1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kërkohet paketë shpëtimi për refugjatët

Organizatat e të drejtave të njeriut kërkojnë nga qeveria e ardhshme gjermane që të bëjë më shumë për refugjatët. Para së gjithash duhet të pranohen më shumë sirianë. Programi aktual shihet si i pamjaftueshëm.

Ishte frika ajo që e bëri Abdul Khaliqin të largohej një vit më parë nga Siria. Mësuesi sirian kishte parë fotografi të ushtarëve, që qenë ekzekutuar si dezertorë nga regjimi i Assadit. Ata nuk patën pranuar të hapin zjarr ndaj popullit të tyre, thotë ai. Për të mos vdekur edhe vetë si dezertor, 33 vjeçari u arratis së bashku me një shok natën në kufi me Irakun e Veriut. Si ai, gjithnjë e më shumë sirianë marrin arratinë nga lufta, e cila po e shkreton vendin që prej më shumë se dy vjetësh. Në fillim të shtatorit, organizata e refugjatëve e OKB-së raportoi se tashmë më shumë se dy milionë sirianë jetojnë në kampe në Liban, Siri dhe Jordani. Çdo ditë numri i tyre rritet.

Organizatat e të drejtave të njeriut, Amnesty International dhe ProAsyl, me rastin e bisedimeve për formimin e koalicionit të ri qeveritar i kërkojnë qeverisë së ardhshme që të angazhohet më fort për mbrojtjen e refugjatëve sirianë - dhe t'i pranojë këta edhe në vend. "Gjithë kohën ne kërkojmë që vendet fqinjë t'i lënë hapur kufijtë - po kaq hapur duhet t'i lëmë edhe ne kufijtë tani", kërkon Franziska Vilmar nga Amnesty International.

Kërkohet një akt solidariteti

Ndihma humanitare që Gjermania u jep në Siri refugjatëve në kampe vërtet që duhet përshëndetur, por përballë vazhdimit të valës së refugjatëve ajo nuk mjafton, thotë ekspertja për azilin. Prandaj Vilmar kërkon që programi i pranimit të refugjatëve sirianë të zgjerohet. Në fillim të vitit, Gjermania shprehu detyrimin për të pranuar 5000 sirianë veçanërisht në nevojë për ndihmë.

Ekspertja e Amnesty Franziska Vilmar

Ekspertja e Amnesty Franziska Vilmar

Vilmar e përshëndet gatishmërinë e disa landeve gjermane, për ta lehtësuar hyrjen e familjarëve të sirianëve që jetojnë në Gjermani. Por ata që ndodhen në Gjermani lejohet të tërheqin vetëm familjen e ngushtë, pra vetëm fëmijët dhe bashkëshortët. Anëtarët e familjeve duhet të presin shpesh me muaj të tërë para ambasadave gjermane në rajon, për të marrë një vizë. Kurse ata që duan të tërheqin të afërm në vend, duhet të paguajnë vetë fluturimin, strehimin dhe sigurimin shëndetësor - dhe këtë për një kohë të pacaktuar, kritikon Günther Burkhardt, drejtor administrativ i organizatës, Pro Asyl.

Burkhardt dhe Vilmar prezantojnë veç kësaj një katalog kërkesash për trajtimin e azilkërkuesve në Gjermani, si për shembull eleminimin e procedurës në aeroport, në bazë të të cilës refugjatët strehohen në pjesën e tranzitit të aeroportit, deri sa vendoset për kërkesën e tyre për azil. Por atje ata nuk kanë thuajse asnjë mundësi që të përgatiten për procesin e azilit, kritikon Burkhardt.