1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Këshilli i Evropës- publiku në Shqipëri, besim afër “zero”tek drejtësia

Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Nils Muižnieks përfundon vizitën e tij pesëditore në Tiranë. Publiku nuk ka thuajse fare besim tek drejtësia, është konstatimi shqetësues i tij.

A është përmirësuar respektimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri? Përgjigja e kësaj pyetjeje vështirë se merr një përgjigje pozitive kur i referohesh konstatimeve që publikoi mbrëmë në një konferencë shtypi, Nils Muižnieks, Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut. Burimi kryesor nga gjeneron përkeqësimi i respektimit të të drejtave të njeriut është një dhe vetëm një: mungesa e zbatimit të ligjit dhe pandëshkueshmëria.

Rasti më flagrant, autorët e vrasjeve të 21 janari 2011, ende të pandëshkuar

E drejta e jetës përbën të drejtën universale, bazë, në një sërë të drejtash të njeriut, që janë në fokus të veprimtarisë dhe mandatit të Këshillit të Europës. E drejta e jetës në Shqipëri shfaqet e dhunuar rëndë në rastin flagrant të vrasjeve të 21 janarit 2011 kur gjykata i cilësoi “vrasje jo të qëllimshme por nga pakujdesia”, duke shmangur kështu dënimin prej 25 vjet burg që kërkoi organi i akuzës, Prokuroria. Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Nils Muižnieks, tha se përgjegjësit për vrasjen e 4 qytetarëve, demostrues të paarmatosur, nuk duhet t' i shpëtojnë ndëshkimit.

"Ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në zbardhjen e vrasjes së 4 qytetarëve më 21 janar. Qëndrimi im dhe i KiE është i qartë: autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut duhet të dalin para drejtësisë. Mjaft persona, të përfshirë në ngjarjen e 21 janarit, akoma nuk janë vënë para drejtësisë”, tha mbrëmë në konferencën për shtyp Nils Muižnieks.

Shkatërrimi i provave të hetimit për ngjarjet e 21 janarit

Pandëshkueshmëria ka forcuar perceptimin e qytetarëve se në Shqipëri nuk bëhet drejtësi, se sistemi gjyqësor varet nga politika dhe është thellësisht i korruptuar. Faktet kokëforta ushqejnë këtë perceptim të publikut.

"Ka të dhëna se hetimet për ngjarjen e 21 janarit nuk janë kryer si duhet si rezultat i shkatërrimit të provave. Autorët e shkatërrimit të provave duhet të vihen para drejtësisë. Prokuroria na informoi se hetimi në lidhje me provat ende nuk ka përfunduar. Këshilli i Europës do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje, pasi ajo është një test për prokurorinë dhe funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri, për ngjarjen e 21 janarit kërkohet një hetim i paanshëm dhe tërësor”, tha Nils Muižnieks, komisioneri i KiE për të drejtat e njeriut.

Ai theksoi se drejtësia dhe zbatimi i ligjit në Shqipëri rrezikohen nga probleme strukturore të hershme, zgjidhja e të cilave është “një sfidë dhe mundësi historike për qeverinë e re të kryeministrit Rama, për të sjellë ndryshimet e nevojshme dhe forcuar sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut.” Sipas komisionerit Nils Muižnieks, gjithë sistemi i drejtësisë duhet të bëjë shumë për të arritur standardet e BE-së dhe rifituar besimin e publikut.

Mekanizëm i pavarur për ankimime ndaj dhunës policore

Shkelje të të drejtave të njeriut nga policët në zyrat e paraburgimit të komisariateve të policisë, janë një çështje tjetër që konstaton Nils Muižnieks, Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

“Nuk është fjala për tortura dhe raste serioze por për raste të përditshme rrahjeje dhe keqtrajtimi të qytetarëve nga policët. Dhuna ndaj qytetarit të ndaluar nga policia është e patolerueshme. Është e rëndësishme që nga nivelet më të larta të qeverisë të jepet sinjali i qartë, se dhuna e policëve ndaj qytetarëve është e patolerueshme dhe do të dënohet”, tha Nils Muižnieks.

Në bashkëpunim me institucionin e Avokatit të Popullit, Këshilli i Evropës lançoi në Tiranë mekanizmin e pavarur për marrrjen e ankesave të qytetarëve, lidhur me keqtrajtimet nga ana e policisë. Vendosja e kamerave vëzhguese në mjediset e paraburgimit përbën ndërkohë një hap pozitiv, komplementar në ndëshkimin e policëve të dhunshëm.

Këshilli i Evropës do të japë rekomandime për qeverinë, Parlamentin, institucionin e Avokatit të Popullit, Komisioneren kundër Diskriuminimit dhe shoqërinë civile lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, mbështetur në vizitën e komisionerit Nils Muižnieks.