1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kërkesa të ndryshme në debatin për refugjatët

Zyrtarisht Angela Merkel nuk e ka braktisur politikën e saj të dyerve të hapura përballë refugjatëve. Por prej kohësh ka nisur një diskutim me synimin për ta kufizuar ardhjen.

Atmosferë e tensionuar në partitë unioniste. Angela Merkel po merr aktualisht shumë goditje në publik. Ajo është bërë e sulmueshme. Por ajo që ndodhi në fundjavë në kongresin e partisë më të vogël motër CSU ishte një poshtërim siç nuk i është dashur me siguri ta përjetojë asnjë kryetari tjetër gjerman qeverie. Kryetari i CSU-së, Horst Seehofer ia tregoi vendin gati si mësues Merkelit, për shkak të "politikës - do-t'ia-dalim-mbanë" dhe e bëri këtë edhe para kamerave. CSU-ja kërkon një kufi të sipërm për ardhjen e refugjatëve, Merkeli e kundërshton këtë. Këtë mund ta quash një konflikt maksimal. Në këtë sfond po merr vrull debati për politikën ndaj refugjatëve.

Kufiri i sipërm - fjala e re magjike

Edhe të rinjtë e partisë së Merkelit po mobilizohen ndërkohë. Junge Union, organizata e rinisë e CDU-së me propozimin që bën për politikën ndaj refugjatëve madje shkon edhe më tej se vendimi i CSU-së. Të rinjtë kërkojnë shprehimisht një kufi maksimal. Përndryshe kërcënon një humbje e "vlerësimit realist për veten". Se ku do të caktohet kufiri i sipërm, për këtë duhet të bien dakord federata dhe landet. Pas tri javësh vjen kongresi i CDU-së. Ka shumë kohë që te CDU nuk ka pasur grindje të tillë.

Para së gjithash nga landet gjermane janë shtuar skeptikët ndaj Merkelit. Kryeministri i landit të Saksonisë-Anhaltit, Reiner Hasseloff (CDU) kërkon një kufi të sipërm " që të mbajë parasysh aftësinë tonë të pranimit". Në lidhje me landin e tij, kjo shifër do të ishte 12.000 refugjatë në vit - duke përfshirë edhe personat që vijnë në kuadër të bashkimit familjar.

Emëruesi më i vogël i përbashkët quhet kontigjente

Edhe partneri e koalicionit qeveritar të Merkelit, partia socialdemokrate SPD, kërkon ta rifitojë kontrollin për hyrjen e refugjatëve në vend. Kryetari i Grupit Parlamentar, Thomas Oppermann ngul këmbë për një zgjidhje me kontigjente. Çdo vit, Bundestagu së bashku me BE dhe me UNHCR-në duhet të vendosë madhësinë e kontigjentit. Refugjatët në këtë rast nuk duhet të vinin më në rrezik jetën e tyre dhe trafikantëve - të paktën teorikisht - do t'u prishej biznesi. Si masë duhet marrë sipas Oppermannit "sa njerëz jemi në gjendje të integrojmë."

Por zgjidhja me kontigjent është bërë prej kohësh realitet. Por për shkak të lëvizjes së refugjatëve këtë vit ajo ka kohë që është harruar. Që në vitin 2013 rreth 10.000 sirianë erdhën nga kampet libaneze direkt në Gjermani. Në vitin 2014 kontigjenti i rrit edhe me 10.000 vetë të tjerë. Por paralelisht me këtë, qindra mijëra sirianë erdhën përmes itinerarit ballkanik në vend. Një bashkëjetesë e procedurave të rregullta dhe hyrjes së pakontrolluar.

Zgjidhja me kontigjent është në gjendjen aktuale emëruesi më i vogël i përbashkët brenda Koalicionit të Madh. Politikisht ky model ka përparësi. Praktikisht bëhet fjalë për një këmbim midis Evropës dhe shteteve fqinje me të. Evropianët pranojnë kontigjente të mëdha refugjatësh dhe marrin përsipër shpenzimet për furnizimin e refugjatëve që mbeten në Turqi. Ndërsa Turqia merr përsipër ruajtjen e kufijve të saj drejt Evropës. Përparësitë janë të qarta: ngadalësimi i lëvizjes së refugjatëve dhe më shumë kontroll. Dhe kontrolli është i nevojshëm.