1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ka fituar terrorizmi ndërkombëtar kualitet të ri? - Mbi sulmet me bomba në Bombeí

Seria e atentateve në Bombei të Indisë e ka paralizuar fort jetën publike në metropolin ekonomik ndërkombëtar. Ndjenja e pasigurisë që kanë shkaktuar me këtë terroristët mund të krahasohet me 11 shtatorin 2001

default

Fatkeqsisht qytetet e mëdha të Indisë janë mësuar në njëfarë mënyre në vitet e fundit me terrorizmin. Dhe derisa për një kohë të gjatë ishte bërë rutinë të tregohej me gisht nga Pakistani fqinj sa herë që ndodhnin atentate në Indi, ndërkohë po mbizotëron pranimi i faktit që ekzistzojnë grupe të ndryshme terroristësh indianë, që veprojnë të nisur nga motive të politikës së brendshme. Myslimanë indianë që janë radikalizuar prej diskriminimit dhe prej pogromeve kundër të nxitura nga politikanë hindu; të gjitha grupet speratiste të mundshme, nga Kashmiri deri në verilindjen e vendit; dhe së fundi pikërisht javët e fundit u arrestuan edhe terroristë të supozuar hindu, të cilët mendohet se kanë sulmuar objektiva myslimane, ndër ta ishte madje një oficer ende në detyrë.

Por lloji i atentateve të fundit është ndryshe. Sulme të njëkohësishme mbi një sërë "objektivash të buta", kjo të çon tek al-Kaida. Organizimi i jashtëzakonshëm për të goditur në mënyrë të bashkërenduar në kaq shumë vende me kaq shumë atentatorë mendohet se i mbingarkon grupet me agjendë lokale ose kombëtare. Edhe përzgjedhja me sa duket e qëllimshme e pengjeve amerikane, britanike dhe izraelite ngjan me synimet e terroristëve ndërkombëtarë.

Prandaj në një reagim të parë kryeministri indian Manmohan Sing ka vënë në dukje se grupi që fshihet pas atentateve vepron nga një "bazë jashtë vendit". Megjithëse nuk e përmendi me emër Pakistanin ka të ngjarë që kjo seri atentatesh të çojë në tensione të reja midis Indisë dhe Pakistanit. Ky edhe mund të ketë qenë qëllimi i autorëve.

Të kujtohet viti 2001 kur vetëm pak muaj pas 11 shtatorit terroristët sulmuan parlamentin indian. India fajësoi Pakistanin dhe mobilizoi trupa në kufi. Gjendja u përshkallëzua për muaj me radhë, për njëfarë kohë nuk përjashtohej as lufta bërthamore midis fqinjëve aziatikojugorë. Ndërkaq al-Kaida dhe talibanët shfrytëzuan faktin që ushtria pakistaneze ishte e zënë në kufirin lindor dhe pas tërheqjes së detyruar për arsye të pushtimit amerikan në Afganistan u vendosën në brezin kufitar me Pakistanin.

Aktualisht al-Kaida gjendet nën trysni pikërisht në këtë rajon, sepse ushtria pakistaneze ka nisur operacione përgjatë kufirit afgan dhe SHBA-të kanë ndërmarrë sulme ajrore nga Afganistani. Rrjeti terrorist ka një interes të vetin për marrëdhënie të këqija indiano-pakistaneze dhe për t'i shpërqenduar vëmendjen ushtrisë pakistaneze.

Kështu pasojat e dhunës në Bombei mund të kalojnë përtej Indisë. Ato do të prekin gjithë rajonin dhe duhen parë përveç kësaj si sfida e parë për presidentin e ri të zgjedhur amerikan Barak Obama, i cili ka shumë objektiva në Afganistan dhe Pakistan. Për këtë do t'i duhet shumë takt.

  • Data 28.11.2008
  • Autor Tomas Bertlajn
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G4E1
  • Data 28.11.2008
  • Autor Tomas Bertlajn
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G4E1