1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kërkohet dialog i brendshëm i qeverisë së Kosovës me serbët e veriut

Qeveria e Kosovës thotë se e ka të vështirë të jetë atraktive për qytetarët serbë në veri, sa kohë nuk zhbllokohet ajo pjesë e territorit.

Mitrovica

Pamje nga Mitrovica

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, vazhdojnë të këmbëngulin se plani i Marti Ahtisarit është zgjidhja më e mirë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës. Por, analistët politikë janë skeptikë nëse ky plan mund të zbatohet në praktikë, duke marrë parasysh situatën e muajve të fundit në veri të Kosovës, ku serbët e kësaj pjese kanë shkëputur çdo lidhje me institucionet e Kosovës dhe ato të pranisë ndërkombëtare.

Në këtë kuadër analistët mendojnë se Prishtina zyrtare jo shumë larg do të jetë e detyruar të mendojë përtej planit të Marti Ahtisarit për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhet veriu i vendit. Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, prej tre vjetësh ka formuar ekipin përgatitor për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, por, jetësimi i këtij projekti nuk duket i afërt.

Shefja e ekipit përgatitor komunal për veriun e Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, gjatë një debati në Çagllavicë, tha se qytetarët e asaj pjese duan të shohin rezultate në dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë mes sipas saj, nevojitet edhe një dialog i brendshëm i qeverisë së Kosovës me popullatën lokale serbe.

Nevojitet dialog ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri

”Është shumë e nevojshme që të vendoset një dialog i drejtpërdrejtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë në veri, sepse mendoj se një dialog i tillë mund të kontribuojë për vendosjen e mirëbesimit në këtë pjesë të Kosovës”, thotë Adrijana Hoxhiq.

Qeveria e Kosovës sipas zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, disa herë ka provuar që të vendosë dialog institucional me serbët e veriut, por kjo ka qenë e pamundur për shkak të kundërshtimit të serbëve. Për më shumë sipas tij, muajt e fundit kjo është e pamundur për shkak se serbët janë barrikaduar.

Institucionet e Kosovës joatraktive për serbet në veri

”Puna më e vështirë për institucionet tona është që të jemi atraktivë për qytetarët tanë serbë në veri. Ne padyshim që do të punojmë në këtë drejtim, por paraprakisht kërkohet zhbllokimi i asaj pjese të territorit të Kosovës”, thotë Hajredin Kuçi.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, konstaton se ka mungesë të madhe komunikimi ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve të veriut dhe për pasojë zbatimi i planit të Marti Ahtisarit është i pamundur. Njëri nga analistët e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, thotë se Prishtina zyrtare do të jetë e detyruar, që me Beogradin ta diskutoje sërish planin e Marti Ahtisarit dhe të mendojë për diçka përtej këtij plani.

Barrikadë serbe në urën kryesore të Mitrovicës

Barrikadat e serbëve vështirësojnë integrimin e veriut.

Prishtina duhet të mendojë përtej planit të Marti Ahtisarit

“Realisht, treni i Ahtisarit për veriun ka ikur. Situata në të cilën ndodhemi tani, si dhe proceset që do të vijnë në vazhdim, sidomos proceset integruese të BE-së, do ta detyrojnë Prishtinën që të mendojë përtej Planit të Ahtisarit. Me siguri që Prishtina, për një kohë të gjatë, do të insistojë në bazat e Planit të Ahtisarit dhe në parim në provizionet e këtij plani, por, realisht, Prishtina do të ulet në tavolinë me veriun apo qoftë edhe me Beogradin me Planin e Ahtisarit”, thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë, zgjidhja për veriun e Kosovës dhe dalja nga bllokada aktuale pashmangshëm sipas analistëve do të gjendet në dialogun Prishtinë-Beograd. Ky dialog sidomos pjesa ku flitet për dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, duket se do të marrë formë pasi që edhe Prishtina edhe Beogradi, kanë dhënë shenja se mund të arrihet një zgjidhje nga një ide e ndërmjetësit në këto biseda Robert Kuper, për menaxhim të integruar të kufirit Kosovë-Serbi. Këtë e kanë pohuar për mediet lokale ato të Serbisë dhe Kosovës edhe shefja e ekipit të Prishtinës në biseda me Serbinë, Edita Tahiri dhe presidenti serb Boris Tadic.

Menaxhimi i integruar i kufirit do të thotë sistem i integruar i kufirit sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ku parashihet që të patrullojnë në mënyrë të përbashkët doganierë dhe zyrtarë kufitarë nga Kosova, Serbia dhe misioni EULEX. Takimi i radhës Prishtinë Beograd, është njoftuar të mbahet në fund të nëntorit, por, akoma nuk është caktuar data.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani