1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kërcënon një Maidan i tretë?

Kievi vepron me ashpërsi kundër aktivistëve prorusë në Ukrainën Lindore. Ndërhyrja e ushtrisë është edhe rrjedhojë e kritikës publike në rritje ndaj udhëheqjes ukrainase. Janë shtuar kërkesat për një ndërrim të qeverisë.

Qeveria ukrainase ka ndërmarrë sërish një aksion ushtarak kundër aktivistëve prorusë në qytetin e Ukrainës Lindore, Slovjansk. Kjo është tashmë përpjekja e tretë që prej mesit të prillit, për ta rivendosur nën kontroll gjendjen në provincat e Ukrainës Lindore, Donetsk dhe Luhansk. Më shumë se një dyzinë qytetesh kanë kaluar nën kontrollin e mbështetësve të armatosur të së vetëshpallurës "Republikë e Donetskut", janë pushtuar ndërtesa administrative dhe janë plaçkitur depo armësh të policisë.

Separatistët e kanë bërë kështjellë të tyre Slovjanskun. Më 11 maj ata duan të mbajnë një referendum të papranuar nga Kievi për më shumë autonomi ose për një shkëputje dhe bashkim me Rusinë. Qeveria e Ukrainës beson se midis luftëtarëve të maskuar ka njësi speciale ruse. Rusia i ka hedhur poshtë këto kritika.

Qeveria në Kiev ndodhet në një "dilemë shumë të vështirë", i thotë DW Steven Pifer, ish-ambasador i SHBA në Ukrainë, i cili punon tani për Brookings Institution në Uashington. "Një ndërhyrje e dhunshme mund të shkaktojë një ndërhyrje ushtarake të Rusisë", mendon Pifer. Por nëse qeveria nuk bën asgjë, ajo mund ta humbasë Ukrainën Lindore.

Ndërhyrja e ushtrisë në Slovjansk është edhe një "pasojë direkte e kritikës së ashpër publike" ndaj qendrimit të deritashëm të qeverisë, mendon eksperti i Kievit për politikën, Volodomir Fesenko. "Ata ishin të vendosur të demonstronin vendosmëri", i tha Fesenko DW. Presidenti tranzitor Olexander Turçinov pranoi ndërkohë se qeveria e ka humbur kontrollin mbi pjesë të Ukrainës Lindore.

Trupa ukrainase në Slovjansk

Trupa ukrainase në Slovjansk

Në këtë kuadër janë shtuar kërkesat për një ndryshim në krye të shtetit. Në mediet ukrainase dhe në rrjetet sociale diskutohet ndërkohë për një "Maidan të tretë" eventual. Me këtë mbahet parasysh kryengritja popullore, në sheshin Maidan, e cila çoi në vitin 2004 dhe sërish në 2013/14 në ndryshim të pushtetit.

Deri tani dominonte qendrimi që në një gjendje de fakto lufte nuk duhet kritikuar ose ndërruar qeveria. Por kjo mund të ndryshojë. "Nëse në orët dhe ditët e ardhshme nuk ndodh asgjë, atëherë unë propozoj që t'i vështrojmë si tradhëtarë zotërinjtë në krye të shtetit", shkroi një aktivist nga Harkovi në Facebook. "Padijen do ta përjetojë pastaj populli në Maidan". Lajmi i statusit të tij në Facebook u shpërnda ndërkohë me mijëra herë.

Eksperti: të priten zgjedhjet e reja

Politologu i Kievit, Fesenko paralajmëron megjithatë nga pasojat negative të një "Maidani të tretë". "Kjo ose do të ishte një farsë ose fillimi i shpërbërjes përfundimtare të shtetit të Ukrainës", mendon ai.

Shumë kritika në drejtim të qeverisë janë vërtet me vend, por një ndryshim në krye të shtetit do të ishte kundërproduktiv, beson eksperti. Më mirë të priten zgjedhjet e parakohshme në 25 maj, thotë ai.