1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli "xhumbo" mblidhet në Bruksel

Auron Dodi26 Maj 2008

BE diskuton sot për misionin EULEX në Kosovë, i cili ka pak gjasa të fillojë nga puna më 15 qershor, siç qe planifikuar. Temë tjetër në Bruksel do të jetë edhe lidhja e një marrëveshjeje strategjike me Rusinë.

https://p.dw.com/p/E60o
Kosova pret të fillojë nga puna misioni EULEXFotografi: AP/DW

Në të ashtuquajturin "këshill xhumbo" në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE do të diskutojnë së bashku me kolegët e tyre nga ministritë e mbrojtjes dhe të zhvillimit. Qëllimi i takimit që do të zgjasë dy ditë është përgatitja e takimit të rregullt të verës të kryetarëve të qeverive dhe shteteve të BE, që do të mbahet në datat 19-20.

Pjesa më e madhe e diskutimeve do të përqëndrohet në misionin EULEX të BE në Kosovë. Ky mision qe planifikuar të merrte në dorëzim më 15 qershor nga UNMIK-u administratën e Kosovës të sapo pavarësuar. Por zyrtarët e BE tani kanë arritur në përfundimin që vështirësitë ligjore dhe logjistike e kanë bërë këtë datë jorealiste. Burime të presidencës sllovene të BE bëjnë të ditur, se megjithëse synimi i përgjithshëm i misionit "nuk ka ndryshuar", ka pak gjasa që ministrat të caktojnë një datë tjetër për fillimin nga puna të misionit.

Planet për një mbrojtje të përbashkët evropiane janë ende në një nivel embrional, megjithatë BE ka dërguar tashmë trupa në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Çad dhe po stërvit policë në Afganistan dhe në Ballkanin Perëndimor. Gjeorgjia u bashkua të premten e javës që sapo përfundoi me listën e vendeve që kërkojnë ndihmë nga Brukseli për të përgatitur forcat e sigurisë.

Marrëveshja me Rusinë dhe planet për partneritetin lindor

Në takim, ministrat pritet t'i japin mbështetje formale edhe një marrëveshjeje të re strategjike me Rusinë. Rruga për të u hap të mërkurën, pasi Lituania pranoi të heqë veton që kishte vënë, pas mbylljes së tubacionit rus të naftës në Lituani, trajtimit prej Rusisë të Gjeorgjisë dhe refuzimit të Rusisë për të dorëzuar në Lituani persona që kanë kryer krime më 1991.

Valdas Adamkus
Presidenti lituanez, Valdas AdamkusFotografi: AP

Presidenti i Lituanisë,Valdas Adamkus u shpreh të martën optimist për suksesin e negociatave me Rusinë:

"Unë jam jashtëzakonisht optimist, sepse besoj se mund të themi për herë të parë se Evropa po përpiqet t'i bashkojë pozicionet e saj dhe se BE po u flet atyre që ka përballë me një zë."

Ministrat e jashtëm të BE do të dëgjojnë gjithashtu shpjegime më të detajuara për një propozim polak për një Partneritet Evropianolindor më të fortë. Ministri i jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski do ta paraqesë sot këtë propozim i mbështetur nga Suedia. Partneriteti Evropianolindor do të përpiqet të negociojë udhëtime pa viza dhe të krijojë zona të tregtisë së lirë me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Polen Deutschland Außenminister Frank-Walter Steinmeier bei Radoslaw Sikorski
Ministri i jashtëm polak, Radoslav Sikorski me homologun e tij gjerman, ShtajnmajerFotografi: picture-alliance/ dpa

Polonia dhe Suedia argumentojnë se iniciativa e tyre do të ndihmojë për ta larguar Ukrainën nga Moska dhe ta afrojë me Perëndimin. Qeveria gjermane e ka quajtur këtë ide "interesante". Eshtë një premisë që duhet diskutuar patjetër në kuadër të BE, bënë të ditur diplomatë gjermanë. Franca nga ana tjetër, e cila do të pagëzojë më 13 korrik në Paris propozimin e saj për Bashkimin Mesdhetar me 44 vende, ka shprehur skepticizëm për idenë polake. Zyrtarë të Brukselit kanë bërë të ditur se në të gjitha rastet do të mbështesin vetëm struktura të reja që nuk dublojnë ato aktuale të BE.