1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kërkohet vend për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë

Asgjësimi i armëve siriane të bëhet në formën e një zgjidhjeje shumëpalëshe, ku do të marrin pjesë shtete të ndryshme.

Përgatitjet për shkatërrimin e armëve siriane po vazhdojnë. Rreth 23 depo armësh kimike janë kontrolluar në kohë. 60 për qind e helmeve ende të pambushura nëpër predha si dhe pajisjet e prodhimit tashmë janë shkatërruar. "Por tani fillon puna e vërtetë," thotë eksperti i armëve kimike Ralf Trapp, i cili ka punuar për shumë vite pranë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK/OPCW).

Fjala është për 1.000 tonë armësh kimike që duhen shkatërruar dhe dhe kjo po rezulton më e vështirë nga sa pritej, sepse armët kimike duhet të çohen jashtë Sirisë, por në cilin vend ama? Pas disa orësh mbledhje, ONAK-u paraqiti të paktën një afat kohor të detajuar për këtë proces.

Agjentët më të rrezikshëm luftarakë si sarina dhe gazi mustardë do të çohen sipas drejtorit të përgjithshëm të OPCW Ahmed Üzümcü deri në fund të vitit jashtë vendit dhe do të shkatërrohen deri në prill 2014. Të gjitha kimikatet e tjera të rrezikshme dhe elementet e tyre përbërës do të çohen jashtë vendit deri më 5 shkurt 2014 dhe do të shkatërrohen deri në fund të qershorit 2014. Sipas Rezolutës 2118 deri në qershor duhet të jetë shkatërruar i gjithë arsenali sirian i armëve kimike.

Në parim 190 shtete

Problemi është se ende asnjë vend nuk ka rënë dakord për të shkatërruar armët siriane në territorin e vet. Norvegjia, Belgjika apo Shqipëria e refuzuan kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të shkatërruar armët në vendet e tyre, për "mungesë kapacitetesh", si u tha zyrtarisht. Shqipëria konsiderohej si një opsion ku mund të shkatërroheshin armët kimike siriane, sepse Shqipëria ka shkatërruar në vitin 2007 armët e veta kimike të mbetura nga koha komuniste. Por në Shqipëri pati protesta kundër shkatërrimit të armëve siriane në vend.

Në parim armët kimike mund të shkatërrohen në të gjithë 190 vendet që kanë nënshkruar Konventën Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike. Aktualisht ONAK/OPCW po zhvillon bisedime me 41 shtete, tha Sausan Ghosheh, zëdhënëse e misionit ONAK/OPCW në Siri.

Gjermania dëshiron të ndihmojë - por vetëm jashtë vendit

Edhe në Gjermani ka impiante për shkatërrimin e armëve kimike. Në Munster, në Saksoninë e Ulët, janë shkatërruar në mes periudhën 2006-2012 2.585 tonë municione kimike. "Por në këtë impiant mund të shkatërrohen vetëm armë të vjetra kimike p.sh. nga koha e luftës dhe aty nuk mund të shkatërrohen armët kimike nervore, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të armëve në Siri," tha në një intervistë me DW Ralf Trapp.

Por në Gjermani ka kompani që kanë teknologji të përparuar si firma Eisenmann nga Bëblingen, e cila ka ndërtuar impiante për shkatërrimin e armëve kimike në Rusi, në Shqipëri dhe Japoni. Pikërisht për këtë ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) tha gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE në Bruksel: "Gjermania është e gatshme të marrë pjesë teknikisht, financiarisht dhe me logjistikë për shkatërrimin e armëve kimike." Por Gjermania nuk pranon që armët të shkatërrohen në Gjermani, sepse "sipas pikëpamjes sonë në botë ka rajone që janë më të përshtatshme." - tha Westerwelle.

Zgjidhje shumëpalëshe

Sipas ekspertit për çështje të sigurisë, Oliver Meier, nga Institutit gjerman Stiftung Wissenschaft und Politik në Berlin vendi ku do të bëhet shkatërrimi i armëve kimike duhet të jetë i tillë që transporti i armëve atje mundësisht të mos jetë i nevojshëm të bëhet me rrugë tokësore. "Kemi të bëjmë me lëndë kimike shumë të rrezikshme, dhe transporti dhe shkatërrimi i tyre lidhen me rreziqe të larta për shëndetin dhe mjedisin. Ky është edhe shkaku pse shumë shtete kanë frikë," tha Oliver Meier për DW. Por ka edhe pengesa administrative si në rastin e Shteteve të Bashkuara, ku ekziston një ligj që ndalon transportin e armëve kimike nëpër territorin e vendit.

Sipas Ralf Trapp-it, ekspert për armët kimike, pritet që asgjësimi i armëve siriane të bëhet në formën e një zgjidhjeje shumëpalëshe, ku do të marrin pjesë shtete të ndryshme, sepse duhen përballuar një sërë hallkash, si transporti, mundësia e ndonjë avarie, ushtarë për mbrojtjen e operacionit, procesi i asgjësimit etj.