1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kërcënime të reja të ndërsjella hungaro-rumune

Jo më larg se pak vite më parë, Hungaria dhe Rumania mbanin mbledhje të përbashkëta qeveritare. Ekzistonte një proces historik pajtimi. Por tani duket se është rikthyer koha e konflikteve.

Që prej marrjes së pushtetit nga qeveria e djathtë konservatore e kryeministrit Orban në Budapest, në maj 2010 çdo vit rreth datës 15 mars, festës kombëtare të të gjithë hungarezëve, në të cilën përkujtohet revolucioni i dështuar antihabsburgas i 1848-ës, midis dy vendeve ka konflikte. Në mars 2011, presidenti i parlamentit hungarez, Laszlo Köver dhe zëvendëskryeministri i Hungarisë, Zsolt Semjen shkaktuan zemërim në Bukuresht, sepse kërkuan autonomi territoriale për Székelyföld-in në juglindje të Hungarisë, të banuar në pjesën më të madhe nga hungarezë.

Provokime në të dyja palët

Këtë vit bëhet fjalë sërish për kërkesat për autonomi të politikanëve radikalë hungarezë nga Transilvania, të cilët mbështeten nga qeveria në Budapest. Të hënën (10.03.2014), në qytetin Targu Mures të Transilvanisë, rreth 4000 hungarezë radikalë demonstruan për autonominë e Székelyföld-it. Midis tyre ishin edhe Gabor Vona, kryetari i partisë ekstremiste të djathtë Jobbik në Hungari dhe neonazistë hungarezë. Këta të fundit sulmuan në manifestim xhandarët rumunë. Kjo bëri që ditën tjetër, presidenti i Rumanisë, Traian Basescu të paraqesë kërkesën që qeveria të ndalojë praninë në vend të anëtarëve të partisë Jobbik. Njëkohësisht, një deklaratë e politikanit radikal transilvanas-hungarez, Laszlo Tökes solli një valë zemërimi tek politikanët rumunë. Tökes, që si pastor i reformuar ishte më 1989 shkëndija e zjarrit për rrëzimin e diktatorit Çaushesku, tha të hënën në Parlamentin Evropian në Strasburg: "Në sajë të asimilimit dhe të politikës së ngulimeve të nacionalizmit shtetëror rumun, hungarezët ndodhen sot në Transilvani, në atdheun e tyre, në një situatë të ngjashme me tartarët e Krimesë". Tökesi kërkoi më pas nga autoritetet evropiane që të mbështesin kërkesat për autonomi të hungarezëve.

Luajtja e kartës hungareze

Vërtet që krahasimi i situatës historike dhe aktuale politike të tartarëve të Krimesë me gjendjen e hungarezëve në Transilvani çalon. Por këto nuanca nuk diskutohen në mediet dhe në politikën e Rumanisë. Deklarata e Tökesit atje u pa thjesht si thirrje për shkëputjen e Transilvanisë nga Rumania - dhe solli një histori të vërtetë. Në këtë kuadër, ish-pastorin radikal e akuzuan për deklarata, të cilat ai nuk i kishte bërë kurrë. Kështu p.sh. eurodeputetja socialdemokrate rumune, Corina Cretu e akuzoi kolegun e saj Tökes, se me sa duket ai e quan normale, kur "ushtria e një shteti të huaj ndërhyn në territorin e një shteti tjetër" dhe i kërkoi presidentit Basescu që të marrë masa kundër Tökesit.

Zemërimi për deklaratat reale ose të vërteta është një sinjal që sa u intereson politikanëve të të dyja vendeve një konfrontim. Në Rumani, "karta hungareze" është gjithmonë një "kartë fati". Para pak kohësh, në Bukuresht u shpërbë një koalicion social-liberal. Në koalicionin aktual nën kryeministrin Victor Ponta, së bashku me komunistët e kthesës politike qeveris edhe "Shoqata Demokratike e Hungarezëve në Rumani" (UDMR), një parti e moderuar. Presidenti Basescu e ka halë në sy këtë koalicion të ri, sepse po këtë vit në Rumani janë zgjedhjet presidenciale. Vërtet që vetë ai nuk mund të kandidojë më, por po të arrijë të paraqesë kandidatin e tij ndaj një qeverie të dështuar, mund të bëhet më vonë kryeministër, ose të paktën eminencë gri e qeverisë së re.

Edhe në Hungari në fillim të prillit janë zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë votën e tyre kanë mundësi ta japin rreth pesë milionë hungarezët që jetojnë në botën e jashtme. Qeveria Orban shpreson të marrë një shumicë prej dy të tretash: votat e hungarezëve të botës së jashtme, shumica e të cilëve janë me bindje konservatore, atij i interesojnë shumë.