1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Juncker vazhdon punën si shef i eurogrupit

Në fakt ai donte të largohej nga posti, por tani Jean-Claude Juncker po qëndron si shef i eurogrupit. Me këtë Juncker i nxjerr vendet e euros nga dilema.

Karuseli i personelit të eurogrupit po rrotullohet; kjo pasi për muaj të tërë ka qenë i bllokuar. Ministrat e financave të eurozonës emëruan natën duke u gdhirë e marta (10.07.2012) luksemburgasin Yves Mersch për postin e drejtorit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Këtë bashkatdhetari i Merschit e pati dhënë si kusht që ai vetë të qëndronte njëherë për njëherë në postin e shefit të eurogrupit. Pas takimit Juncker bëri të ditur pa zbukurime rizgjedhjen e tij për dy vjet e gjysmë, por bëri të qartë: "Nuk kam për qëllim ta përmbush deri në fund këtë mandat. Në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër do të jap dorëheqjen."

Franca e ka me nxitim

Në foto, Klaus Regling

Në foto, Klaus Regling

Pjesë e paketës me vendime kuadri është edhe emërimi i gjermanit Klaus Regling si shef i fondit të përhershëm të shpëtimit ESM. Ai drejton tashmë fondin aktual të shpëtimit EFSF. Se çfarë do të ndodhë pas dorëheqjes së Junckerit, kjo është ende e paqartë. Në të vërtetë Junckeri donte ta linte detyrën më herët, mirëpo qeveria e re franceze e refuzoi favoritin e deritanishëm si pasardhës të Juckerit, ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble. Nëse kandidatura e tij shtrohet për diskutim në të ardhmen, kësaj pyetjeje Schäuble iu përgjigj pas mbledhjes së këshillit të ministrave evropianë me fjalët: "Këtë ua lëmë shefave."

Ndërkaq ministri francez i Financave Pierre Moscovici i lavdëroi tej mase vendimet e fundit të samitit të BE-së të fundit të qershorit. Nuk është çudi, me mbështetjen e presidentit francez vendet e Evropës Jugore patën arritur atje nëpërmjet këmbënguljes lëshime të rëndësishme nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Pikë e rëndësishme është që shtetet në nevojë (dhe në të ardhmen edhe bankat) të mund të sigurojnë më lehtë ndihma nga fondi evropian i shpëtimit. Moscovici shtyn tani drejt vënies në jetë të planeve. "Besoj që vendimet kanë krijuar një bazë të qëndrueshme, dhe tani është fjala te konkretizimi. Le të ecim përpara, sa më shpejt të jetë e mundur." Është fjala para së gjithash për ndihma për bankat spanjolle të zhytura tej mase në borxhe.

Spanja mund të shpresojë për ndihma për bankat

Në foto, Wolfgang Schäuble

Në foto, Wolfgang Schäuble

Kaq me urgjencë nuk e ka homologu i tij gjerman. Wolfgang Schäuble u kujtoi të tjerëve se cilat parakushte ka ndihma për bankat. Njëherë duhet të krijohet mbikëqyrja bankare evropiane, tha ai. "Kjo do të kërkojë kohë, punë, nuk është e lehtë të ngrihet", tha Schäuble. Schäuble i quajti "plotësisht absurde" raportimet e mediës gjermane për kolektivizim të borxheve të bankave. Në këtë mënyrë vuri tërthorazi në dukje frikërat se kursimtarët gjermanë do të duhet të përgjigjen në të ardhmen për borxhet e bankave spanjolle.

Mirëpo, ky shqetësim nuk ekziston vetëm në Gjermani. Edhe ministri holandez i Financave Kees de Jager bëri të qartë, se mbikëqyrja bankare duhet "të jetë e rregulluar mirë, përpara se të mund të ndihmosh bankat e vendit tënd në kurriz të vendeve të tjera". Holanda dhe Finlanda kanë shprehur deri tani rezerva të mëdha kundrejt vendimeve të samitit, dhe nuk është e qartë nëse dhe kur mund të eliminohen këto rezerva.

Megjithatë ministrat e Financave arritën të shënojnë një marrëveshje në parim mbi ndihmën bankare për Spanjën, e cila kap 100 miliardë euro. Një këst i parë prej 30 miliardë eurosh mund të paguhet brenda këtij muaji. Përfundimisht paketa do të miratohet në samitin e jashtëzakonshëm më 20 korrik.