1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jung : Aktivitetetet terroriste janë "zbrapsur"

24 Qershor 2009

Pas vrasjes së tre ushtarëve gjermanë në Veri të Afganistanit, ministri i Mbrojtjes Franz Josef Jung ka mbrojtur misionin në Hindukush.

https://p.dw.com/p/IXzZ
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung mbron misionin në Afganistan.Fotografi: AP

Misioni i shërben sigurisë në Gjermani, sepse aktivitetetet terroriste janë "zbrapsur", deklaroi politikani i CDU-së në kanalin e dytë televiziv gjerman ZDF. Kombinimi i mjeteve ushtarake dhe civile për rindërtimin e Afganistanit është më i miri për të fituar besueshmërinë e popullatës së atjeshme.

Sa i përket gjendjes së sigurisë në Afganistan, ministri Jung u shpreh: "Ne mbajmë përgjegjësinë për gjendjen në Veri të Afganistanit. Është ky një rajon shumë i madh dhe kritik nga aspekti i sigurisë. Ne kujdesemi për gjendjen në Kundus dhe rrethinat me një rreze prej 25 kilometrash. Masat e rindërtimit merren edhe në pjesët tjera, por kohët e fundit po përballemi me sfida të shumta, për shkak të pritave dhe sulmeve me armë zjarri. Ne duhet dhe duam të japin kontributin tonë për stabilizimin, rindërtimin dhe zhvillimin e kësaj pjese të madhe të vendit. Por të gjithë ata që na sulmojnë duhet të dinë se do të përgjigjemi", tha ministri.

Reinhold Robbe, i ngarkuari i qeverisë me çështjet e ushtrisë.
Reinhold Robbe, krition politikën gjermane që nuk pranon hapur që Gjermania është në luftë.Fotografi: DW

Përfaqësuesi i Bundeswehrit Reinhold Robbe, kritikoi autoritetet gjermane për faktin se nuk e kanë pranuar hapur, që Gjermania në Afganistan është futur në luftë. Ai tha se aktualisht në vend mungojnë fjalët e qarta të kishës, ekonomisë dhe sindikatave por edhe fjalët e qarta për ndërhyrjen në Afganistan. Edhe disa prej përfaqësuesve të opozitës në Gjermani kërkojnë që të thuhet qartë se ndërhyrja në Afganistan është pjesëmarrje në luftë.

Autor : Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama