1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Këshilli i Evropës: paanshmëria dhe profesionalizmi i komisioneve zgjedhore në Shqipëri shumë të rëndësishme

Për të monitoruar nga afër zgjedhjet e 8 majit Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dërgoi në Shqipëri një delegacion. Kryetarja e delegacionit Hana Richtermocova foli për Deutsche Welle-n.

Znj. Hana Richtermocova në konferencë për shtyp në Tiranë.

Znj. Hana Richtermocova në konferencë për shtyp në Tiranë.

DW: Zonja Richtermocova, ju ishit për disa ditë në krye të delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës në vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri. Në një vështrim të përgjithshëm, sipas jush, cilat ishin elementët pozitivë dhe ato negativë në këtë proces?

Hana Richtermocova: Më lejoni së pari të theksoj se e konsideroj misionin e Kongresit në Shqipëri si pozitiv. Ne patëm mundësi jo vetëm për të kontribuar në vlerësimin dhe këshillimin e këtyre zgjedhjeve, por edhe për të mësuar se si autoritetet lokale dhe kombëtare në Shqipëri përpiqen për t'u integruar më mirë në Evropë dhe për të adaptuar kuadrin ligjor, ndërkohë që mbajnë dhe karakteristikat e zhvillimeve lokale. Duke u kthyer tek pyetja, sa i takon elementëve pozitivë unë mund të përmend progresin e bërë për të organizuar një proces elektoral efikas dhe përpjekjeve të vendosura për të bërë transparente procedurat e votimit. Anëtarët e delegacionit tonë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, vërejtën një atmosferë të qetë gjatë ditës së votimit. Për fat të keq, siç dhe ju e dini, kjo nuk vlejti për kohën para dhe pas 8 majit, por unë mendoj se përpjekjet e Shqipërisë duhet të inkurajohen. Si një element pozitiv, mund të përmend se kemi vënë re, së bashku me anëtarët e delegacionit, se sjellja e njësive mediatike, edhe pse pak prej tyre mund të konsiderohen si të pavarura, ishte e balancuar. Duke qëndruar këtu unë po i përgjigjem dhe pjesës së dytë të pyetjes tuaj mbi elementët negativë që u vunë re. Ne ishim të shqetësuar kryesisht nga mungesa e transparencës së pronësisë mbi median dhe burimet e financimit të fushatës. Delegacioni ynë vërejti gjithashtu: pasigurinë në përgjithësi për zbatimin e procedurës zgjedhore, nevoja për përmirësimin e mënyrës së shkarkimit dhe zëvendësimit të anëtarëve të komisioneve të votimit dhe mbi të gjitha trajnimin e tyre. Kjo ishte gjithashtu e dukshme gjatë procesit të stërgjatur dhe të kontestuar të numërimit të votave. Dy interpretimet partizane të Kodit Elektoral dhe korrektësia e procesit të numërimit të votave janë kontestuar. Në këto aspekte kuadri legjislativ elektoral dhe adiministrata zgjedhore duhen përmirësuar.

DW: Për opinionin e brendshëm si dhe vëshguesit ndërkombëtarë zgjedhjet e 8 majit u dominuan nga një situatë e nxehtë politike dhe një klimë mosbesimi e thellë mes palëve. Më dukshëm kjo u pasqyrua tek procesi i numërimit të votave që e shtyu për afër dy muaj nxjerrjen e rezultatit të fituesit për bashkinë e Tiranës. Si e komentoni ju këtë atmosferë të krijuar?

Hana Richtermocova: Është për të ardhur keq që fushata elektorale në vend që të fokusohej tek çështjet me interes lokal dhe në nevojat e komunitetit, kishte në qendër grindjet kombëtare dhe akuza personale. Sigurisht që janë të nevojshme përpjekjet për të instaluar një dialog konstant dhe konstruktiv mes partive politike, çdo kamp duhet të shmangë qëndrimet vetëm në pozicione partizane, të pranojë propozimet konstruktive nga pala tjetër dhe të marrë vendime në interes të publikut. Kjo është shumë e lehtë për t'u thënë dhe shpesh është mjaft e vështirë ta konkretizosh në realitet. Ajo që rrezikon procesin është interpretimi jo i ndershëm e rregullave dhe rritja e vendimeve me karakter partiak. Sigurisht që dialogu konstruktiv është i një rëndësie të madhe, por në raste të caktuara, përtej këtij dialogu, rezultatet janë të nevojshme, madje ato janë të nevojshme të dalin me shpejtësi. Kjo ishte e qartë po t'i kthehem asaj pjese të pyetjes që lidhet me procesin e numërimit në Tiranë. Zgjatja në kohë dhe zvarritja e procesit të numërimit shkaktoi tensione dhe konfrontime. Përveç kësaj dështimi për të njoftuar rezultatet vë në rrezik besimin e qytetarëve për ndershmërinë e zgjedhjeve. Kemi vënë re se anëtarët e komisioneve të ndryshme zgjedhore konsultoheshin duke shkuar më pas tek direktivat e partive të tyre përkatëse. Në fakt, zgjidhjet konstruktive ishin të tejet të vështira për t'u arritur nga shkaku i mungesës së pavarësisë së zyrtarëve të zgjedhjeve. Si rezultat, procesin e numërimit të votave ishte në mënyrë të ndjeshme shumë i ngadaltë.