1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jugu i Serbisë: përse mungon integrimi?

1 Qershor 2011

Kanë kaluar dhjetë vjet nga përfundimi i konfliktit të armatosur serbo-shqiptare në Luginën e Preshevës. Armët kanë pushuar, por nuk ka as promovim të multi-enticitetit, përparimit ekonomik e integrimit të shqiptarëve.

https://p.dw.com/p/11SIe
Fshati Trnovac i rrethuar nga trupat serbe dhe ato shqiptare
Fshati Trnovac i rrethuar nga trupat serbe dhe ato shqiptareFotografi: picture-alliance / dpa

Paqja u arrit me uljen e armëve nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe hyrjen e forcave serbe në zonën e sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Nebojsha Çoviq, atëherë zëvendëskryeministër i Serbisë dhe kryetar i Trupit koordinues për tri komunat jugore, vlerëson se shqiptarët shfrytëzojnë edhe sot me shkathtësi dobësitë e sistemit serb si një pretekst për ndarjen nga Serbia."Kur shihni ata që janë integruar, siç është rasti i një kryetari të komunës që është shqiptar i integruar në institucionet e Republikës së Serbisë dhe kur një shqiptar kaq i integruar del dhe thotë, se jugu i Serbisë duhet t'i bashkangjitet kësaj apo asaj pjese, atëherë ju duhet të shtroni pyetjen nëse ai është apo jo vërtet i integruar", vlerëson Çoviq.

Riza Halimi
Riza HalimiFotografi: AP

"Ndarja territoriale"

Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, lideri i partisë më të madhe shqiptare në Luginë, Partisë së Veprimit Demokratik (PVD) dhe politikani më i moderuar nga këto hapësira kujton se marrëveshja e paqes është nënshkruar që të sigurohet multi-etnicitei, integrimi i shqiptarëve dhe krijimi i një gjendjeje më të mirë ekonomike, por nga kjo është hequr dorë me ardhjen e pasuesit të Çoviqit. "Kemi ardhur në një situatë ku lajmi kryesor ishte - azilantët nga kjo hapësirë, romët dhe shqitarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja", shprehet me indinjatë Riza Halimi.

Kryetari i PVD-së fajëson pushtetin në Beograd edhe për disa kërkesa të disa politikanëve shqiptarë për ndarjen territoriale të Serbisë. "Kjo stuhi e deklaratave për bashkimet, rishikimet dhe shkëmbimet nuk janë vetëm deklarata të liderëve lokalë në Preshëvë. Mendoj që zëra të njejtë dëgjohen edhe në nivelin qendror dhe përshtypja ime është se ka korrelacione të caktuara", thekson Riza Halimi.

Nebojsha Çoviq
Nebojsha ÇoviqFotografi: AP

Sa kushton paqja?

Çoviqi është i mendimit se përfaqësuesit e Serbisë duhet të jenë shumë më të pranishëm në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. "Nëse nuk arrijmë një konsensus që me forca të përbashkëta të zgjidhim gjendjen e tyre ekonomike si dhe problemet e mëdha sociale por ato probleme sociale i vendosim në funksion të politikës në përgjithësi dhe politikës së konflikteve ndëretnike, duke trumbetuar se shqiptarët jetojnë keq për shkak se serbët nuk u mundësojnë të jetojnë më mirë, atëherë kjo nuk është korrekte", vlerëson Çoviq.

Sipas të dhënave të Trupit koordinues paqja në jug i ka kushtuar Serbisë 67,5 milionë euro. Paratë janë investuar kryesisht në infrastrukturën komunale. Po ashtu nga ana e organizatave të huaja donatore vlerësohet se është investuar të paktën edhe sa gjysma e mjeteve të qeverisë së Serbisë, kryesisht në projekte të fushës së shëndetësisë dhe arsimit por edhe në edukimin për jetesë të përbashkët pa konflikte.

Autor: Milica Ivanoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama