1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Rruga drejt bashkimit

"Kësulëkuqja" – me fat si në përrallë

Të pakta janë markat e ish-RDGJ-së që vazhdojnë të kërkohen sot në treg, por shampanja Rotkepqen (Rotkäppchen) preferohet në gjithë Gjermaninë.

Prodhimi i shampanjës Rotkepqen: Shishet transportohen me anë të një konvejeri (Foto: dpa)

Prodhimi i verës së shkumuar në konvejer

Shumë pak mallra nga ish-RDGJ-ja blihen sot rregullisht edhe nga konsumatorët gjermano-perëndimorë. Dy syresh janë prodhimet kozmetike "Florena" dhe pluhuri larës "Shpe" ("Spee"). Por shampanja "Rotkepqen" (në shqip: kësulëkuqja) është marka e vetme ish-gjermano-lindore, që është bërë më e preferuara në të gjithë republikën dhe që ka mbetur e pavarur.

Malli i suksesshëm nga Saksoni-Anhalt: Etiketa e verës së shkumuar Rotkepqen (Foto:AP)

Malli i suksesshëm nga Saksoni-Anhalt

Sipërmarrja nga landi Zaksoni-Anhalti, ka blerë disa nga konkurrentët e saj perëndimorë dhe sot është numri një në tregun e shampanjës në Gjermani. Ndryshe qëndron puna me sipërmarrjen "Florena", e cila është blerë nga kompania Beiersdorf AG, që ndër të tjera prodhon edhe kremin Nivea. Edhe pluhuri larës "Shpe" së bashku me atë "Persil" prodhohet nga firma perëndimore "Henkel".

Me bashkimin vjen rrëzimi

Ndërsa historia e markës "Rotkäppchen" është më e suksesshmja e tërë ish-RDGJ-së. Sipërmarrja e shampanjës është themeluar qysh në vitin 1856, mbi 150 vjet më parë, në Frajburg mbi Unshtrut (Freyburg an der Unstrut). Sot aty ndodhet një nga sipërfaqet më të vogla me vreshta, që ka Gjermania. Por, hardhitë e shtrira në 650 hektarë përbëjnë vetëm disa përqind të rrushit që përdorin prodhuesit e verës së shkumuar. Pjesa tjetër vjen nga Franca, Italia, Spanja dhe Gjermania Perëndimore.

Ilustrim vizatimor i përrallës për Kësulëkuqen dhe ujkun e lig. Vajza e përrallës i dha emrin markës

Vajza e përrallës i dha emrin markës

Në kohën e RDGJ-së sipërmarrja u shtetëzua dhe prodhonte çdo vit, sipas planit, 15 milionë shishe me shampanjë. Mbas kthesës politike në vitin 1989 gjermano-lindorët filluan të blinin shampanjën perëndimore ose atë që vinte nga jashtë. Për "Kësulëkuqja" erdhën kohë të vështira. Në vitin 1991 u shitën vetëm 2,9 milionë shishe nga shampanja me tapë të kuqe.

E marrin në dorë menaxherët

Ngjitja e qilarit të verës së gazuar erdhi në vitin 1993: Drejtori i atëhershëm teknik, Gunter Heise, së bashku me katër kolegë të tij blenë ndërmarrjen nga një kompani mirëbesimi. Pjesën kryesore të çmimit e paguan biznesmeni Harald Eckes-Chantré me familje. Pjesën tjetër e mbajnë pesë biznesmenët. Sot familja Eckes-Chantré ka në dorë 50 përqind të kapitalit. Heise dhe tre nga kolegët kanë pjesën tjetër.

Shefi i firmës Gunter Haize (m.) me një fotomodele imiton reklamën e Rotkepqenit. Foto:dpa, prill 2007

Shefi i firmës Gunter Haize (m.) me një fotomodele reklame

Mbas vitit 1994, sipërmarrja i vuri si synim vetes që ta sistemojë markën "Rotkäppchen" edhe në tregun perëndimor. Kjo rezultoi shumë e suksesshme dhe e bëri ndërmarrjen ish-lindore që në vitin 2000, të zinte numrin një në tregun gjerman duke shitur 50 milionë shishe në vit.

Kësulëkuqja blen në perëndim

Menaxherë në Freiburg kishin mbledhur tashmë para të mjaftueshme. Kështu që në vitin 2002 ata i blenë prodhuesit kanadez "Seagram" tri markat e shampanjës "Mumm", "Jules Mumm" dhe "MM Extra". Një vit më vonë qilari i verës së shkumëzuar Rotkäppchen-Mumm Sektkellereien GmbH bleu edhe markën e vogël nobël "Geldermann" nga Badeni. Firma thotë se në vitin 2007 pat zënë 40 përqind të tregut gjerman. Numri dy ishte "Freixenet" nga Spanja, me 17 për qind të tregut. Në tregun botëror radhitja ishte anasjelltas: E para ishte Freixenet, ndërsa e dyta Rotkäppchen.

Fillon biznesin e pijeve të forta

Disa shishe vere të shkumuar të markës Rotkepqen dhe Mum. Foto: AP

Disa shishe vere të shkumuar të markës "Rotkepqen" dhe "Mum"

Blerja më e fundit e kompanisë "Rotkäppchen-Mumm " u bë në fund të vitit 2006. Ishte firma perëndimore e pijeve alkoolike "Eckes Spirituosen & Wein", që prodhon brendin "Chantré" dhe "Mariacron", likerin e qershive nobël "Eckes" dhe rakinë e grurit "Nordhäuser Doppelkorn". Që atëherë kompania ka gllabëruar vendin e parë edhe në tregun gjerman të pijeve të forta.

Viti 2007 ishte më i suksesshmi për ish-ndërmarrjen e rrënuar: Shitja e shampanjës dhe pijeve të forta e verës, sipas të dhënave të vetë ndërmarrjes, është rritur në 186 milionë shishe, pra me 10,5 për qind. Shitja e shampanjës, e cila vazhdon të zërë pjesën kryesore të biznesit, ishte rritur me 12,6 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm. Xhiroja vjetore arriti 709,5 milionë euro, duke u rritur kështu me 8,9 përqind në krahasim me vitin 2006. Se sa ka qenë fitimi, këtë nuk pranon ta kallëzojë kompania private.

Kësulëkuqja markë mbarëgjermane

Rafte me shishe vere të shkumuar të ngulura me tapën poshtë: në Fraiburg ka edhe fermentim klasik. Foto:dpa

Në Fraiburg ka edhe fermentim klasik

Joachim Schütz, drejtor i "Shoqatës lobiiste për Markat", në të cilën është anëtare edhe "Rotkäppchen" thotë se suksesi i ndërmarrjes erdhi në vitin 1993, mbas ndryshimit të strategjisë: "Mbas blerjes së ndërmarrjes nga drejtuesit, ata filluan t'i bënin reklamë shampanjës "Rotkäppchen" si pije kombëtare." Ajo që deri pak më parë konsiderohej si pije e gazuar e lindjes, tani e tutje do të kthehej në markën kryesore vendase. "Kësulëkuqja e kishte mundësinë ta zinte këtë vend të treg dhe doli e suksesshme sepse strategjia u zbatua menjëherë ", thotë Schütz.

Një gotë shampanje duke u mbushur. Foto: AP

Gëzuar!

Në fillim u mblodhën paratë nga shitja e vetë markës e më pas u blenë marka perëndimore. Shifrat e shitjeve për secilën markë në landet e reja dhe të vjetra nuk bëhen publike. Por një gjë është e sigurt: Sidomos shampanja "Rotkäppchen" pihet ndërkohë me ëndje në shumë raste festive në Gjermaninë perëndimore. Por imazhi i markës lindore nuk i ka ikur ende. Firma vetë thotë se nuk është përpjekur kurrë që t’u drejtohet enkas klientëve gjermano-lindorë. "Madje do të ishim të gëzuar po ta hiqnim krejt imazhin e lindjes", thotë një zëdhënës i ndërmarrjes. Drejtuesit nuk japin intervista për artikuj për historinë e suksesshme të ish-markës gjermano-lindore. "Historia e RDGJ-së është vetëm një pjesë e traditës sonë 150-vjeçare. Ne jemi një sipërmarrje që shikojmë përpara", justifikohet zëdhënësi.

Suksesi i jep të drejtë strategjisë së markës kombëtare. "Por klientët lindorë nuk kanë pse të ndjehen të braktisur", thotë Schütz. Reklama shkon në adresë të perëndimorëve dhe lindorëve njëkohësisht. Një ribashkim i suksesshëm gjerman me një gotë shampanjë në dorë.

Autor: Klaudia Prevezanos / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLX6
  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLX6