1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Këshilli i të Drejtave të Njeriut diskuton për burgjet sekrete

Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së u mor të enjten (03.06.) me një raport, i cili ka evidentuar shkelje masive të të drejtave të njeriut në burgjet sekrete. Burgje sekrete ekzistojnë në më shumë se 60 shtete

Emblema e Këshillit të Të Drejtave të Njeriut të OKB-së (kallinj gruri rrethojne globin prej rrathesh teli, me kontinentet mbi to)

Emblema e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së

Raporti ka më shumë se 200 faqe dhe përmbajtja e tij është tepër eksplozive. Shumë shtete në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë do të preferonin që raportin për burgjet sekrete ta zhysnin sa më shpejt në harresë. Nuk është për t'u çuditur: gjithsesi, të katër ekspertët, të cilët e hartuan raportin, kanë gjetur në shumë vende tregues konkretë për ekzistencën e burgjeve sekrete. Këto kampe janë të papajtueshme me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me Konventën e Gjenevës, konkludojnë ata. Si përfundim mund të thuhet se në më shumë se 60 vende janë një praktikë e zakonshme arrestimet në vende sekrete, metoda të marrjes në pyetje dhe tortura përçmuese për njeriun, thotë Manfred Nowak, njëri nga ekspertët:

"Pas 11 shtatorit këto kanë marrë me të vërtet përmasa shumë, shumë të gjëra. Për burgje sekrete të CIA-s mund të flitet në të gjitha shtetet e mundshme, në Afganistan, por madje edhe në Evropë si në Poloni, në Rumani ose në Lituani, edhe në Tajlandë dhe në Pakistan."

Pikërisht Pakistani u përpoq që ta pengonte deri në minutën e fundit publikimin e këtij raporti. Moska, e cila e mohon ekzistencën e burgjeve të fshehta në Rusi, donte që raporti të hiqej nga faqja e internetit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Kjo do të ishte e barabartë me një censurë. Shtetet e prekura donin vetëm të ndalonin që të tjerët t'i tregonin ato me gisht, thonë organizata të të drejtave të njeriut.

Asnjë shtet nuk e ka pranuar ekzistencën e burgjeve sekrete, thotë organi prej katër anëtarësh. Raportuesit specialë bënë kërkime rrënjësore dhe folën me shumë dëshmitarë. Megjithatë, shumë pak shtete nga të 190 shtetet e OKB-së dhanë mbështetje në kërkime.

SHBA kanë ngulur këmbë për diskutimin e raportit

SHBA, si anëtare e re në Këshillin e të Drejtave të Njeriut qenë angazhuar vazhdimisht që raporti të trajtohet në organin e Gjenevës. Kjo të tërheq vëmendjen, sepse janë pikërisht amerikanët që kritikohen në mënyrë masive nga ekspertët. Veçanërisht shërbimi sekret i SHBA, CIA mban sipas raportit hetimor të ekspertëve të të drejtave të njeriut kudo në botë burgje sekrete. Autorët flasin për një rrjet global të përndjekjes të atyre që supozohen si armiq të shtetit. Në zhargonin profesional flitet për "detention by proxy".

"Kjo do të thotë se SHBA kanë dërguar persona në shtete të tjera, për t'i marrë ata në pyetje në këto shtete. Para së gjithash në shtete të cilat janë famëkeqe për torturat si në Egjipt, Siri, Marok, Pakistan dhe shtete të tjera."

Edhe në Poloni, Lituani dhe Rumani mendohet se ka pasur burgje sekrete të CIA-s. Raportuesit specialë kritikojnë faktin që shërbimet e fshehta veprojnë në të gjithë botën në një vakum legal pa ligje. Nën mantelin e luftimit të terrorizmit, nxirren jashtë fuqie të drejtat e njeriut.

Autorët e raportit kërkojnë që të gjitha shtetet t'i kontrollojnë më mirë të drejtat e njeriut. Veç kësaj, të gjitha shtetet duhet të tregojnë guxim dhe t'i mbyllin burgjet sekrete.

Autor: Pascal Lechler/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 04.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ngst
  • Data 04.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ngst