1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Këshilli i Sigurimit miraton planin e Ban Ki Moon për Sirinë

Deri në mesin e vitit të ardhshëm planifikohet shkatërrimi i arsenalit të armëve kimike të Sirisë. Këshilli i Sigurimit miratoi planin e propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i ka dhënë dritën e gjelbër planit të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon për shkatërrimin e të gjithë arsenalit të armëve kimike të Sirisë. Kjo instancë miratoi misionin e posaçëm që planfikohet të arrijë shkatërrimin e armëve kimike deri në mesin e vitit të ardhshëm, bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara. Sipas këtij plani, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, (OPCW) e nderuar me Çmimin Nobel të Paqes 2013, do të bashkëpunojë me 100 punonjësit e Kombeve të Bashkuara. "Afati i vënë nga ne është shumë i shkurtër", tha Ban Ki Moon, "por Kombet e Bashkuara ndjejnë përgjegjësinë për të bashkëpunuar ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike për të kryer plotësisht misionin tonë."

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit

"Proces i gjatë dhe i vështirë"

"Jam shumë i gëzuar" u shpreh Ban në një mesazh përmes videos të transmentuar nga Brunei, për reagimin e shpejtë të Këshillit të Sigurimit ndaj planit të dorëzuar në fillim të kësaj jave. Ndërkohë në Siri ndodhet një grup ekspertësh ndërkombëtarë, i cili më 1 Tetor ka filluar nga puna me inspektimin e shkatërrimin e armëve kimike. Së shpejti atij do t'i vijnë në ndihmë edhe dy grupe të tjera ekspertësh të dërguara nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike. Bëhet fjalë për "fillimin e një procesi të gjatë dhe të vështirë" u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmed Üzümcü.