1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kërkesë për të forcuar kundërzbulimin

Vazhdimi i spiunimit të SHBA ka sjellë shqetësim dhe zemërim në Gjermani. Nga pikëpamja e shërbimeve të fshehta gjermane skandali ka edhe diçka të mirë: ata mund të llogarisin më shumë para dhe personal.

Në fokus të shërbimit të fshehtë amerikan CIA, sipas informacioneve të gazetës "Bild am Sonntag" janë katër ministri: ministria e Mbrojtjes, ministria e Ekonomisë, ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Ndihmës për Zhvillimin. Kjo ministri e fundit është me interes, sepse përmes ministrisë së Ndihmës për Zhvillimin kryhen operacione të fshehta të Shërbimit Informativ Gjerman në botën e jashtme, shkruan "Bild am Sonntag"

Shumë prej spiunëve, sipas kësaj gazete, bashkëpunojnë prej shumë vitesh për amerikanët. Por aktualisht, për shkak të zbulimeve, nuk kryhen takime midis tyre dhe CIA-s në Gjermani.

"Një mbrojtje efektive kundër sulmeve të komunikimit tonë si dhe një kundërzbulim janë të domosdoshme për demokracinë tonë", bëri të ditur ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere në një deklaratë shtypi për zbulimet më të fundit të rasteve të spiunazhit në Gjermani.

Edhe Bernd Schmidbauer, që ka qenë koordinator për shërbimet e fshehta të qeverisë gjermane midis viteve 1991 dhe 1998, e përdor shpesh fjalën kundërzbulim. "Mbrojtje e kundërzbulim dhe sërish mbrojtje e kundërzbulim, vetëm atëherë jam i fortë", tha Schmidbauer në bisedë me DW. Për këtë nevojiten para dhe personel të shkolluar mirë, thotë 75 vjeçari. "Vetëm atëherë nuk do të jetë e mundur që në oborrin tim të gjithë të bëjnë ç'të duan. Dhe këtu nuk ka mik dhe armik, këtu ka vetëm interesa kombëtare."

Afera e NSA përgatit truallin

Koha për ta çuar përpara zgjerimin e kundërzbulimit duket e përshtatshme: politikanët gjermanë dhe opinioni i gjerë reagojnë të zemëruar dhe të revoltuar për informacionet që nuk marrin fund që prej zbulimeve të Edward Snowdenit në Gjermani, mbi aksionet e spiunazhit të shteteve aleate në Gjermani - veçanërisht të SHBA.

Zëdhënësi i CDU-së në Komisionin Hetimor të Bundestagut, Roderich Kiesewetter kërkoi më shumë para për kundërzbulimin gjerman. Gjermania ka kursyer "në vend të gabuar", i tha Kiesewetter gazetës "Rheinische Post". Ai kërkoi një "rritje të konsiderueshme" të buxhetit të shërbimit të fshehtë gjerman për botën e jashtme, të Shërbimit Informativ Gjerman (BND), në mënyrë që ky shërbim të jetë në të ardhmen i gatshëm të "kryejë zbulim efektiv". Sipas një informacioni të Südwestrundfunk, telefoni celular i Kiesewetterit me sa duket është spiunuar nga shërbimet e fshehta.

Shërbimet e fshehta pajisen më mirë

Shërbimi Informativ Gjerman ka kohë që planifikon të pajiset më mirë, veçanërisht në teknikën që i shërben mbikqyrjes së medieve sociale. Ky projekt është pjesë e "Inisiativës Strategjike Teknika", për të cilën Bundestagu, sipas dëshirës së BND-së duhet të miratojë 300 milionë euro. Sipas informacioneve të DW, edhe Kundërzbulimi Ushtarak (MAD) po shqyrton mundësinë e një riorganizimi. MAD është shërbimi më i vogël në numër, me rreth 1000 punonjës. Edhe Zyra Federale për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV) do të organizohet më mirë. Për shkak të aferës së përgjimit, Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese kishte kërkuar prej kohësh që ta zgjeronte vështrimin edhe tek shërbime informative mike. "Në dritën e asaj që ka ndodhur, neve na duhet ta zgjerojmë punën tonë", i tha de Maiziere ZDF të enjten në mbrëmje. Përballë ngjarjeve më të fundit nuk duhet harruar, që "shtete të tjera kryejnë spiunazh në stil të gjerë në Gjermani". Deri tani nga pala gjermane vëzhgohen para së gjithash aktivitete të shërbimeve të fshehta të vendeve si Rusia, Kina ose Koreja e Veriut.