1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Këshilli i Integrimit paraqet planin dhjetëpikësh

Me një sërë masash duhet të luftohen me efektivitet racizmi dhe urrejtja ndaj të huajve. Këshilli Federal i Integrimit sheh deficite në të gjitha nivelet e shoqërisë gjermane.

Maria Böhmer, e ngarkuara e qeverisë gjermane për diskriminimin me Këshillin Federal të Integrimit

Maria Böhmer, e ngarkuara e qeverisë gjermane për diskriminimin me Këshillin Federal të Integrimit

Gati katër faqe është lista e rekomandimeve pas zbulimeve të serisë së vrasjeve neonaziste, e paraqitur të Martën në Berlin nga Këshilli Federal i Integrimit - që përfshin më shumë se 30 organizata të ndryshme. Por Mustafa Yaman nga Unioni Islamo-Turk(DITIB) përpara se të paraqesë rekomandimet citon vajzën e një të vrari. Semiya Simsek, babai i së cilës u vra mizorisht si nëntë viktimat e tjera, foli në ditën e përkujtimit të viktimave të ekstremizimit të djathtë në Shkurt në Berlin. "Në vendin tonë, në vendin tim duhet që gjithkush të ketë mundësinë të zhvillohet, pavarësisht nga nacionaliteti, pavarësisht nga prejardhja, ngjyra, seksi apo orientimi seksual. Të mos i mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur e kemi arritur këtë qëllim."

Maria Böhmer

Maria Böhmer

Vendosmëri për zbardhje dhe ndjekje penale efektive

Paralajmërimi i Semiya Semsekut i parapriu planit dhjetëpikësh të Këshillit të Integrimit. Ai bën të qartë se sa ambicioze dhe e vështirë është detyra që del përpara shoqërisë, sipas këtij këshilli. Në pikën e parë kërkohet një "zbardhje e plotë dhe ndjekje penale efektive" në pikën e dhjetë thuhet se "është i nevojshëm koordinimi federal dhe mbështetja". Mes kllapave gjendet edhe kërkesa për lëndën e demokracisë në shkolla. "Nuk mjafton të trajtohet vetëm kushtetuta në mësim", thuhet në këtë pjesë të tekstit.

Më tej kërkohen masa kundër diskriminimit dhe racizmit në vendin e punës deri tek "pushimi nga puna", thotë Mustafa Yaman nga DITIB. Ndërsa e ngarkuara e qeverisë gjermane për diskriminimin, Maria Böhmer, njëkohësisht drejtuese e Këshillit Federal, kërkon nga qeveria "ngushtimin e rrezes së veprimit të ekstremizmit të djathtë". Maria Böhmer mendon se mungon në media "një kulturë mirëseardhjeje dhe mirënjohjeje".

"Shpesh ndjekim në mënyrë të çalë ngjarjet"

Me qëllim që të realizohen këto qëllime të mira në luftën e përbashkët kundër racizmit, urrejtjes kundër huajve apo dhunës së ekstremistëve të djathtë, është e nevojshme, sipas bindjes së këshillit, të vëzhgohen në kohën e duhur deficitet në shoqëri. "Shpesh diskutimi politik ndjek nga pas në mënyrë të çalë ngjarjet që kanë ndodhur", thuhet në planin dhjetëpikësh. Shembull për këtë merren romët, jo vetëm në Gjermani. Ata jetojnë të përjashtuar nga shoqëria dhe "ndeshen kudo me armiqësi dhe paragjykime".

Pas zbulimit të serisë së vrasjeve neonaziste, Maria Böhmer angazhohet për "format e duhura të përkujtimit". Bëhet fjalë për ruajtjen e kujtimit dhe kthimin e besimit tek njerëzit. Ajo rekomandon që në të gjitha landet gjermane të ketë zyra për trajtimin e viktimave të ekstremizmit të djathtë.

Autor: Marcel Fürstenau/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi