1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka kaluar koha e Mubarakut

3 Shkurt 2011

Pas protestës paqësore të ditës së martë, të mërkurën në Egjipt sërish ka shkallëzuar dhuna. Në Berlin ndërkohë mendohet se Mubaraku nuk do të mbetet në pushtet deri në shtator.

https://p.dw.com/p/109aA
Sërish kaos në Egjipt.Fotografi: AP

Pas 30 vitesh duket se në Egjipt po i vjen fundi epokës së presidentit Hosni Mubarak. Ai ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Në sfond po zhvillohen negociata për ndryshimin e sistemit. Por kundërshtarët e tij kërkojnë në rrugë ndryshime të shpejta. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle i përshëndeti kërkesat e ditës së martë.

"Demonstratat paqësore në Kajro dhe Aleksandri na kanë impresionuar thellë. Në rrugë është manifestuar vullneti për liri, që ka mbështetjen e qartë gjermane", tha ai.

Ndryshimet duhet të bëhen tani dhe jo të shtyhen

Berlimin mendon se ndryshimet duhet të bëhen shpejt. Por ministri i Jashtëm gjerman nuk përgjigjet qartë në pyetjen nëse mbetja e Mubarakut në pushtet deri në shtator paraqet ndonjë pengesë për reforma.

Guido Westerwelle Pressekonferenz Ägypten
Guido Westerwelle flet me ton diplomatik, por mbështet ndryshimet demokratike.Fotografi: AP

"Se kush cilin rol duhet ta luajë në këto ndryshime, është një çështje që duhet të zgjidhet në Egjipt përmes dialogut mes udhëheqësve të mendimeve të ndryshme. Ne mbështesim një zgjidhje paqësore. Ne nuk jemi gjykatës por avokatë të një çështje të lartë, të demokracisë", thotë ai

Bashkimi Evropian do të ndihmojë në ndërtimin e organeve juridike dhe aftësimin për organizimin e zgjedhjeve. Qeveria gjermane po zhvillon konsultime me përfaqësuesit e mendimeve të ndryshme, me qeverinë egjiptiane, kundërshtarët prominentë të Mubarakut si Mohammed El Baradei dhe me islamistët.

Opozita gjermane kërkon mbështetjen e qartë të demonstruesve

Politikani i opozitës, Jürgen Trittin, i Partisë Ekologjiste, mendon se kjo nuk mjafton. "Momenti i tanishëm duhet të kuptohet si një shans i mrekullueshëm që vëllezërit muslimanë të mbështesin El Baradein. Ata janë të gatshëm për një proces demokratik. Këto zhvillime duhet të mbështeten dhe jo nga frika të mbetemi anash, siç po bën politika e jashtme gjermane", tha ai.

Bundestag stimmt ueber laengere Atomlaufzeiten und Sparpaket ab
Juergen Trittin kërkon politikë edhe më të qartë.Fotografi: dapd

Trittin pohon se qeveria gjermane duhet të ushtrojë presion me qëllim që Mubaraku të tërhiqet. Koha e Mubarakut ka kaluar, mendohet në Berlin ku gati askush më nuk e beson që ai mund të mbetet në pushtet deri në zgjedhjet e shtatorit. Megjithë gjendjen e keqe të të drejtave të njeriut dhe udhëheqjen jodemokratike të qeverisë së Mubarakut, zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert sheh edhe anë pozitive.

"Egjipti megjithatë për 30 vjet me radhë po mban raporte paqësore me Izraelin dhe po mban një qëndrim të moderuar në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është pak në një rajon ku shumë presidentë të vendeve të ndryshme kanë folur për një luftë pa kompromis kundër Izraelit. Egjipti ka bërë një shërbim që bota nuk duhet ta harrojë", thotë Seibert. Berlini në këtë mënyrë ende nuk ka marrë një qëndrim të prerë ndaj të ardhmes së këtij vendi.

Autor Heiner Kiesel/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani