1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ka gënjyer James Murdoch në skandalin e përgjimeve?

James Murdoch, duhet të dalë sërish para komisionit hetimor të parlamentit britanik, lidhur me skandalin e përgjimeve të gazetës bulevardeske “News of the World“, e cila nuk botohet më.

James Murdoch me babain e tij Rupert Murdoch.

James Murdoch me babain e tij Rupert Murdoch.

Situata është e pakëndshme për Murdoch-un e ri. Çfarë ka ditur në të vërtetë shefi i sektorit evropian të bizneseve të News Corporation mbi aktivitetet ilegale të gazetës së skandaleve „News of The World“, botimi i të cilës është ndërprerë ndërkohë? Dhe mbi të gjitha, që kur i ka ditur? Këtë duan të nxjerrin prejt tij, anëtarët e Komisionit të Mediave në Dhomën e Ulët të parlamentit britanik.

James Murdoch, duhet t`ia dalë kësaj here i vetëm. Marrjen në pyetje ai duhet ta përballojë pa të atin, Rupert. Ndryshe nga seanca e zhvilluar në verë, gjatë të cilës Murdoch drejtoi regjinë, duke ia dalë që t`i linte të gjitha pyetjet pa përgjigje.

„Kjo ka qenë dita më poshtëruese e jetës sime", - tha Rupert Murdoch në korrik. Në këtë mënyrë ai mundi të kënaqte deputetët dhe të shpëtonte të birin. Marrja në pyetje u kthye në bisedë komode. Kurse kësaj herë, komisioni do të sillet më ashpër, siç bëri të ditur, James Whittingdale.

Anëtarët e Komisionit kanë dyshimin se Murdoch i riu, nuk ka thënë të vërtetën në verë, se ai nuk ka qenë krejt i paditur, siç pretendoi gjatë marrjes në pyetje. Konkretisht, bëhet fjalë për një letër elektronike, të ashtuquajturin „E-mail për Neville". Ky lajm shihet si dëshmi se praktikat ilegale të përgjimit tek „News of The World“ kanë qënë shumë të përhapura, dhe jo siç thuhet, se me atë janë marrë vetëm disa reporterë, të cilët në mënyrë të paautorizuar kanë përgjuar njerëz prominentë, politikanë dhe viktima të krimeve. Pyetja vendimtare është kur e ka mësuar James Murdoch për këtë E-mail? Për këtë çështje, Murdoch u pyet që në korrik:

Seanca e pyetjeve për Rupert Murdoch në parlamentin britanik, korrik 2011.

Seanca e pyetjeve për Rupert Murdoch në parlamentin britanik, korrik 2011.

„A e keni parë vetë "E-mailin për Neville", apo ju kanë thënë të tjerët për të?"

Përgjigja e James Murdoch ishte: „Jo, në atë kohë nuk e kam ditur!“

Një dëshmi, të cilën e hodhi menjëherë poshtë para komisionit parlamentar një ish punonjës i Shtëpisë britanike të botimit të Murdoch-ut. Një ish kryeredaktor i „News of The World“ si dhe një ish- jurist pretendojnë se James Murdoch e ka ditur për E-mailin që në pranverë të 2008-ës.

James Murdoch këmbëngul se nuk ka ditur asgjë për aktivitetet e ndaluara. Këtë dëshmi do të japë ai edhe të enjten (10.11.).

I biri i mogulit të mediave duhet t`i përgjigjet edhe shumë pyetjeve të tjera, sepse në këtë çështje kanë dalë në dritë shumë detaje të reja. Për shembull një detektiv privat ka thënë se i ngarkuar nga „News of The World“ ka punuar për vite të tëra për mbulimin e prominentëve të ndryshëm, madje edhe të avokatëve të viktimave të skandalit të përgjimit.

Autor: Stephan Lochner / Aida Cama

Redaktoi: E. Xhani