndërkohë që duhet shtuar edhe kriminaliteti i bandave, rrëmbimet dhe dhuna, që janë bërë pjesë e përditshmërisë. Afganistanin dhe Kabulin i njohim nga udhëtimet e shumta në këtë vend. Prezenca ushtarake e huaj këtu i ka mundësuar këtij vendi përparim dhe hapje, por jo paqe dhe siguri.

 

Sandra Petersmann dhe Birgitta Schülke-Gill