1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shqyrton Iranin

Irani do t'i nënshtrohet më 15.2 seancës së inspektimit të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Shtetet perëndimore do ta kritikojnë Teheranin, por ky mbështetet në radhë të parë prej vendeve të OIC-së.

Përfaqësuesit e Iranit duhet t'u përgjigjen tri orë me radhë pyetjeve të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Përfaqësuesit e Iranit duhet t'u përgjigjen tri orë me radhë pyetjeve të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Prej kohësh nuk ka pasur ndonjë seancë inspektimi të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të qe pritur me kaq vëmendje dhe interesim sa ajo e sotmja ndaj Iranit. Tri orë me radhë përfaqësuesit e Iranit duhet t'u përgjigjen pyetjeve të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili zhvillon në mënyrë periodike seanca të tilla inspektimi

Ambasadori gjerman Reinhard Schweppe, do të shtrojë për diskutim këto pika: "Së pari qëndrimin e Iranit ndaj politikanëve opozitarë dhe shoqërisë civile, veç kësaj sjelljen brutale të forcave të sigurisë gjatë demonstratave, arrestimet dhe ekzekutimet arbitrare. Dhe më e keqja është se prej shkeljes së të drejtave të njeriut në Iran janë të prekura të gjitha shtresat e shoqërisë.“

Flash-Galerie Iran Demonstration Jahrestag Revolution 1979

Një sërë shtetesh i kanë bërë gati paraprakisht pyetjet që do t'u drejtohen përfaqësuesve të Iranit. Çekia dhe Danimarka duan të dinë se përse Irani nuk është bërë anëtar i Konventës së OKB-së për Ndalimin e Torturës. Suedia do të dijë nëse Irani i ka hetuar rastet e torturave pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu në shënjestër të kritikës është dënimi me vdekje sidomos për të miturit. Gjithashtu kritikohen edhe dënime të tilla si qëllimi me gurë, prerja e gjymtyrëve, apo rrahja me kamzhik.

Baza e debatit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut janë tri raporte. Njëri është paraqitur prej qeverisë iraniane kurse dy të tjerët prej Komisariatit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Këto të fundit përmbajnë edhe vëzhgime reporterësh të pavarur si edhe të OJQ-ve.

Me interes pritet edhe roli që do të luajë SHBA, e cila është që prej vitit të kaluar anëtare e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. I ngarkuari i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së për të drejtat e njeriut në Iran, John Limbert, bërë të qatë se diskutimi në lidhje me të drejtat e njeriut në Iran nuk mund të ndahet prej programit atomik të këtij vendi. Gjatë seancës së inspektimit nuk do të synohet që të diskriminohet qeveria iraniane, sqaron Limberg, por ai është skeptik sa i përket përfundimit të kësaj procedure.

"Ne kemi rezerva se puna e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe seanca e inspektimit nuk do të jenë vërtet të besueshme, të ndershme dhe integre dhe që procesi nuk do të reflektojë vërtet dëshirat e iranianëve dhe gjendjen e tyre të momentit.“

Në raportin përpiluar nga vetë Irani, nënvizohet se Irani është një vend demokratik, që respekton të drejtat e njeriut, të drejtat e grave si dhe të drejtat e pakicave fetare. Po ashtu në të theksohet se që prej revolucionit, përqindja e analfabetizimit nga 50% të popullsisë ka rënë në 15%.

Vëzhguesit mendojnë se gjatë seancës së Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Irani do të gjejë mbështetjen e vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, OIC, por edhe të shumë vendeve në zhvillim. Perëndimi do të jetë pra relativisht i vetmuar me kritikat e tij ndaj regjimit në Teheran. Gjithsesi ambasadori gjerman Reinhard Schweppe mendon se seanca e inspektimit nuk është fare e kotë:

"Ne konstatojmë se në fakt të gjitha shtetet, madje edhe shtete si Irani janë të ndjeshme ndaj kritikave dhe këto seanca nuk i bëjmë për të luajtuar, por me shpresën se pas kritikave që shprehen këtu gjendja e të drejtave të njeriut në vend mund të përmirësohet dhe mendoj se kjo nuk është nuk është krejtësisht utopike.“

Schirin Ebadi

Shirin Ebadi

Në prag të seancës për Iranin mbajtësja e çmimit Nobel për paqen Shirin Ebadi iu drejtua Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut me një letër të hapur, në të cilën dënon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran dhe kërkon që OKB-ja të caktojë një raportues special për Iranin.

Autor: Pascal Lechler
Redaktor: Vilma Filaj-Vallvora

  • Data 14.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M15p
  • Data 14.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M15p