1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kërkohet strategji e re

NATO-s i nevojitet sa më shpejt një doktrinë e re e fuqishme, mendon Bernd Riegert.

Ministrave të Jashtëm të NATO-s u duhej të merreshin në takimin e tyre ne krizën në Ukrainë. Kjo është e rëndësishme edhe në qoftë se mundësitë e ndikimit të aleancës ushtarake janë të pakëta.Fijet vendimtare i luajnë ministrat e Jashtëm, që kanë peshë në krizën e Ukrainës, si ministri gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ai amerikan John Kerry. NATO ofron vetëm podiumin për aktivitetet diplomatike.

Gjykimi i nevojshëm në lidhje me një strategji të re të NATO-s ndaj Rusisë nuk shkoi larg. Pyetja legjitime nëse NATO do ta trajtojë në të ardhmen Rusinë si një partnere apo si një kërcënim mbeti pa përgjigje. Dokumente për këtë çështje do të përpilohen gjatë verës dhe në shtator NATO do të japë një përgjigje në samitin e saj. Ajo që është e qartë që tani është për të ardhmen e parashikueshme nuk do të ketë zgjerim drejt Lindjes. Për pranimin e Gjeorgjisë apo madje të Ukrainës nuk pritet të arrihet konsensu brenda aleancës dhe një gjë e tillë do të shkaktonte rezistencë të ashpër tek Rusia.

NATO e pranon brenda për brenda se ajo është thjesht të paaftë për t'u përballur me situata të tilla si tani në Ukrainë, ku nuk ka kundërshtarë të qartë ushtarakë. Kundër "njerëzve të gjelbër", pra grupeve të vogla në dukje të çorganizuar të separatistëve, NATO-ja nuk ka strategji dhe nuk ka mjete të përshtatshme. Si duhet të veprohet ndaj ushtrisë ruse, e cila operon në sfond në kufi dhe ofron një lloj skenari kërcënimi duke u dhënë siguri separatistëve, por nuk lufton në mënyrë aktive? Për 20 vjet, aleanca ushtarake perëndimore është përpjekur që të ndërtojë një marrëdhënie me Rusinë, e cila e meriton emrin partneriteti për sigurinë. Për shkak të krizës së thellë për Ukrainën dhe Krimenë, ky besimi është shndërruar në një dyshim të hapur. A mund të shërbejë Traktati Rusi-NATO më tej si bazë për bashkëpunim apo bashkëjetesë?

Tensione dhe të çara në vend të doktrinës së përbashkët

Ende shumica e vendeve të NATO-s nuk duan të heqin dorë nga ky traktat bazë. Por disa shtete si Polonia, theksojnë se marrëveshja duhet të ndryshohet në mënyrë që trupat e NATO-s të mund të vendosen përgjithmonë në Poloni ose në Baltik dhe në Rumani. Këto vende të NATO-s ndihen të kërcënuara. Aleanca duhet të gjejë një përgjigje për këtë, më së voni në samitin e shtatorit. Për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate ndryshimit të situatës në kufirin lindor, NATO ka nevojë sidomos për kohezion. Solidariteti në aleancë pas kulisave nuk është i mirë. SHBA është duke kërkuar gjithnjë e më fort më shumë angazhim financiar nga evropianët. Në Shtëpinë e Bardhë shtohet pyetja se si mundet që evropianët të mbështeten gjithmonë tek ushtarët amerikanë dhe pajisjet amerikane edhe kur është puna, si në rastin e Ukrainës, për sigurinë në Evropë?

Sekretari amerikan i Shtetit Kerry bëri të qartë në Bruksel se për të Ukraina është vetëm një nga shumë vendet e trazuara në botë. Kerry ishte i preokupuar sidomos për problemin e Irakut dhe ofensivës së terroristëve atje. Dikur NATO do të duhet të pozicionohet edhe për këtë. A do ta mbështesin evropianët SHBA, në qoftë se është fjala për një konflikt ushtarak në Irak? Një strategji e përbashkët nuk duket. Për të mbuluar tensionet dhe të çarat brenda NATO-s ministrat e Jashtëm po përgatitin një deklaratë transatlantike për solidaritet të ndërsjellë. Kjo është për t'u habitur, sepse një gjë e tillë duhet të jetë e vetëkuptohet brenda një aleance transatlantike. Kur menaxhimi i krizës akute në Ukrainë t'i takojë së kaluarës, NATO do të ketë shumë punë konceptuale. Duhet të gjendet një doktrinë e re të fuqishme. Pas përfundimit të parashikueshëm të misionit më të madh të përbashkët në Afganistan, vendet e NATO-s kanë nevojë për një kapëse të re pas vitit 2014.