1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Këshilli i Sigurimit të OKB diskutoi për zhvillimet në Kosovë

Shumica e anëtarëve të KS-it, kërkuan nga Beogradi që të bashkëpunojë me misionin evropian, EULEX. Ata kërkuan që Prishtina dhe Beogradi të nisin dialogun për çështje teknike dhe çështje me interes të ndërsjelltë.

Këshilli i Sigurimit të OKB

Këshilli i Sigurimit të OKB diskutoi për zhvillimet në Kosovë

Kosova dhe Serbia u prezantuan me qëndrime të kundërta në KS-it. Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni, kërkoi që misioni i UNMIK-ut të përfundojë mandatin dhe t`i lëshojë vend institucioneve të Kosovës dhe misionit evropian, EULEX. Kurse Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, kërkoi që në Kosovë të fuqizohet roli i UNMIK-ut dhe të fillojë të zbatohet plani gjashtë pikësh i OKB-së.

Skënder Hyseni, Ministri i jashtëm i Kosovës thotë: "Pozicioni ynë është shumë i qartë. Misioni EULEX, po arrin kapacitetet e plota dhe misioni i UNMIK-ut duhet të përfundojë mandatin. Në kërkojmë që UNMIK-u të përfundojë mandatin, si një mision e sukseshëm dhe kjo të ndodhë sa më shpejtë, sepse nëse kjo nuk ndodh vazhdimi i qëndrimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, vetëm sa do ta komprementonte këtë mision," tha ministri Skendër Hyseni.


Kurse, Presidenti i Serbisë Boris Tadiq, tha se i vetmi mision legjitim në Kosovë mbetet UNMIK-ut dhe kërkoi, që roli i këtij misioni të fuqizohet. Sipas tij, serbët e Kosovës jëtojnë akoma në kushte të mjerueshme. "As sot serbët e Kosovës nuk kanë siguri dhe liri lëvizjeje, nuk kanë rrymë e as ujë. Kjo është e papranueshme," tha Boris Tadiq.


Presidenti serb, përmendi në fjalimin e tij edhe ndalesën që po i bëhet nga qeveria e Kosovës zyrtarëve të Serbisë që duan të vizitojnë serbët e Kosovës, për të shpërndarë ndihma humanitare. Është e papranueshme, tha ai, që zyrtarët serbë të ndalohen në kufijtë administrativ të Kosovës. Presidenti serb Tadiq, kërkoi që në Kosovë të zbatohet plani gjashtë pikësh i OKB-së, mbi bazën e rezolutës 1244 të KS-it. Ai tha, se për këtë plan është rënë dakord edhe në vetë KS-it. Shumica e ambasadorëve të vendeve anëtare të KS-it, kërkuan që Prishtina dhe Beogradi të nisin dialogun teknik për çështje të interesit të ndërsjelltë.


Me këtë u pajtua edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, por ai kërkoi që këto biseda të zhvillohen në cilësinë e dy vendeve fqinjë. "Me Serbinë mund të bisedojmë për ujërat, hekurudhat, infrastrukturën rrugore, lartëpërçuesit dhe për shumë çështje që janë me interest të ndërsjelltë, por këto biseda të zhvillohen vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinjë. Kosova, jo vetëm me Serbinë por me kërkënd nuk do të bisedojë ndonjëherë çështjen e statusit, ashtu siç kërkon Serbia," tha Hyseni.


Në seancën e KS-it, raportoi edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri. Ai tha, se që nga vendosja e misionit evropian EULEX në Kosovë, UNMIK-u ka vazhduar me rikonfigurimin e misionit duke bartur pothuaj të gjitha përgjegjësitë tek misioni evropian. Ai përmendi shuarjen e policisë së UNMIK-ut dhe kalimin e përgjegjësive tek policia ndërkombëtare. Po ashtu në sistemin doganor dhe atë gjyqësor. Ai tha se bashkëpunimi i UNMIK-ut me Bashkimin Evropian ka bërë që dislokimi i misionit EULEX të bëhët pa incidente.


Pjesa e fundit e seancës së KS-it, kaloi me debate ndërmjet presidentit serb Boris Tadiq, dhe ministrit të jashtëm të Kosovës, Skendër Hyseni. Presidenti Tadiq, tha se kjo seancë e KS-it, po koincidon me kohën e bombardimeve që ndodhën 10 vjet më parë. Ai rikujtoi edhe njëherë vendet anëtare të NATO-s, se këto sulme kanë qenë të padrejta dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha Serbisë. Ai përmendi vrasjen e shumë civilëve serbë, shkatërrimin e shumë objekteve fetare dhe dëmet materiale, që sipas tij llogariten në mbi 30 milion dollar. Mirëpo, ambasadorja e Britanisë së Madhe Karen Pirs, dhe ajo e SHBA-së Rose Mari di Karlo, iu kundërpërgjigjën Presidentit serb, duke i thënë se Serbia ka vrarë mbi 15 mijë shqiptarë të Kosovës, 2000 mijë prej të cilëve cilësohen ende të zhdukur. Ka shkatërruar objekte fetare dhe kulturore, ka djegur shtëpi dhe ka dëbuar me dhunë mbi 800 mijë civilë. Kjo, sipas tyre, ishte arsyeja pse NATO-ja ndërhyri kundër regjimit serb.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIVQ
  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIVQ