1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kërkohet ngritje rrjetesh ujore të lundrueshme në Ballkan

Me pjesëmarrjen e 6 presidentëve të vendeve ballkanike dhe UNESCO-s dhe BE-së sot në Athinë u mbajt samiti ndërballkanik me temë "Pikëtakimet ndërkulturore të rrugëlundrimeve në det, lumë dhe liqen".

Liqeni Fortuna, Rumani

Liqeni Fortuna, Rumani

Me aprovimin e Deklaratës së Athinës kurrorëzohet sot samiti i krerëve të shteteve të Evropës Juglindore me temë "Pikëtakimet ndërkulturore të rrugëlundrimeve në det, lumë dhe liqen të Evropës Juglindore" të mbajtur nën kujdestarinë e presidentit të Republikës Greke Karolos Papulias dhe drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura në vijim të pesë takimeve të tilla të mëparshme. "Ambicia e këtij takimi është shtimi i një hallke të re në zinxhirin e përpjekjeve të përbashkëta të Evropës Juglindore për krijimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve më të ngushta, jo vetëm kulturore por në të gjitha nivelet" deklaroi presidenti grek Papulias në përshendetjen e tij. Papulias e cilësoi samitin e Athinës një vijim të frytshëm të takimeve të mëparshme rajonale si për pjesëmarrjen e gjerë të 6 presidentëve ballkanikë, përveç atij turk dhe maqedonas, por kryesisht për zgjerimin e objektivave të afirmimit të elementit ujor si kanal komunikim mijëravjeçar dhe përballimin e sfidave të përkeqësimit të kushteve të mjedisit. Vërtet emrat e lumenjve si Danubi, të liqenve si Prespa apo Skadar në Mal të Zi, të detit Marmara, Egje dhe Adriatik u bënë pika referimi të gjithë presidentëve që me propozimet e tyre paralajmëruan "një rrjet më të dendur korridoresh ujore bashkëpunimi dhe komunikimi".

Kështu presidenti bullgar Parvanov propozoi krijimin e një Akademie Verore Rajonale në vijim të nismës së vendit të tij për krijimin e një lëvizjeje mbarërajonale në mbrojtjen e trashegimisë kulturore. "Propozimi ynë është që ti shohim aktivitetet kulturore jo si qëllim në vetvete" tha ministri grek i Kulturës Mihalis Lapis, duke prezantuar programin pilot të rrugëlundrimeve. "Të rindërtojmë urat e prishura" ishte apeli metaforik i presidentit kroat Mesic, kurse ai malazez Vujanovic thellimin e modelit të tolerancës ndërfetare të vendit të tij, çështje për të cilën homologu i tij shqiptar Bamir Topi do tu drejtonte ftesën gjithë homologëve të tij për mbajtjen e një forumi rajonal për tolerancën ndërfetare në Tiranë brenda vitit.

"Eshtë koha që vendet e rajonit ballkanik të cilat jo pak kanë vuajtur nga frymëzime nacionaliste dhe janë futur në luftëra ndëretnike, duke krijuar dëme të jashtëzakonshme jo vetëm momentit por edhe përspektivës së këtyre vendeve, duhet patjetër që tu largohen mentaliteteve dhe retorikave nacionaliste dhe të kenë si pikë referimi orientimin drejt integrimit. Do të ishte krejt pa kuptim që fryma e mrekullueshme e këtij takimi, e cila nënkupton në esencë pikërisht dialogun, mirëkuptimin, të merrte sadopak nota të clat u ngjasojnë së kaluarës që Ballkani nuk duhet ta përjetojë më" deklaroi presidenti shqiptar duke iu përgjigjur kështu në mënyrë indirekte parafolësit të tij presidentit serb Tadiç, i cili duke venë theksin e tij në mbrojtjen e monumenteve kulturore serbe në Kosovë fajesoi faktorin shqiptar për dëmet në rreth 150 kisha vetëm 9 vjetet e fundit duke thenë se "shteti i së drejtës nuk mund të mos funksionojë vetëm në Kosovë" dhe duke drejtuar apel bile për ridiskutimin e çështjes së statusit të Kosovës. Kjo ishte edhe e vetmja replikë e këtij samiti ku dominoi fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit dhe u fiksua formalisht dhe me fotografinë familjare. Takimi i ardhshëm do të mbahet në Mal të Zi.

Athinë, 13.06.2008 Niko Anagnosti

  • Data 13.06.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EJBT
  • Data 13.06.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EJBT