1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kërkohet përgjysmimi i landeve federale në Gjermani

Përpjekjet e politikës për bashkimin e landeve të vogla e të varfëra me ato të mëdha, ngjall frikën ndaj një shteti të centralizuar.

Rikthim i debatit për zvogëlimin e numrit të landeve - takim i kryeministrave të landeve në Berlin. Janar 2012

Rikthim i debatit për zvogëlimin e numrit të landeve - takim i kryeministrave të landeve në Berlin. Janar 2012

Si duhet të jetë i ndërtuar një shtet që të funksionojë mirë? Kjo pyetje preokupon veçanërisht njerëzit në vende të cilat pas një revolucioni kërkojnë një strukturë të re shtetërore me pranim të lartë në popullsi. Si model përmendet shpesh sistemi federalist në Gjermani, pra ndarja në lande federale. Entuziasmin për këtë sistem e konfirmon një studim përkatës i fondacionit Bertelsmann.

Por në Gjermani sipas studimit të vitit 2009 federalizmi ndesh në gjithnjë e më shumë kritikë të cilët pyesin nëse sistemi është i vjetëruar. Për kritikët 16 landet federale gjermane me 16 parlamente landesh dhe dhjetëra ministra, me autoritete të panumërta landesh me mijëra nënpunës përbëjnë një sistem tejet të shtrenjtë shtetesh të vegjël.

Sistemit nuk i ka ardhur ende fundi

Landi i vogël i Zarës për shembull e bën të qartë këtë ngarkesë: sipas statistikave secili prej 1 milion banorëve të këtij landi ka një borxh prej 12.000 eurosh. Ky është një nga nivelet më të larta të borxhit për kokë në Gjermani. Vetëm në Berlin, një tjetër land të vogël, situata është edhe më keq. Edhe qeveria e re e landit të Zarës e cila do të zgjidhet të dielën (25.3.) duhet të marrë këtë vit kredi në volum prej rreth 630 milionë eurosh, për të përballuar të gjitha shpenzimet shtetërore. Për krahasim: vetëm gjysma e këtij borxhi të ri mund të shpenzohet për investime. Me pjesën tjetër të kredisë duhen paguar borxhet të cilave u ka skaduar koha.

Për të lehtësuar disi këtë situatë, prej disa dekadash në Gjermani është në fuqi një rregull sipas të cilit landet e varfëra marrin para nga landet e pasura si Bavaria apo Baden - Vyrtembergu. Ky i ashtuquajtur kompensim financiar mes landeve është megjithatë shumë i polemizuar, pasi nuk eliminohet shkaku për mungesën e fuqisë financiare por thjesht zhvendosen para nga një drejtim në tjetrin. Disa politikanë për këtë arsye propzojnë që landet e varfëra t'u bashkangjiten atyre me të ardhura më të larta. Ky propozim nuk është i ri, por tani është vënë sërish në qendër të diskutimeve.

Parlamenti i landit të Zarës në Saarbrücken

Parlamenti i landit të Zarës në Saarbrücken

Argumente të forta për ndryshime

Një grup deputetësh të parlamentit federal nga të gjitha partitë e mëdha po punon për një iniciativë të re, e cila synon reduktimin e numrit të landeve gjermane nga 16 aktualisht në 8 syresh. Një prej këtyre politikanëve është Garrelt Duin, zëdhënës për çështje ekonomike i Partisë Socialdemokrate (SPD). "Nëse landet federale do të bashkoheshin dhe si rezultat do të kishim një administratë të reduktuar kursimet në paratë e taksapaguesve do të ishin në shuma miliardëshe", shprehet i bindur Duin. Politikani hedh poshtë frikën se më pak administratë do të thotë edhe më pak vende pune. "Për shkak të avancimit të moshës tek nëpunësit në të ardhmen do të humbasim shumë personel nga dalja në pension, pra do të kemi më shumë problemin e sigurimit të personelit të ri."

Cënim i demokracisë?

Ndër kritikët e reduktimit të landeve federale bën pjesë ndër të tjerë Reinhold Schnabel, profesor për financat në Universitetin Duisburg-Essen. "Të gjitha përpjekjet e deritanishme për bashkimin e autoritetve kanë treguar se si rezultat krijohen struktura të dyfishta dhe kostot madje rriten." Në të vërtetë një nivel i caktuar administrate do të jetë gjithnjë i nevojshëm. Numri i njerëzve nuk zvogëlohet kur landet federale bashkohen. "A mendoni ju se në një kohë kur kërkohet më shumë transparencë dhe pjesëmarrje qytetare në politikë, centralizimi i detyrave shtetërore është pozitiv?" pyet profesor Schnabel. Ai thekson se numri i madh i landeve federale është në fund të fundit edhe shprehje e identitetit rajonal dhe çmimi për një demokraci të gjallë.

Autor: Wolfgang Dick / E. Xhani

Redaktoi: Bahri Cani