1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ka arsye për mosliberalizimin e vizave për Kosovën...

Drejtori i Programit për Integrim Evropian ( KCSF ) Fatmir Curri për DW: akuzat e drejtuesve të institucioneve të Kosovës ndaj Brukselit për mosliberalizimin e vizave, kundërproduktive për raportet Prishtinë-Bruksel.

Fatmir Curri Europäischer Integrations Analyst

DW: Zoti Curri, si i vlerësoni deklarimet e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, të cilët ishin mjaft të ashpër me akuza drejtuar Brukselit, pas publikimit të dokumentit të zgjerimit të Këshillit Evropian në të cilin nuk kishte një rekomandim pozitiv për Kosovën për liberalizimin e vizave?

Curri: Deklarime të tilla janë jo serioze dhe mund të them se nga një qeveri normale ashtu nuk mund të bëhen, për arsye se jemi duke negociuar me një mekanizëm shumë serioz dhe kërcënime të tilla nuk kam parë që janë bërë nga ndonjë vend i rajonit, pos që janë përkulur para Komisionit Evropian apo Këshillit Evropian dhe i kanë përfillur rekomandimet dhe i kanë kryer detyrat e veta. Ajo që mund t'i kuptojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, është që procesi vërtetë është zgjatur shumë më shumë. Që nga fillimi ky proces është përcjellë me anormalitet, apo si proces që nga fillimi nuk ka qenë i rregullt, që nga mungesa e udhëzuesit për liberalizim, udhëzuesi unilateral, pastaj Kosovës i është dashur të nënshkruajë marrëveshje riatdhesimi një nga nga një me shumicën e vendeve të BE-së dhe rajonit për dallim nga vendet e rajonit që e kanë nënshkruar një marrëveshje me BE-në dhe të gjitha këto kanë marrë një energji të shtuar dhe si duket kjo energji është shterrur nga ana e qeverisë, meqenëse kanë pritur një lajm më pozitiv sesa ky që ishte dhe tjetri që duket se do të vijë. Ajo që duhet të jemi të kujdesshëm është që raporti i Komisionit të BE-së për vlerësimin e kritereve për liberalizimin e vizave akoma nuk është publikuar, megjithatë, është rast i rrallë dhe unë si njohës i kësaj fushe kam kritikat e mija për BE-në, pra është rast i rrallë ku Këshilli Evropian në pakon ku bisedohet për zgjerimin, jep sinjal mbi vullnetin e vendeve anëtare, që nënkupton që edhe nëse Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave, atëherë sinjali nga Këshilli Evropian është sinjal për Komisionin Evropian apo është thënë qartë se çfarë pret Këshilli Evropian nga Komisioni Evropian.

Këtë që po thoni a mund të cilësohet vendim politik nga ana e BE-së kur kemi parasysh që vet BE-ja vazhdimisht e ka përsëritur se çështja e liberalizimit të vizave është një çështje teknike dhe jo politike?

PO, kjo mund të cilësohet edhe vlerësim apo vendim politik dhe është e qartë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i qartë në këtë proces që nga fillimi, ndërsa në anën tjetër institucionet tona kanë qenë të ngadalta t'i bindin që detyrat po kryhen. Pra, të dyja palët kanë faj në këtë mes dhe ata që po e pësojnë janë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbetur në gjendje të mjerueshme dhe me të cilin proces po lidhet e ardhmja evropiane që për mua është gabim, sepse grupe që kanë mjete të mjaftueshme financiare ata edhe tash mund të udhëtojnë. Dallimi do të ishte se ata vetëm nuk kanë nevojë të presin për javë të tëra për një vizë. Por disi është tej zmadhuar debati për liberalizimin e vizave, ndoshta më shumë se duhet nga ana e vet qeverisë së Kosovës, duke mos qenë në gjendje që të ofrojë zgjidhje për probleme të shumta ekonomike dhe sociale, e ka mbajtur lart në agjendë këtë çështje dhe të themi dy çështje që janë supozuar të jenë krenaritë e kësaj qeverie për këtë vit, siç ishte përpjekja për t'u anëtarësuar në UNESCO dhe marrja e opinionit pozitiv për liberalizimin e vizave po dalin të jenë negative, prandaj e kuptoj edhe këtë nervozizëm nga ana e qeverisë. Por, çka duhet bërë është që të pritet publikimi i raportit të vlerësimit nga ana e Komisionit Evropian dhe të analizohet nëse vërtetë janë përfunduar të gjitha obligimet nga udhërrëfyesi për vizat dhe pastaj të gjithë të kërkojmë zbatimin e drejt të këtyre kritereve. Një gjë dua të shtoj, se Bashkimi Evropian vendimin për heqjen e vizave e merr mbi dy kritere anësore, që është, numri i azilkërkuesve dhe fatkeqësisht numri i azilkërkuese ka qenë shumë i madh, dhe e dyta rreziku nga migrimi masiv. Ky rrezik vlerësohet nga lëvizjet e mëdha migruese vitin e shkuar dhe duke e ditur që kosovarët kanë qenë të gatshëm të emigrojnë shumë ilegalisht dhe tash thuhet se nëse ka liberalizim të vizave do të ketë fluks të madh dhe këto dy kritere anësore të cilat në fakt janë edhe në udhërrëfyes, por edhe nëse plotësohen të gjitha kriteret e udhërrëfyesit që janë mbi 90-të, në këto pika Bashkimi Evropian mund ta prolongojë pafundësisht Kosovën derisa të mos jetë e sigurt që kosovarët të mos e braktisin për jetë ose punë Kosovën, por liberalizimin do ta shfrytëzonin vetëm për vizita të afërmeve të tyre, turistike, ose afariste.

Zoti Curri përmendet më herët disa nga kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave. A ka përdorur Komisioni Evropian standarde të dyfishta për Kosovën krahasuar me vendet e rajonit?

Po, së pari numri i kërkesave për Kosovën ka qenë dy herë më i madh sesa prej vendeve të rajonit. Për shembull, vendeve të rajonit i është kërkuar hartimi i një strategjie, apo hartimi i një ligji, ndërsa, Kosovës i është kërkuar zbatimi dhe jo vetëm hartimi, pastaj që të ketë shifra konkrete në luftimin e grupeve të kriminilizuara, apo edhe korrupsionit të lartë. Pra, pikërisht këtu duket se po qëndron problemi, që Kosova nuk ka arritur ta çojë deri në fund një proces që ka të bëjë me korrupsionin e lartë. Pra, këto kanë qenë pritjet e Komisionit Evropian, të disa vendeve anëtare.

Ju e përmendet hezitimin e vendeve të BE-së, se nëse Kosovës i hiqen vizat në këtë fazë, mund të ketë valë masive të refugjatëve. Mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e thonë të kundërtën, që nëse nuk hiqen vizat, mund të ketë valë të refugjatëve?

Këto mund të jenë vlerësime personale, por nga shumë anketa që janë bërë, tregojnë një shkallë të madhe të pakënaqësisë me institucionet qendrore, të vetmit që kanë gëzuar një opinion pozitiv janë KFOR-it, policia, shoqëria civile dhe institucionet religjioze dhe pikërisht kjo lë të nënkuptojë, që qytetarët mund ta presin liberalizimin e vizave për të ikur nga ky vend. Mirëpo, në anën tjetër për Bashkimin Evropian do të kjo do të ishte një migrim i kontrolluar sepse, kosovarët më nuk do të hynin në mënyrë ilegale por me pasaporta, numri do të regjistrohej dhe do të ekzistonin statistika për t'i kthyer apo riatdhesuar ata.