1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këhler angazhohet për bashkëpunim të ngushtë me Afrikën

Christoph Grabenheinrich12 Nëntor 2007

Presidenti gjerman Horst Këhler (Köhler) e ka shpalluar Afrikën një prej temave me prioritet në mandatin e tij të parë në këtë post. Ai hapi në Algjer Forumin e nëntë afrikan, ku do të diskutohen shumë tema.

https://p.dw.com/p/CAfb
Presidenti gjerman Köhler në Forumin e partneritetit me Afrikën, 12 nëntor 2007
Presidenti gjerman Köhler në Forumin e partneritetit me Afrikën, 12 nëntor 2007Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Të dëgjojmë njëri-tjetrit dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, me qëllim që të bashkëveprojmë." Ishte kjo motoja me të cilën presidenti gjerman Horst Këhler hapi forumin e nëntë të partneritetit afrikan.
"Njerëzia përjeton në një fat të përbashkët dhe të gjithë ne duhet së bashku të marim përgjegjësitë tona", theksoi presidenti gjerman.

Sheshi i Martirëve, Algjer
Sheshi i Martirëve, AlgjerFotografi: picture-alliance


Më shumë ndihma për Afrikën

Gaz dhe naftë në Hassi Messaud në Algjeri.
Gaz dhe naftë në Hassi Messaud në Algjeri.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Para përfaqësuesve të shteteve afrikane, tetë vendeve më të zhvilluara industriale dhe Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim (OECD), presidenti Këhler u angazhua për më shumë ndihma për Afrikën, por kërkoi që vendet afrikane të ndihmojnë veteveten.
Të domosdoshme në këtë rrugë janë kushtet fer për tregti, përfshirë këtu dhe heqjen e doganave për mallrat që vijnë nga Afrika. Mirëpo Këhler theksoi nevojën e thellimit të debateve për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Afrika edhe më tej ka probleme të cilat duhet t'i tejkalojë vetë. "Shkaqet shpesh janë udhëheqja e keqe qeveritare ose, për shembull, fakti që afrikanët shumë pak i shfrytëzojnë mundësitë për një shkëmbim ndërafrikan, kooperim dhe integrim në vet Afrikën", shpjegoi presidenti.

Afrika dhe Evropa varen nga njëra tjetra

Ministrja për zhvillim Haidemari Vicorek - Cojl (Heidemarie Wieczorek-Zeul) nënvizoi në kuadër të Forumit se Afrika dhe Evropa varen nga njera tjetra. Bashkëpunimi më i ngushtë financiar me Afrikën është edhe dëshira e Gjermanisë e cila "është e interesuar për stabilitetin e këtij rajoni." Ministrja theksoi se stabiliteti duhet të manifestohet edhe brenda shoqërive të këtyre vendeve. "Është e domosdoshme që njerëzit të profitojnë nga përmirësimi i gjendjes", theksoi ajo.

Algjeria e varfër megjithë pasuritë në naftë dhe gaz

Për shumicën e njerëzve në Algjeri gjendja nuk është përmirësuar, megjithë fitimet e mëdha nga shitja e gazit dhe derivateve të naftës. Në veçanti numri i të rinjëve të papunë edhe më tej është tepër i lartë. Pikërisht për këtë tema ka biseduar presidenti Këhler një natë më parë me intelektualët e këtij vendi. "Politika duhet të sigurojë që popujt afrikanë të kenë dobi prej pasurive të mëdha tokësore", theksoi presidenti gjerman. Gjenerata e re duhet të angazhohet më shumë në këtë segment si dhe në debatet për ardhmërinë e Algjerisë. Lidhur me këtë ministrja për zhvillim dhe presidenti ishin të një mendimi.

Refugjatë nga Afrika në Spanjë
Refugjatë nga Afrika në SpanjëFotografi: AP

Algjerianët e rinj nuk kanë mirëkuptim të madh për sjelljen e vendeve perëndimore

Ata nuk mund të marrin as viza turistike për të vizituar këto vende. "Afrika dhe Evropa janë praktikisht vetëm 12 kilometra larg mes vete. Prandaj gjithnjë theksoj se kushtet e jetës në Afrikë duhet të përmirësohen. Kjo me qëllim që ata të mos kërkojnë shpëtim vetëm në largimin nga vendi dhe emigrimin në Evropë", thotë ministrja. Pa një angazhim më të madh në zhvillim, Afrika nuk ka shanse që të inkuadrohet në rrjedhat ndërkombëtare. Ky ështe edhe shkaku që gjatë këtij forumi, një vëmendje e posaçme do t'i kushtohet edhe Kinës. Ky gjigant i uritur për energji kaherë i është drejtuar Afrikës dhe si për inat të evropianëve, shpesh nuk i respekton standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut.