1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Rruga drejt bashkimit

Kështjella e Berlinit - Rindërtim i së resë mbi gërmadhat e së vjetrës

Kështjella e Berlinit do të rindërtohet mbi rrënojat e Pallatit të Republikës. Forumi Humboldt quhet ndërtesa e re, e cila do të nxisë dialogun mes kulturave.

Imazh kompjuterik që tregon çfarë pamje do të ketë kështjella.

Me prezantimin e maketit në vitet 1993 e 1994, debati për rindërtimin e kështjellës arriti pikën e parë kulmore.

Shumë pyetje mbetën pa përgjigje kur më 19 shtator 1990 Dhoma Popullore e ish-RDGJ-së, mbylli Pallatin e Republikës. Mbyllja e ngrehinës të infektuar me asbest, hapi një debat të gjallë për të ardhmen e ish- "Shtëpisë së Popullit" dhe truallit në ishullin e lumit Shpre (Spree) në qendër të Berlinit.

Të ruhej objekti prestigjioz i RDGJ-së apo të rindërtohej rezidenca e mbretërve prusianë? Çfarë do të kishte më shumë kuptim të ndërtohej mbi këtë truall? Sa i përligjshëm do të ishte rindërtimi i kështjellës? Pro dhe kundër rindërtimit të kështjellës, kjo ishte çështja që duhej zgjidhur.

Në vitin 1992, Vilhelm fon Bodin (Wilhelm von Boddien) krijoi Shoqatën lobiste në përkrahje të rindërtimit të Kështjellës së Berlinit. Një vit më vonë ai prezantoi një maket të përmasave origjinale, duke bërë kështu reklamë për kështjellën. Me prezantimin e maketit në vitet 1993 e 1994, debati për rindërtimin e kështjellës arriti pikën e parë kulmore. Ithtarët e kështjellës argumentojnë se maketi ndihmoi që të kuptohet domethënia e ish-rezidencës mbretërore, e kombinuar edhe me ndërtesat përreth, si shtëpia e armëve Cojghaus (Zeughaus), Muzeu i Vjetër dhe Katedralja e Berlinit. "Doli në pah se ç’rëndësi të madhe ka pasur Kështjella për pamjen e qytetit", sqaron Gërd Peshken (Goerd Peschken), autori i librit Kështjella e Berlinit (1982).

Ringjallja e Berlinit historik

Mbas ribashkimit, hapësira e ishullit në lumin Shpre do të luajë një rol të rëndësishëm në konceptin e transferimit të qeverisë federale nga Boni (Bon) në Berlin. Për të mbledhur sa më shumë ide për zhvillimin urbanistik të qendrës historike të Berlinit, në tetorin e vitit 2000 qeveria gjermane ngriti një komision të posaçëm për përpilimin e ideve për shfrytëzimin, ngritjen dhe financimin e një ndërtese të re, mbi truallin e ish-Kështjellës së Berlinit.

Në korrikun e vitit 2002, parlamenti gjerman (Bundestag) miratoi propozimin e komisionit me një shumicë të pastër votash. Propozimi parashikon, që në vend të Kështjellës së Berlinit, që ishte hedhur në erë në vitin 1950 dhe të Pallatit të Republikës (i cili do të prishej më vonë më 2006-2008), të ndërtohej një qendër për kulturat jo-evropiane. Ndërtesa e re do të orientohej mbi stereometrinë e ish-Kështjellës dhe do t'i ruante tri fasadat e stilit barok, në tri muret e jashtme dhe Oborrin e Shlyterit (Schlüterhof). Pamja e fasadës lindore do t'u lihej arkitektëve ta ndërtonin sipas shijeve së tyre, ndërsa rindërtimi i kupolës së Kështjellës do të bëhej më vonë. Bundestagu caktoi shpenzimet me kufi maksimal prej 552 milionë eurosh. Në fund të vitit 2007 u shpall konkursi për hapësirën rreth Kështjellës, bazuar në pikat kryesore të rekomandimit të specialistëve .

Kështjella e Berlinit e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kështjella e Berlinit e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Konkursi për rindërtimin e Kështjellës

Më 28 nëntor 2008, ministri federal i ndërtimeve, njëherësh anëtar i jurisë, Volfgang Tifenze (Wolfgang Tiefensee), së bashku me kryetarin e jurisë, profesor Vitorio Lampunjani (Vittorio Lampugnani), bëjnë të njohur fituesin e konkursit të përbërë prej dy fazash. Fituese është studioja arkitektonike Françesko Stela (Francesco Stella) nga Viçenca (Vicenza) në Itali. "Sfida arkitektonike qëndronte në ndërthurjen e rindërtimit të fasadës baroke të kështjellës së shkatërruar në vitin 1950, sipas kërkesave të miratuara nga Bundestagu, me shfrytëzimin sa më bashkëkohor të këtij trualli kaq të rëndësishëm," - thotë Tifensze. "Vetëm projekti i fituesve i përmbushte kërkesat e larta që u kishim vendosur konkurruesve. Fituesit e tjerë ofrojnë zgjidhje të pjesshme për aspekte të veçanta."

Tifenze dhe Lampunjani përmendin elementet më interesante të projektit të studios Stela. Ato janë holli i hyrjes në formë sheshi, rindërtimi i sheshit para Kështjellës, pamja në anën lindore dhe autenticiteti i ri urbanistik, që krijohet nga bashkimi i Kopshtit të Dëfrimit (Lustgarten) me Kështjellën. Për të theksuar kontrastin me fasadat historike, Stela ka lënë në lindje një fasadë të thjeshtë me vrima, duke vënë kështu kufirin mes të resë dhe të vjetrës.

Forum për dialogun mes kulturave

Kështjella e vjetër do të shndërrohet në "Forumin Humboldt", një qendër për shkëmbime kulturore, shkencore dhe shoqërore. Emri nderon dy vëllezërit Vilhelm (Wilhelm) dhe Aleksander fon Humbodlt (Alexander von Humboldt) – i pari burrë shteti dhe intelektual, i dyti shkencëtar në shkencat natyrore.

Hapësira kryesore prej 40.000 metra katrorësh do të shfrytëzohet nga Fondacioni i Kulturës Prusiane, Universiteti Humboldt dhe Biblioteka Qendrore dhe e Landit. Fondacioni i Kulturës Prusiane do të vendosë në Forumin Humboldt koleksionet joevropiane, të cilat ndodhen aktualisht në muzetë e lagjes berlineze Dalem (Dahlem). Gjithashtu, në hollin kryesor të hyrjes si dhe një kat poshtë tij, do të ndërtohet një shesh aktivitetesh dhe tubimesh, i quajtur ndryshe edhe Agora (nga greqishtja e vjetër), që nxë afro 15 000 vetë.

Ndërtimet e Forumit Humboldt priten të fillojnë në vitin 2010 dhe do të përfundojnë aty nga viti 2015. Sipërfaqja e krijuar mbas prishjes së Pallatit të Republikës do të gjelbërohet. Një galeri e përkohshme për artistë ndërkombëtarë është hapur qysh në tetorin e vitit 2007.

Kritika ndaj projektit fitues

I vetmi përfaqësues i opozitës në juri ishte deputeti i gjelbër Volfgang Viland (Wolfgang Wieland) i ftuar si mysafir me status vëzhguesi. Në intervistë me Deutsche Welle-n Viland, thotë se "fasadat e bëra sipas origjinalit" me hapësira të brendshme të lëvizshme që mundësojnë shfrytëzimin e tyre për aktivitetet e ndryshme i bindën të gjithë, madje edhe lobiistët e Kështjellës, të cilët dëshironin rindërtimin e dhomave historike." Ndërsa Vilandi vetë mendon se sheshi i Agorës në këtë projekt thuajse është pa vlerë, po ashtu mungon "mundësia për ta përshkuar ndërtesën nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas." Në tërësi projekti fitues është një plotësim i butë i kështjellës së vjetër, pa një arkitekturë bindëse nga brenda, përmbledh ai.

Kështjella e Berlinit, viti 1900

"Doli në pah se ç’rëndësi të madhe ka pasur Kështjella për pamjen e qytetit", sqaron Gërd Peshken (Goerd Peschken), autori i librit Kështjella e Berlinit (1982).

Kështjella e re: Vetëm fasadë?

Sipas departamentit për zhvillimin urbanistik të qytetit të Berlinit, Kështjella e qytetit nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për politikën prusiane. Pushteti ishte aty ku ishte monarku. Mbreti kishte në dispozicion një seri të madhe kështjellash në Berlin dhe përreth. Por Kështjella e Berlinit kishte vlera të mëdha simbolike si vendi i inskenimit të pushtetit mbretëror.

Zgjerimet dhe ndërtimet që ishin bërë në Kështjellë që nga mesi i shekullit të 15-të e kishin shndërruar atë në një labirint me 1210 dhoma. Ndërtimet më karakteristike ishin bërë rreth vitit 1700 nga arkitekti i oborrit Andreas Shlyter (Schlüter) e synonin të nxirrnin në pah pushtetin absolutist, thuhet në shpjegimet zyrtare të Berlinit.

Rindërtimi i fasadës dhe oborrit Shlyter sipas origjinalit barok kritikohet nga kundërshtarët e projektit. "Një arkitekturë sa për dekor", thotë Adrian fon Butlar (Adrian von Buttlar), kryetar i Këshillit të Landit për ruajtjen e Monumenteve dhe profesor i historisë së artit në Universitetin Teknik të Berlinit. Është një "kështjellë e klonuar", e cila po përdoret për ringjalljen e identitetit prusian përmes një "varianti të pastruar" të historisë së tij. Fon Butlar e kritikon shkatërrimin e Pallatit të Republikës dhe është për ruajtjen e gjurmëve të historisë më të re të kryeqytetit.

Autor: Carlos Albuquerque / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLy1
  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLy1