1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kë do të zgjedhin kurdët në Turqi?

Për herë të parë një pjesëtar i minoritetit më të madh në vend kandidon për postin e Presidentit. Nëse kandidati kurd do ta marrë shumicën e votave të kurdëve, kjo është e pasigurtë.

Ai kërkon më shumë demokraci dhe të drejta të njeriut - dhe është kandidati më i ri për postin e presidentit: kurdi 41 vjeçar Selahattin Demirtas nga "Partia Demokratike e Popujve" (HDP). Në zgjedhjet presidenciale të së dielës (10.08.14) në Turqi, ai do të kandidojë kundër kryeministrit në post, Recep Tayyip Erdogan dhe kandidatit kemalist Ekmeleddin Ihsanoglu. Këtë të fundit e mbështesin forcat sekulariste dhe nacionalistët.

Kurdët mendojnë në mënyrë pragmatike

Po nëse shumica e kurdëve do ta zgjedhë kandidatin kurd, është e pasigurtë. Sepse para së gjithash zgjedhës të moshës së mesme në zonat kurde të Turqisë do të lidhin shpresa të mëdha me Erdoganin, mendojnë analistët. "Sondazhet tregojnë se kurdët janë të kënaqur me investimet e deritashme në rajon të qeverisë së Erdoganit", thotë Vahap Coskun nga Universiteti Dicle në Xhiarbakir. Kurdët shpresojnë për investime të tjera në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë.

Të gjitha përmirësimet konkrete në infrastrukturë njerëzit ia dedikojnë Erdoganit. Pas shumë viteve të gjendjes së jashtëzakonshme, në të cilat popullata e zonave kurde në Turqi ka vuajtur edhe nga varfëria ekonomike, njerëzit në fushatën elektorale mendojnë më tepër në mënyrë pragmatike. Edhe zgjedhjet komunale në mars, në të cilat partia e Erdoganit AKP mori rezultate shumë të mira, tërheqin vëmendjen në faktin se edhe këtë herë ai mund të bëjë për vete shumë kurdë.

Kurse Demirtasin e mbështesin para së gjithash të rinjtë, për të cilët vlerat demokratike janë shumë të rëndësishme, thotë Coskun. Sepse për këto të drejta flet herë pas here kandidati kurd. Njëkohësisht, mbështetësit e Demirtasit midis kurdëve janë të interesuar për të "ruajtur identitetin e tyre kurd", thotë Coskun.

Procesi i paqes si emërues i përbashkët

Një temë qendrore e fushatës elektorale është për kurdët procesi i paqes midis qeverisë turke dhe partisë punëtore kurde PKK - si parakusht për të gjitha përparimet e tjera në rajon. Si Erdogani, ashtu edhe kurdi Demirtas kanë bërë të ditur se do t'i përmbahen pas një fitoreje në zgjedhje negociatave për paqen.

Pak para zgjedhjeve, qeveria turke nxorri një ligj të ri, i cili u jep siguri juridike negociatave të paqes me PKK dhe u premton ish-luftëtarëve të PKK mundësinë e risocializimit. "Ligje të tilla krijojnë te kurdët besim të madh përballë qeverisë", mendon Coskun - dhe kjo do të ishte përparësi e qartë për Erdoganin.

Si bisedimet e paqes ashtu edhe stabiliteti ekonomik në vend e forcojnë Erdoganin - edhe në zonat kurde. Demirtasi nuk do të marrë më shumë se shtatë përqind të votave, mendon gazetari turk Cengiz Candar, i cili shkruan prej vitesh për kurdët dhe për partinë kurde. Por me kërkesat e tij për më shumë demokraci dhe të drejta për minoritetet, Demirtasi e paraqet veten si forcë opozitare për t'u marrë seriozisht në Turqi - pavarësisht si përfundojnë zgjedhjet.