1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kërkohet reformë e reformës

Kanë kaluar mbi dhjetë vjet që nga fillimi i reformave në universitetet gjermane në shërbim të zbatimit të Procesit të Bolonjës. Rektorët e shkollave të larta dhe përfaqësues të ekonomisë dhe shkencës bënë bilancin.

Universiteti Humboldt, Berlin

Reforma e Bolonjës nuk i ka arritur disa qëllime që pat premtuar kur filloi të zbatohej.

“Synimi kryesor i Bolonjës ishte dhe mbetet që larmia dhe shumëllojshmëria të bëhet e krahasueshme. Por shumë nga shkollat e larta nuk u përqendruan tek shumëllojshmëria por tek normizimi dhe unifikimi”, përmbledh në bilancin e tij zëvendëssekretari i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane për Sponsorizimin e Shkencës, Dr. Volker Meyer-Guckel. Sipas Guckel, procesi i Bolonja është më i mirë se ç'e ka namin.

Sallë leksioni.

Sistemi i reformimit ka nevojë për përmirësime.

E megjithatë, reforma e Bolonjës nuk i ka arritur disa qëllime që pat premtuar kur filloi të zbatohej. Njëri prej tyre është mobiliteti i studentëve të bachelor-it, siç e pranon Presidentja e Konferencës së Rektorëve të Shkollave të Larta, Prof. Dr. Margret Wintermantel. “Sistemi i pikëve të kredive e lehtëson njohjen e rezultateve, por për momentin, shumë studentë të bachelorit nuk preferojnë ende të studiojnë një semestër jashtë shtetit, në qoftë se kjo nuk parashikohet nga vetë dega që studiojnë.”


Synimi tjetër i reformës ishte shkurtimi i kohëzgjatjes së studimit në shkollat e larta, deri në një afat prej më së shumti dhjetë muajsh. Ideja ishte që edhe studentët me bachelor të kishin mundësi të hynin në tregun e punës. Por statistikat paraprake thonë se vetëm gjysma e përfunduesve të bachelor-it në shkollat e larta profesionale dhe një e pesta e studentëve nëpër universitete, arrijnë të gjejnë një vend pune.

“Ekonomia Gjermane e përkrah Bolonjën dhe ne do ta forcojmë edhe më shumë fushatën tonë "Bachelor Welcome". Por ne nuk kërkojmë ndalimin e reformës, por reformimin e reformës," thotë shefi i personelit në Deutsche Telekom, Thomas Sattelbeger. Sattelberger kërkon për shembull ndryshime në kohëzgjatjen e sistemit bachelor: “Në ekonomi bachelori mund të përfundohet brenda gjashtë semestrave, por në degë të tjera si matematikë, informatikë, shkenca natyrore dhe teknikë, nevojiten shtatë deri në tetë semestra,” thotë ai.

Universiteti i Hamburgut.

Reformë të reformës kërkojnë edhe studentët.

Reformë të reformës kërkojnë edhe studentët, të cilët vetë një muaj më parë zhvilluan një nga grevat më të mëdha të viteve të fundit. Protesta drejtohej pikërisht kundër procesit të Bolonjës: “Universitetet janë shdërruar në shkolla, liria kërkimore është reduktuar, barrierat për të fituar të drejtën për studimet master janë shumë të larta”.

Ministrja gjermane e Arsimit, Annete Shavan, asokohe e quajti grevën të vjetëruar, por tani edhe ajo e pranon se sistemi i reformimit ka nevojë për përmirësime.


Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 10.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IkYk
  • Data 10.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IkYk