1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kërkohet falje nga kisha katolike në Gjermani për rastet e abuzimit seksual

Të hënën u hap Asambleja e Përgjithshme e pranverës e Konferencës së Ipeshkve në Gjermani. Pak përpara konferencës Arkipeshkvi Robert Zollitsch u kërkoi falje viktimave të abuzimeve seksuale.

Arkipeshkvi Zolitç

Arkipeshkvi Zolitç

Abuzimi seksual me minorenët - një krim i neveritshëm

Kryetari i Konferencës së Ipeshkve Katolikë, Kryepeshkopi i Frajburgut Robert Zollitsch, gjeti fjalë të qarta lidhur me skandalin e abuzimeve në kishën katolike. Mëse qartë ai theksoi:

"Abuzimi seksual me minorenët është gjithmonë një krim i neveritshëm dhe unë bashkohem me formulimin e Papa Benediktit, i bindur thellë duke u kërkuar falje në emër të kishës në Gjermani të gjithë atyre, që janë bërë viktimë e një krimi të tillë."

Të zbardhen të gjitha rastet

Kisha në Gjermani është e interesuar në zbardhjen e rasteve të abuzimit seksual. Zollitsch përshëndeti qëndrimin e jezuitëve lidhur me rastet e abuzimeve në urdhërin e tyre dhe sqaroi për ipeshkvët, se ata duan të bëjnë gjithçka, për t' i zbardhur këto raste brenda kishës.

"Kudo që ka dyshime, duhet të ketë një zbardhje të plotë dhe absolutisht transparente. Ne ipeshkvët gjermanë insistojmë, që të zbardhen si rastet e mëparshme që na kthejnë pas në kohë ashtu edhe rastet më të fundit të abuzimeve seksuale me minorenë. "

Shumë vigjilencë brenda kishës, por edhe në shoqëri

Zollitsch deklaroi, se ipeshkvët do të ripunojnë direktivat e miratuara prej tyre në vitin 2000 lidhur me qëndrimin ndaj rasteve të abuzimit seksual. Përveç kësaj 65 ipeshkvët gjatë konferencës këto ditë në Frajburg do të shkëmbejnë mendime mbi temën nëse trajtohet sa duhet pjekuria seksuale në shkollimin e priftërinjve. Zollitsch tërhoqi vëmendjen edhe për më shumë vigjilencë jo vetëm brenda kishës, por edhe në shoqëri në përgjithësi.

"Ne kemi nevojë ne shoqërinë tonë për një kulturë të vështrimit me vëmendje, e kjo vlen veçanërisht për ne, të nderuar zonja e zotërinj. Ne duhet të jemi vigjilentë për atë që ndodh në fshehtësi. Ne duhet të kemi guxim ta bëjmë menjëherë publike padrejtësinë, atje ku ajo ndodh."

Humbje e rëndë e kredibilitetit

Grupi kishtar i reformës „Ne jemi kisha“ ritheksoi në Frajburg kritikën përsa i përket qëndrimit të ipeshkve ndaj skandalit të abuzimeve. Kryetari i grupit „Ne jemi kisha", Christian Weisner, humbjen e rëndë të kredibilitetit që ka pësuar kisha nga ky skandal e krahasoi me krizën e bankave.

"Kisha katolike ndodhet vërtetë në humnerë madje rrezikon të damkoset në përgjithësi. Nëse nuk ndërmerret diçka për të ndryshuar rrënjësisht këtë imazh dhe për ta përmirësuar atë, nëse një gjë e tillë nuk ndodh në Gjermani, në nivel ndërkombëtar si dhe në Vatikan, atëherë ekziston rreziku i dyshimit kolektiv ndaj të gjithë udhëheqësve shpirtëror, njerëzve të urdhërave, institucioneve katolike e shkollave. "

Autor: Hans Mihael Ehl/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M8wY
  • Data 23.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M8wY