1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kërkohet kompromisi për gjykatat në veri

Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë, u bëjnë thirrje shqiptarëve dhe serbëve që të gjejnë një zgjidhje kompromisi për funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës.

default

Misioni evropian për polici dhe drejtësi EULEX, akoma nuk është në gjendje të thotë se kur do të funksionalizohen plotësisht gjykatat në veri të Kosovës. Ka më shumë se dy vjet, që në këto gjykata shqiptarët dhe serbët nuk punojnë së bashku. Disa muaj më parë misioni EULEX, vendosi në gjykatat në veri disa gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe po vazhdon përpjekjet që të bindë Prishtinën dhe Beogradin që të arrijnë një kompromis në mënyrë që ato të kthehen në funksion me punonjës shqiptarë dhe serbë. Kjo për faktin që janë rreth 12 mijë raste që presin zgjidhje.

12 raste presin zgjidhje

Zëdhënësi i misionit EULEX Blerim Krasniqi, i tha DW-së se misioni EULEX, i vetëm nuk është në gjendje që t'i vendosë në funksion të plotë gjykatat pa një zgjidhje kompromisi ndërmjet palëve të përfshira. “Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të përshira në këtë proces që të gjejnë një zgjidhje pragmatike, sepse rreth 12 mijë raste janë duke pritur zgjidhje. Pra varet krejtësisht prej palëve se a do të mund të gjejnë ndonjë kompromis. Mirëpo duhet patur parasysh se në gjykatën e qarkut në Mitrovicë ashtu si në tërë Kosovën ekziston vetëm një sistem gjyqësor dhe gjykatësit dhe prokurorët që duhet të kthehen në gjykatat e veriut duhet të punojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe duhet të jenë të pranueshëm nga të gjitha palët”, thotë zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Blerim Krasniqi, zëdhënësi i misionit EULEX

Blerim Krasniqi, zëdhënësi i misionit EULEX

Shqiptarët: çështja e brendshme

Autoritetet e Beogradit vazhdimisht kërkojnë që çështja e gjykatave në veri të Mitrovicës të përfshihet në bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo, për qeverinë e Kosovës kjo është e papranueshme. Zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës Hajredin Kuçi, thotë për programin tonë se funksionalizimi i gjykatave në veri është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës. “Nuk kemi nevojë që të bëjmë ndonjë kompromis në raport me Serbinë. Tërësia territoriale e Kosovës, pavarësia e saj, organizimi i brendshëm dhe sistemi gjyqësor janë çështje e brendshme të Kosovës. Në këtë drejtim ne bashkëpunojmë me popullatën lokale atje, me misionet ndërkombëtare që janë në Kosovë dhe Serbia nuk ka asnjë rol në këtë drejtim,” thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi.

Serbët kundërshtojnë fillimin e detyrës nga gjyqtarët

Këshilli gjyqësor i Kosovës thekson faktin që funksionalizimi i gjykatave në veri të Mitrovicës është në interes të të gjitha palëve sepse, 12 mijë rastet e pazgjidhura paraqesin një problem dhe do të marrin kohë për tu zgjidhur. Në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, në mars të vitit të shkuar kishin nisur seancat e para gjyqësore, pas një bllokade më se një vjeçare si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në këto gjykata ishin angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë që të gjithë ndërkombëtarë të mandatuar nga misioni EULEX. Tash së voni, misioni EULEX nominoi dy gjyqtarë të përkatësisë etnike serbe që të punojnë në gjykatat në veri, mirëpo kundërshtimimi i Beogradit dhe serbëve lokalë e bën aktualisht të pamundur fillimin e detyrës. Që të dyja gjyqtaret janë të pranueshme edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Gjyqtaret, Ruzica Simiq dhe Milena Xheriq, u kanë deklaruar mediave lokale se për të patur kushte pune në gjykatat në veri, kompromisi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i domosdoshëm.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OfcZ
  • Data 09.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OfcZ