1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kërkojnë mësimin e gjuhës amtare dhe kthimin e emrave

Minoriteti malazez me rreth 30 mijë banorë në Shkodër e Malësinë e Madhe, megjithëse integruar natyrshëm në shoqërinë shqiptare, ka pretendimet e veta modeste për trashëgiminë e të parëve të tyre.

Qyteti i Shkodrës

Qyteti i Shkodrës

Të drejtat e minoriteteve dhe pakicave kombëtare, edhe pse herë pas here kanë qënë në qëndër të vëmëndjes të shtetit shqiptar në rajonin verior të vëndit, nuk shihen si njëlloj si për pjesën tjetër të popullatës. Banorët e këtij minoriteti kërkojnë nga qeveria shqiptare, por edhe nga ajo malazeze, që të angazhohen seriozisht dhe t'i marrin në konsideratë kërkesat e bëra nga këto pakica kombëtare, si një e drejtë legjitime, që ka të bëjë me trashëgiminë e të parëve të tyre:

Kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre

Lumi i Bunës në Shkodër

Lumi i Bunës në Shkodër

“Kërkesat tona janë shumë, por më kryesorja mendojmë se është ajo që ne të fitojmë atë, që kemi humbur vite më parë, pra të na njihet prejardhja, ajo e mbiemrave, ashtu siç i kemi patur dikur. Tjetër gjë, që kërkojmë ne, është edhe mësimi i gjuhës amtare. Problem ky, që ne e kemi ngritur edhe tek qeveria malazeze, duke patur edhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Ne kërkojmë që të hapet edhe një fakultet në gjuhën malazeze, i cila ka për t'i shërbyer këtyre njerëzve, që janë një numër jo i vogël në rrethin e Shkodrës. Kjo do të thotë që edhe fëmijët të mësojnë gjuhën mëmë, atë që kanë patur prindërit dhe gjyshërit e tyre. Shpresojmë se do ta realizojmë edhe këtë objektiv“, thotë Pavëll Mihajli.

“Kemi kërkuar gjithmonë që të na njihet origjina jonë si malazezë dhe për këtë ne kemi bërë kërkesë vazhdimisht. Njëkohësisht kërkojmë edhe që të krijohen kushtet dhe mundësitëë që komuniteti ynë të mësojë gjuhën amtare, si një e drejtë themelore që ka çdo komb“, shprehet Najada Podgorica.

“Për momentin kërkesat tona nuk kanë gjetur zbatim, por shpresojmë. Unë them se çdo njeri ka të drejten e vet, për me u shkollu në gjuhën e nënës, ashtu siç janë të gjithë gjuhët e huaja. Prandaj mundet që të hapet një shkollë e veçantë, që të jetë edhe me klasa si gjithë të tjerat. Ndërsa për mbiemrat çdokush, gjithmonë sipas dëshirës, ka të drejtë që të mbajë mbiemrin e vjetër, siç e ka patur, pra të kthehet në origjinë, pasi përpara nuk është lejuar nga sistemi“, thotë Hajrullah Shoshi.

Njohja e statusit te minoriteteve një nga kushtet për afrimin me BE

Kalaja Rozafa

Kalaja Rozafa

Sipas presidentit të shoqatës së pakicave malazeze, Alba-Montenegro, Burhan Çuliq, këto kërkesa kanë të bëjnë me identitetin e këtij minoriteti, si një ndër kushtet kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian: “Njëra prej kërkesave tona, është risjellja e mbiemrit, pasi në një familje janë personat me mbiemra të ndryshëm, kjo është edhe në nderin e dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj malazeze. Ndërsa për shkollën jemi në bisedime dypalëshe. Për mendimin tim duhet të krijohet një komision i posaçëm, për të vendosur për arsimimin në gjuhën tradicionale “.

Të njëjtin mendim ndajnë edhe anëtarët e shoqatës homologe, Moraça-Rozafa, të cilët kërkojnë, që të ruhen karakteristikat, zakonet dhe traditat e tyre amtare, si një e drejtë themelore, që u takon, gjithmonë sipas ligjeve në fuqi:“Ne kërkojmë kthimin e emrave dhe mbiemrave tradicionalë, të cilët i kemi pasur më parë”, shprehet Zoran Ajkoja. “Hapjen e shkollës në gjuhën amtare“, thotë Loreta Vaso. “Financim të projekteve integruese“, kërkon Gani Muçiç.

Shpresojnë në mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze

Për presidentin e shoqatës Moraça-Rozafa, Pavllo Jako, shteti shqiptar ka premtuar se kërkesat e shoqatës do të bëhen pjesë e takimeve mes dy qeverive dhe se çdo gjë do të gjejë zgjidhjen e kërkuar, pasi marëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira: “Pika kryesore e funksionimit të shoqatës sonë është në shërbim të ruajtjes së identitetit, nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare. Ne kemi patur edhe një proçes tjetër diskriminues, siç ka qenë heqja e emrave dhe mbiemrave. Prandaj grupimi jonë kërkon që të ketë të drejtën ligjore për të ndërruar emrin dhe mbiemrin njëkohësisht. Në këtë kuadër ne po hartojmë projekte bilaterale, në mënyrë që pakica jonë të ketë një pozicion të caktuar në jetën social politike të shtetit shqiptar.“

Minoriteti serbo-malazez, është i vendosur prej kohësh në rajonin e Shkodrës. Anëtarët e këtij komuniteti, njihen si serbo-malazezë me bindje fetare ortodokse dhe si podgoriçanë me bindje fetare myslimane. Numri aktual i familjeve minoritare serbo-malazeze është i vogël, por ato ruajnë karakteristikat dhe identitetin etnik, celebrojne festat tradicionale, ruajnë zakonet, traditat e kulturën e tyre amtare, si dhe bashkëekzistencën me pjesën tjetër të popullatës në rajonin verior të Shqipërisë.

Autor: Lekë Plani

Redaktoi. Angjelina Verbica