1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

"Kërcënimi nga Sadami ishte real" - Tony Blair justifikon marshimin e trupave britanike në Irak

Ish-kryeministri britanik Blair nuk sheh arsye për vetkritikë për shkak të marshimit ushtarak përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak. Për të nuk ka pasur asnjëherë dyshim për kërcënimin që paraqiste Sadami

Tony Blair para komisionit hetimor (29.01.2010)

Tony Blair para komisionit hetimor (29.01.2010)

Ai ishte në fillim nervoz por i përqendruar dhe me kalimin e kohës dukej më i relaksuar: shtatë vjet pas fillimit të luftës në Irak, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair e ka justifikuar në dëshminë e tij para një komisioni hetimor ndërhyrjen ushtarake në këtë vend. Blair tha se ndërhyrja në Irak ishte e domosdoshme pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Pas kësaj ngjarje ai e ka parë gjendjen ndryshe, sqaroi Blair.

Sulmi mbi kullat binjake - 11 shtator 2001

Sulmi mbi kullat binjake - 11 shtator 2001

" Pas kësaj kohe pikëmapja ime ishte: nuk guxojmë në asnjë mënyrë të rrezikojmë më në këtë fushë".

Nëse njerëz të tillë, të inspiruar nga fanatizmi fetar mund të kenë vrarë 30 mijë njerëz atëherë do ta bënin edhe këtë, theksoi Blair. Në rrethana të këtilla nuk ishte më e mjaftueshme vetëm politika e kontrollit dhe sanksioneve.

Në qendër të vëmendjes gjatë dëgjimit gjashtë orësh ishin kritikat, sipas së cilave janë ekzagjeruar të dhënat e shërbimeve sekrete për sistemet e armëve të shkatërrimit në masë në Irak. Blair kundërshtoi këto pohime me fjalët se ka qenë i bindur se Iraku kishte armë për shkatërrim në masë apo të paktën se ishte në gjendje të prodhojë armë të tilla.

Pamje simbolike, armë e shkatërrimit në masë

Pamje simbolike, armë e shkatërrimit në masë

"Nëse ekzistonte mundësia më e vogël për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë atëherë ne duhej ta ndalonim. Kjo ishte pikëpamja ime atëherë, kjo është sot bindja ime."

Ish-kryeministri Tony Blair nuk e pranoi se kishte bërë një marrëveshje "sekrete" me George Bushin për të pushtuar Irakun gjatë një takimi privat në vitin 2002 në fermën e ish-presidentit amerikan. Ai tha se ajo që u tha në takim nuk ishte sekret, se Sadam Hyseinit duhej t'i tregohej vendi dhe "metoda për ta bërë këtë ishte e hapur".

"Bushi mund të llogariste që ne do ta mbështesnim atë në rast se do të vinte deri tek lufta për shkak se me rrugë diplomatike nuk mund të arrihej më asgjë."

Blair i cili qeverisi Britaninë e Madhe për dhjetë vjet kërkoi nga komisioni që të parashtrojë një pyetje tjetër: çka do të ndodhte sikur mos të rrëzohej nga pushteti Sadam Hyseini?

Në foto, ish Presidenti irakian Sadam Hysein

Në foto, ish Presidenti irakian Sadam Hysein

"Mendoj se është e padiskutueshme që ai përbënte një rrezik. Dhe nëse ne do ta lejonim të qëndrojë në pushtet, me një çmim të naftës jo 25 por 100 dollar, pastaj ai do të kishte një qëllim dhe mjetet financiare, ndërsa ne do të humbisnim".

Dëshmia e ish-kryeministrit Blair është përcjellur me vëmendje të madhe nga opinioni publik për shkak se shumica e popullatës ka qenë kundër luftës në Irak. Para Qendrës së Konferencave ku u mbajt seanca dëgjimore demonstruan disa qindra njerëz kundër politikanit Blair. Një protestues tha:

"Unë jam këtu sepse mendoj që Tony Blair gënjen për shkaqet përse na ka futur në luftë kundër Irakut. Ai ka gënjyer për armët e shkatërrimit në masë dhe ai e dinte që po gënjen."

Protesta kundër Tony Blair

Protesta kundër Tony Blair

179 luftëtarë britanikë kanë humbur jetën në luftën e Irakut. Komisioni nuk arriti ta dëshmojë se Blair ka gënjyer. Por në vendimin e opinionit britanik kjo nuk do të ndryshojë shumë, ajo do të vazhdojë ta dënojë edhe më tej Blairin sepse sipas tij ai ka çuar vendin në një luftë të pakuptimtë.

Autor: Torsten Huhn / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 30.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LnVc
  • Data 30.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LnVc